Abdixhiku në takimin me zyrtaren amerikane zotohet se LDK-ja do t’i rikuperojë relacionet me SHBA-në
Foto: Facebook

Abdixhiku në takimin me zyrtaren amerikane zotohet se LDK-ja do t’i rikuperojë relacionet me SHBA-në

Zgjedhjet 2025 January 22, 2025 - 15:09

Pas takimit me ambasadorin britanik, Jonathan Hargreaves, kandidati për kryeministër i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka mirëpritur të ngarkuarën me punë në Ambasadën e SHBA-së, Anu Prattipati.

Nëpërmjet një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, kreu i LDK-së bën të ditur se Prattipatin e ka njoftuar rreth zgjedhjeve, si dhe ia përcolli zotimin e kësaj partie se pas 9 shkurtit, nëse dalin fitues, do t’i rikuperojë në plotni relacionet me SHBA-në dhe administratën amerikane.

“Pas ambasadorit britanik, në takim prita të ngarkuarën me punë në Ambasadën e SHBA-ve, dhe njëkohësisht zëvendës ambasadoren, Anu Prattipati. Znj. Prattipati e njoftova për momentumin e mirë politik të Lidhjes Demokratike të Kosovës në prag të zgjedhjeve, si dhe mbi rrjedhën e fushatës sonë. Përcolla dhe zotimin tonë se pas 9 shkurtit, Qeveria e Re e Kosovës, e udhëhequr nga LDK-ja, do t’i rikuperojë në plotni relacionet me SHBA-të dhe administratën amerikane. Kosova e pavarur e sovrane, e anëtarësuar në BE e në NATO, e me miqësi të përhershme me SHBA-të, ishte misioni ynë dje, është misioni ynë sot, do të jetë misioni ynë nesër. Siguria, energjetika, ekonomia e teknologjia e Kosovës do të mbështeten ekskluzivisht në partneritetin e ngushtë që populli i Kosovës, LDK-ja e Republika e Kosovës do të kenë me SHBA-të”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.