Vetëvendosja premton ndërtimin e hekurudhës Prishtinë - Durrës

Vetëvendosja premton ndërtimin e hekurudhës Prishtinë - Durrës

Zgjedhjet 2025 February 04, 2025 - 13:05

Lëvizja Vetëvendosje ka premtuar se në mandatin e ri do të fillojnë me ndërtimin e hekurudhës Prishtinë – Durrës, që përmban segmentin Gjakovë – Shkodër dhe projektimin e linjës hekurudhore që lidh Prizrenin e Ferizajn me Gjilanin dhe Bujanovcin.

Tutje, kandidati për deputet nga ky subjekt politik, përmes një videoje të shpërndarë nga Vetëvendosja, Hysen Durmishi, thotë se, përveç rehabilitimit të linjës që është në ndërtim e sipër, nga Hani i Elezit, Fushë-Kosovë e Mitrovicë e deri në Leshak, do të fillojë edhe me rehabilitimin edhe të linjave Prishtinë - Pejë dhe Klinë - Prizren.

Vetëvendosja gjithashtu ka premtuar se do të përfundojnë ndërtimin e rrugës Prizren - Tetovë, autostradën Prishtinë – Gjilan me vazhdim deri te Dheu i Bardhë dhe Autostradën Duhël – Shtime - Banullë. Po ashtu, thonë se do të ndërtojmë rrugën e Dukagjinit që lidh Prizrenin, Rahovecin, Gjakovën, Deçanin me Pejën e Istogun. Premtim kanë edhe për vazhdimin e ndërtimit të rrugëve Deçan - Plavë dhe Pejë – Rozhajë.

Sipas Durmishit, rrugët Dollc – Gjakovë, Kijevë – Zahaq do të finalizohen krahas rehabilitimit dhe modernizimit të të gjitha rrugëve rajonale.