Vëzhguesit e BE-së: Proces zgjedhor i qetë dhe dinamik, pavarësisht retorikës së ashpër që reflekton ndarje të thella

Vëzhguesit e BE-së: Proces zgjedhor i qetë dhe dinamik, pavarësisht retorikës së ashpër që reflekton ndarje të thella

Zgjedhjet 2025 February 11, 2025 - 15:07

Shefja e Misionit, Nathalie Loiseau, anëtare e Parlamentit Evropian, prezantoi gjetjet preliminare të Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.

“Dua t’i përgëzoj votuesit që morën pjesë në këto zgjedhje historike për Kosovën, të parat pas një mandati të plotë parlamentar. Këto janë gjithashtu zgjedhjet e para sipas ligjit të ri për zgjedhje, i cili zbaton shumë rekomandime të mëparshme të BE-së”, tha shefja e Misionit, Nathalie Loiseau, në një konferencë për media sot në Prishtinë.

“Zgjedhjet ishin paqësore dhe konkurruese, por polarizimi dhe ndarjet e thella ishin evidente në retorikën e ashpër të fushatës dhe në fushëlojën e pabarabartë ndërmjet partive kryesore dhe partive të vogla joshumicë. Këtë nuk e ndihmon as bllokimi i Komisionit të Pavarur për Media”, shtoi ajo.

Tutje thuhet se megjithëse administrata e zgjedhjeve në përgjithësi gëzon besimin e palëve të interesuara, në procesin zgjedhor u panë përpjekje për politizimin e institucioneve kyçe nga partia në pushtet, veçanërisht Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM). KQZ-ja u ngatërrua në mosmarrëveshje politike dhe politizoi disa aspekte teknike të procesit zgjedhor.

Përpjekja e anëtarëve të KQZ-së të emëruar nga Lëvizja Vetëvendosje për të parandaluar certifikimin e Listës Serbe dhe bllokimi i shpërndarjes së fondeve publike për partitë politike, vuri presion të konsiderueshëm mbi institucionin.

Në anën tjetër, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dhe Gjykata Supreme kanë trajtuar në mënyrë efikase numrin e madh të lëndëve të paraqitura gjatë fushatës zgjedhore. Korniza ligjore në Kosovë ofron bazë të shëndoshë për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike. Ligji i ri zgjedhor solli disa risi që synojnë rritjen e besimit të palëve të interesuara dhe rritjen e transparencës së procesit zgjedhor. Megjithatë, zbatimi i kornizës së re ligjore për zgjedhjet ka nxjerrë në pah se disa aspekte të ligjit kërkojnë sqarime të mëtejshme.

“Tabelimi i rezultateve është ende duke vazhduar, por isha e kënaqur që isha dëshmitare e një procesi zgjedhor i cili, në përgjithësi, tregoi qëndrueshmëri dhe përkushtim ndaj parimeve demokratike. Institucionet e forta dhe të pavarura janë çelës për një të ardhme dinamike dhe demokratike për Kosovën,” tha Nathalie Loiseau.

Duke folur në konferencën për media, foli edhe shefja e Delegacionit të Parlamentit Evropian, Marta Temido

“I vlerësojmë përpjekjet dhe përkushtimin e shumë grave dhe burrave të përkushtuar që siguruan mbarëvajtjen e qetë dhe të rregullt të procedurave në vendvotime në mbarë Kosovën.

Mirëpresim praninë e lartë të vëzhguesve nga partitë politike, të cilat ngritën besimin e palëve të interesuara në procesin zgjedhor. Në një aspekt më pak pozitiv, ishim të shqetësuar për qasjen e kufizuar për personat me aftësi të kufizuara në shumë vendvotime dhe për numrin e grave kandidate, pasi që nuk ka pasur pothuajse asnjë përmirësim nga zgjedhjet e mëparshme parlamentare.

Shpresojmë të shohim përmirësim të qasjes dhe pjesëmarrjes së grave në Kosovë”, EU EOM shpërndau gjithsej 104 vëzhgues nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së, si dhe nga Kanadaja, Norvegjia dhe Zvicra. EU EOM është i pavarur në gjetjet e tij. /Zëri