DnV: 9% e vendvotimeve u hapën me vonesë, shumica për shkak të mungesës së komisionerëve

DnV: 9% e vendvotimeve u hapën me vonesë, shumica për shkak të mungesës së komisionerëve

Zgjedhjet 2025 February 09, 2025 - 09:24

Demokracia në Veprim po vëzhgon mbarëvajtjen e procesit zgjedhor me 500 vëzhgues statikë, të cilët janë prezentë në 500 vendvotime, të përcaktuara në bazë të mostrës përfaqësuese të rastësishme.

Ismet Kryeziu nga DNV-ja tha se vëzhguesit e këtij koalicioni gjatë gjithë ditës do të raportojnë mbi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, duke filluar nga hapja e vendvotimeve, procesin e votimit e deri tek përfundimi i procesit të numërimit të votave të subjekteve politike.

Të drejtë vote për zgjedhjet brenda Kosovës kanë 1,970,944 votues, prej të cilëve 125,852 janë votues që do të votojnë për herë të parë.

“Pas procesit të votimit që u zhvillua dje në 19 misionet diplomatike të Kosovës, e ku votuesit që jetojnë jashtë kishin për herë të parë mundësinë që të votojnë fizikisht për herë të parë nëpër misione diplomatike, DnV beson që një atmosferë e njëjtë demokratike do të përcillet edhe në zgjedhjet që po mbahen sot në Kosovë. Hapja e vendvotimeve, në tërë territorin e Republikës së Kosovës janë gjithsej 2,589 vendvotime. Sipas të dhënave të terrenit, me vonesë janë hapur vetëm 9% e vendvotimeve. Është raportuar se shkak i vonesave të hapjes së vendovotimeve me kohë ka qenë mungesa e komisionerëve dhe atë në 6% të vendvotimeve. Aranzhimi i vendvotimeve është bërë konform rregullave të përcaktuara nga KQZ-ja”, tha ai.

Kryeziu tha se nuk është raportuar asnjë rast kur kabinat e votimit nuk janë vendosur në këndet e vendvotimeve, që do të mund të cenonte fshehtësinë e votës.

Po ashtu, ai theksoi se nuk është raportuar për raste të vendosjes së kamerave në një mënyrë që do të mund ta cenonte fshehtësinë e votës.

“Ambienti dhe siguria rreth Qendrave te Votimit, edhe pse rregullat zgjedhore ndalojnë vendosjen e posterëve dhe materialeve të tjera propaganduese të subjekteve politike brenda perimetrit prej 100m të Qendrës së Votimit, vëzhguesit tanë kanë raportuar prani të këtyre materialeve në 3% të Qendrave të Votimit. Policia është duke u kujdesur për sigurinë e procesit të votimit, konform përcaktimeve ligjore. Nuk është raportuar asnjë rast ku kanë munguar forcat policore. E drejta për pjesëmarrje në zgjedhje si e drejtë universale duhet t’u garantohet të gjithë qytetarëve pa dallim. Personat me aftësi të kufizuar duhet të kenë mundësi të barabarta të marrin pjesë në jetën publike e politike, e me këtë edhe në votim. Megjithatë një numër i konsiderueshëm i Qendrave të Votimit në Kosovë vazhdojnë të jenë të paqasshme për personat me aftësi të kufizuara fizike. Është raportuar se 20% e Qendrave të Votimit në nivel vendi nuk kanë infrastrukturë adekuate pjerrina) që u mundëson personave me aftësi të kufizuara qasje në objekt”, tha Kryeziu.

Informimi i votuesve për të votuar sakte, ai theksoi se me ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet e përgjithshme më 2023, kanë ndryshuar edhe disa elemente të votimit, siç është vota preferenciale.

“Në këto zgjedhje, votuesit do të mund të votojnë deri në 10 kandidatë, nga 5 sa ka qenë e lejuar në zgjedhjet parlamentare paraprake. Rrjedhimisht secila Qendër e Votimit duhet të ketë vendosur në hyrje instruksione të qarta për të gjitha rregullat e votimit. Sidoqoftë, vëzhguesit tanë kanë raportuar se posterët informues kanë munguar në 15% të Qendrave të Votimit. Pjesëmarrja e grave në Këshillat e Vendvotimeve, Prania e grave komisionere vazhdon të jetë e ulët edhe në këto zgjedhje, pavarësisht kërkesave tona të vazhdueshme për pjesëmarrje të barabartë. Është raportuar se në të paktën 73% të vendovotimeve ka prani të komisionereve gra. Rikujtojmë se pjesëmarrja e grave në cilësinë e komisionereve në vendvotime në zgjedhjet e kaluara ishte rreth 31%”, tha ai.

Kryeziu tha se incidentet në hapje të vendvotimeve është raportuar për dy raste kur vëzhguesve të DnV-së në komunën e Prizrenit u është mohuar qasja në informata nga kryesuesit e vendvotimeve, përkatësisht në Qendrën e Votimit Abdyl Frashëri 2002/05 dhe Motrat Qirazi 2003/07.