
Numërimi i votave me postë pritet të përfundojë të martën
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka njoftuar se të martën pritet të përfundojë numërimi i votave me postë.
Sipas Elezit, deri më tani janë numëruar më shumë se gjysma e fletëvotimeve dhe pritet që procesi të përfundojë në ditët në vijim.
Elezi theksoi se shpallja e rezultateve përfundimtare do të varet nga dinamika e numërimit dhe konfirmimi nga PZAP-i dhe Gjykata Supreme, që nuk ka ndonjë çështje në shqyrtim.
“Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, po vazhdon numërimi i votave nga jashtë Kosovës, respektivisht votat përmes postes. Deri në përfundim të ditës së diel, janë numëruar më shumë se gjysma e fletëvotimeve. Besojmë që deri të martën të arrijmë të përmbyllim numërimin e të gjitha fletëvotimeve të mbetura nga votimi përmes postës. Pas kësaj KQZ-ja do të fillojë me numërimin e votave me kusht të cilat janë pjesë e votimit të zhvilluar në 56 vendvotime. Dhe pastaj dhe numërimi i votave nga votimi i personave me nevoja të veçanta”, tha Elezi në një prononcim për Ekonominë Online.
“Sa i përket një date të saktë të shpalljes së rezultateve përfundimtare, nuk mund të jap një datë të caktuar, sepse kjo varet nga dinamika e numërimit të fletëvotimeve”, tha Elezi.
Elezi theksoi se shpallja e rezultateve përfundimtare do të varet nga dinamika e numërimit dhe konfirmimi nga PZAP-i dhe Gjykata Supreme, që nuk ka ndonjë çështje në shqyrtim.
“Pasi të përmbyllen të gjitha këto procese dhe pasi të marrim konfirmim nga PZAP-i dhe Gjykata Supreme se nuk ka një çështje që është duke u shqyrtuar në këto institucione, atëherë KQZ-ja do të mund të shpall rezultatin përfundimtar për subjekte politike dhe kandidatë për deputetë”, tha ai.