KQZ: Mbi 1,000 vota me postë konsiderohen të vlefshme pas rinumërimit
Foto: Laura Hasani

KQZ: Mbi 1,000 vota me postë konsiderohen të vlefshme pas rinumërimit

Zgjedhjet 2025 March 13, 2025 - 17:25

Më shumë se 1,000 fletëvotime të cilat fillimisht ishin shpallur të pavlefshme nga votat me postë, janë rivlerësuar dhe tani konsiderohen të vlefshme.

Ky ndryshim erdhi pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili urdhëroi rinumërimin dhe rivlerësimin e 1,631 fletëvotimeve të pavlefshme.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, bëri të ditur se nga ky proces, 1,046 fletëvotime janë rivlerësuar si të vlefshme, ndërsa 585 të tjera mbeten të pavlefshme.

Rezultatet e Zgjedhjeve:

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka dalë partia më e votuar në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, duke siguruar 396,022 vota (42.27%) dhe 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Në vendin e dytë është renditur Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 196,353 vota (20.96%) dhe 24 mandate, e ndjekur nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 171,249 vota (18.28%) dhe 20 ulëse.

Koalicioni AAK-Nisma ka marrë 66,226 vota (7.07%), ndërsa Lista Serbe ka siguruar 9 ulëse.

Një tjetër vend nga komuniteti serb i takon partisë së Nenad Rashiqit.

Nga komunitetet joshumicë janë fituar gjithsej 10 ulëse, ku përfshihen Kosova Demokratik Partisi (2 deputetë) dhe partitë e tjera me nga një përfaqësues: Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Nova Demokratska Stranka, Socijaldemokratska Unija, Partia Liberale Egjiptiane, Koalicija Vakat, Partia e Ashkalinjve për Integrim, Jedinstvena Goranska Partija dhe Partia Rome e Bashkuar e Kosovës.