Infektuar: 73048
Shëruar: 61986
Vdekur: 1649
Bejtullahu nga GERMIN: Procesi i numërimit të votave nga jashtë i ngadalshëm, deri tani 28 përqind e tyre janë refuzuar

Bejtullahu nga GERMIN: Procesi i numërimit të votave nga jashtë i ngadalshëm, deri tani 28 përqind e tyre janë refuzuar

Zgjedhjet 2021 February 23, 2021 - 23:48

Organizata GERMIN, përmes vëzhguesve të akredituar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), është duke vëzhguar procesin e verifikimit të pakove me fletëvotime nga jashtë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

Sihana Bejtullahu nga kjo organizatë procesin e numërimit të votave e cilësoi si shumë të ngadalshëm, njofton Klan Kosova.

“Në ditën e martë ka filluar edhe verifikimi i personave të cilët kanë dërguar zarfet e tyre të supozuara me fletëvotime dhe procesin e kemi vlerësuar si shumë të ngadalshëm duke marrë parasysh që është ditur me herët numri shumë i madh i votuesve dhe tek dje KQZ ka vendosur që të rrisë numrin e personave të cilët verifikojnë secilin person që ka votuar nga jashtë”.

Bejtullahu në Edicionin Special në Klan Kosova foli edhe për zarfet që janë refuzuar nga KQZ teksa tregoi edhe arysen e refuzimit.

“Deri tani kemi 12 mijë e 746 persona të cilët janë refuzuar nga totali i 44 mijë e 720 fletëvotimeve të verifikuara. Nëse kjo përkthehet në përqindje i bie që 28% të të gjitha atyre fletëvotimeve që po verifikohen janë refuzuar dhe kjo është shifër goxha e lartë”.

“Ajo që kemi mundur të shohim nga këtu është që shumica e personave që janë refuzuar janë persona që kanë votuar në grup – pra janë dorëzuar disa zarfa brenda një pakoje dhe në momentin e verifikimit nëse vetëm njëri prej tyre nuk i ka plotësuar kushtet e caktuara atëherë më rregulla i bie që e gjithë pakoja të refuzohet”, tha Bejtullahu.

“Raste të tjera të refuzimit janë edhe kur personat e tjerë nuk janë regjistruar në listën e votuesve për zgjedhjet e vitit 2021, nëse kanë qenë të regjistruar më 2019 dhe nuk e kanë ditur se duhet të regjistrohen prapë”.

Tutje Bejtullahu tha se “GERMIN” e cilëson si mungesë të informimit të qytetarëve se si të votojnë gjithë përqindjen e refuzimit në këto zgjedhje.

“Gjithë këtë përqindje të refuzimit e vlerësojmë si mungesë të informimit të personave se si duhet të votojnë. Ne si organizatë kemi bërë një kampanjë “Diaspora Voton” por kjo nuk ishte e mjaftueshme pasi KQZ-ja nuk ka bërë një kampanjë që votuesit të kuptojnë qartë gjithë procesin”.