Mustafa: Me energji dhe përkushtim të pakrahasueshëm, LDK-ja po e vendos standardin në këtë fushatë
Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, ka thënë se LDK-ja me një energji dhe përkushtim të pakrahasueshëm po e vendos standardin në këtë fushatë.
Në konferencën për media ai tha se tubimet këto dy ditët e kaluara në Prishtinë, në Podujevë dhe Vushtrri tregojnë qartë që LDK-ja është bërë një me popullin.
Ai theksoi se LDK-ja po prin më 4-5 ngjarje çdo ditë duke arritur në çdo cep të Kosovës, në çdo anë të Kosovës.
“Kjo nuk është vetëm një fushatë, por është një lëvizje për ndryshim e drejtuar nga Lumiri dhe ekipi ynë. Ne po punojmë pa u lodhur sepse konsiderojmë se Kosova ia vlen. LDK-ja po udhëheq fushatën më intensive dhe më dinamike në Kosovë”, tha ai.
Mustafa ka prezantuar dhe agjendën e kandidatit të LDK-së për kryeministër, duke numëruar takim me banorët e Irzniqit, tubim elektoral në Gjakovë, takim me banorët e Korishës së Prizrenit, si dhe takim me banorët e Barilevës.
Ai tha se LDK-ja është bërë një me popullin dhe populli po e mbështet, prandaj sipas tij pas zgjedhjeve të 9 shkurtit kjo parti do të udhëheqë qeverinë e ardhshme, në krye me kryeministër Lumir Abdixhikun.