Hoxhaj: Rritja ekonomike dhe integrimi në Evropë, prioritetet e PDK-së pas zgjedhjeve të 9 shkurtit
Foto: Laura Hasani

Hoxhaj: Rritja ekonomike dhe integrimi në Evropë, prioritetet e PDK-së pas zgjedhjeve të 9 shkurtit

Zgjedhjet 2025 February 06, 2025 - 17:00

Kosova po përgatitet për një moment vendimtar më 9 shkurt, ditën e zgjedhjeve parlamentare, një datë që do të përcaktojë drejtimin e ardhshëm të vendit. Partitë politike janë duke shpalosur platformat e tyre dhe intensifikimi i debatit është gjithnjë e më i dukshëm.

 

Një ndër kandidatë e PDK-së, Enver Hoxhaj, ka ndarë disa nga prioritet dhe synimet e kësaj partie si dhe sfidat me të cilat përballet vendi dhe planet për të ardhmen e Kosovës.

Në intervistën e tij, Hoxhaj theksoi se prioriteti kryesor i Partisë Demokratike të Kosovës pas këtyre zgjedhjeve është përmirësimi i gjendjes ekonomike. 

“Ky është një prioritet mbi të gjitha. Ne do të angazhohemi për të krijuar një sektor privat të qëndrueshëm dhe të zhvilluar ekonomik. Pa një ekonomi të fortë dhe të qëndrueshme, nuk mund të kemi një shtet të zhvilluar. Mandej, është shëndetësia, është arsimi dhe politika e jashtme. I kemi prioritet të lartë njohjen ndërkombëtare të Kosovës, ta rikthejmë anëtarësimin e Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare, marrjen e statusit të kandidatit, anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe një politikë aktive në Ballkan… ” shprehet Hoxhaj.

Ai po ashtu vuri theksin në rëndësinë e rritjes së pagave në sektorin publik dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për mësimdhënësit, policinë, zjarrfikësit dhe të gjithë ata që punojnë në administratën shtetërore.

Një pjesë e rëndësishme e fushatës së PDK-së sipas tij është rikthimi i besimit të partnerëve ndërkombëtarë, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.

Hoxhaj kritikoi qeverinë aktuale për dështimin në përpjekjet për të siguruar njohje të reja ndërkombëtare dhe anëtarësim në organizata të ndryshme. “Në katër vitet e fundit nuk ka pasur asnjë njohje të re, asnjë anëtarësim. Ky është një dështim i madh”, tha ai.

Në lidhje me situatën politike të vendit, Hoxhaj tha se PDK-ja ka një platformë zgjedhore të realizueshme, e cila është e kalkuluar në rrafshin financiar dhe e mbështetur në nevojat konkrete të qytetarëve.

Hoxhaj po ashtu theksoi se është i bindur që më 9 shkurt do të ndodhë ndryshimi politik.

“Kur elektorati vendos që të ndodhë ndryshimi, edhe qeveria e ardhme duhet të jetë qeveri e ndryshimit. Prandaj, preferencat tona janë që të ketë një bashkëpunim sa më të mirë me subjektet politike të cilat janë në opozitë. Ne kemi tema të mëdha përmbyllëse të shtet-ndërtimit të Kosovës, të dialogut të Kosovës me Serbi, tema të mëdha ndërkombëtare, tema të mëdha të brendshme, të cilat mund të përmbyllen vetëm në një partneritet me subjekte tjera politike. Preferencë është që opozita nën udhëheqjet e PDK-së ta formoj qeverinë. Por ta presim fillimisht votën e sovranit dhe të shohim se si do të duket dhe të shkurtin në mëngjes”, tha ai. /telegrafi