![Publikohen pamjet nga përplasja verbale në qendrën komunale të numërimit të votave në Prishtinë](/uploads/zeri.info/images/2025/February/11/auto_Numrimi1739304542.jpg)
Publikohen pamjet nga përplasja verbale në qendrën komunale të numërimit të votave në Prishtinë
Një situatë e tensionuar është krijuar në Qendrën Komunale të Numërimit në Prishtinë, ku ka ndodhur një përplasje verbale mes vëzhguesve të partive politike.
Zëri ka siguruar një video, ku shihen momente kaotike nga salla “1 Tetori”, si dhe ndërhyrja e Policisë së Kosovës për të qetësuar situatën.
Komisionerët e VV-së për pak sa nuk janë përplasur me ata të LDK-së për një votë në Qendrën Komunale të Numërimit në Prishtinë.
Përplasja fillimisht nisi si verbale, ndërsa në një moment komisionerët u shtyn mes vete, ku më pas ndërhyri policia.
E tërë përplasja verbale nisi për një votë, ku komisionerët e VV-së kërkuan që ajo të mos numërohej si e rregullt, ndërsa ata të LDK-së kërkuan që ata të llogaritej si e rregullt.
Ndërkohë, numërimi i votave për kandidatët për deputetë të Kuvendit të Kosovës ka nisur me vonesa dhe probleme teknike, duke shkaktuar pakënaqësi mes pjesëmarrësve në proces. Sistemi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) ka pasur ndërprerje, duke bllokuar numërimin në disa tavolina, gjë që ka shkaktuar tensione mes vëzhguesve dhe përfaqësuesve të partive politike.
Organizata Demokracia në Veprim, e cila monitoron proceset zgjedhore, ka reaguar ndaj situatës, duke theksuar se problemet me numërimin mund të dëmtojnë besueshmërinë e zgjedhjeve.
“Çdo vonesë dhe problem në numërimin e votave dëmton transparencën dhe ndikon në perceptimin publik për ndershmërinë e zgjedhjeve,” thuhet në reagimin e organizatës.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë thirrje për qetësi dhe për vazhdimin e procesit të numërimit në mënyrë të rregullt. Ndërkohë, policia ka mbetur në gatishmëri për të parandaluar incidente të tjera, ndërsa hetimet mbi përplasjen e ndodhur në tavolinën numër gjashtë po vazhdojnë.