
Nis numërimi i votave nga diaspora
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve të KQZ-së sapo ka nisur numërimi i votave që kanë ardhur nga diaspora
Ky numërim përfshin votimin nëpër përfaqësitë diplomatike të Kosovës, raporton Zeri.info.
Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi tha se janë gjithsej 43 vendvotime dhe sipas të dhënave nga 20,324 votues të regjistruar kanë votuar 75.57% e tyre apo 15,352 shtetas të Kosovës që gjatë regjistrimit kishin përzgjedhur këtë mënyrë votimi.
"Siç e dini, procesi i votimit më 8 shkurt është organizuar në 16 ambasada dhe 14 konsullata të Republikës së Kosovës, të cilat janë të vendosura në 19 shtete të ndryshme. Procesi i numërimit është transparent dhe vëzhguesit e akredituar janë njoftuar me kohë. Pas përfundimit të numërimit të ndonjë vendvotimi, brenda një kohe të shpejtë rezultatet për subjektet politike dhe kandidatët, të ndarë sipas përfaqësive diplomatike, do të shfaqen në platformën http://rezultatet2025.net", tha Elezi.
Gjithashtu, Elezi tha se pas përfundimit të numërimit të votave nga përfaqësitë diplomatike, po planifikojnë që të fillojnë me numërimin e fletëvotimeve nga votimi përmes postës.
"Sipas të dhënave, pas procesit të vlerësimit, janë aprovuar më shumë se 63 mijë zarfe të supozuara me fletëvotime që do të numërohen". "Dhe pasi të përfundojë numërimi i fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, në proces të numërimit do të përfshihen fletëvotimet nga votimi me kusht i cili është zhvilluar në 56 vendvotime dhe fletëvotimet nga votimi i personave me nevoja të veçanta", tha ai në konferencën për media. /Zëri
Linkun mund ta gjeni KETU: