Mustafa: Këto janë ditë historike, katër ditë nga sot po vjen ndryshimi në Kosovë
Foto: Laura Hasani

Mustafa: Këto janë ditë historike, katër ditë nga sot po vjen ndryshimi në Kosovë

Zgjedhjet 2025 February 05, 2025 - 11:46

Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, ka bërë thirrje për mobilizim të qytetarëve për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit, duke paralajmëruar se vendi është në prag të një ndryshimi të madh politik.

Mustafa tha se LDK-ja po ngrihet dhe bashkë me të po ngrihet edhe Kosova.

“Katër ditë nga sot po vjen ndryshimi në Kosovë! Këto janë ditë historike. E ndjejmë në rrugë, e ndjejmë në tubime, e ndiejmë në çdo vend që takojmë njerëzit. Ata duan ndryshim. Ju doni ndryshim. Dhe së bashku, ne do ta sjellim ndryshimin. LDK-ja po ngrihet dhe bashkë me ne po ngrihet e gjithë Kosova”, tha ai në konferencën për media.

Mustafa u ka bërë thirrje qytetarëve të dalin masivisht në votime të dielën dhe të votojnë për programin dhe vizionin e LDK-së në krye me kandidatin për kryeministër, Lumir Abdixhiku.

“Ju takon juve, grave dhe burrave të shkëlqyeshëm të Kosovës, të dilni të gjithë të dielën dhe të sillni ndryshimin që të gjithë e duam dhe kemi nevojë për të. Të dielën në vendvotim sillni miqtë tuaj, sillni familjet tuaja dhe së bashku do të sjellim ndryshimin. Votoni LDK-në. Votoni Lumirin. Vota 124”, tha Mustafa.