Deri tani KQZ-ja ka refuzuar rreth 12 mijë vota nga diaspora
Foto: Laura Hasani

Deri tani KQZ-ja ka refuzuar rreth 12 mijë vota nga diaspora

Zgjedhjet 2021 February 23, 2021 - 15:44

Në Qendrën e Numërimit dhe të rezultateve (QNR) ka vazhduar edhe sot vlerësimi i pakove të supozuara me fletëvotime që kanë ardhur nga diaspora.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi,ka bërë të ditur se në QNR shërbimi votues i KQZ-së është duke vijuar me procesin e vlerësimit të rreth 43 mijë e 500 pakove të supozuara me fletëvotime që kanë ardhur nga jashtë Kosovës

Elezi bëri të ditur se deri tani janë aprovuar mbi 29 mijë vota, ndërsa janë refuzuar mbi 11 mijë të tilla, transmeton “Zeri.info”.

“Sipas të dhënave më të fundit, janë hapur 25 mijë e 153 pako të supozuara me fletëvotime, prej nga kemi të aprovuara 29 mijë e 87 zarfe me fletëvotime dhe 11 mijë e 840 zarfe të refuzuara. Arsyet e mosaprovimit të tyre janë të ndryshme dhe si në vijim: 5 mijë e 78 zarfe janë dërguar nga persona që nuk janë të regjistruar si votues jashtë Kosovës; 3 mijë e 836 zarfe janë dërguar nga persona që nuk kanë arritur të regjistrohen si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës së aplikimit, sepse nuk kanë dëshmuar kriteret ligjore; 908 votues kanë dërguar fletëvotime nga dy herë; 1 mijë e 551 zarfe të dërguara nga votues të paidentifikuar (votim grupor); 467 zarfe të dërguara nga votues, të cilët kanë bashkangjitur dokumente të pavlefshme për identifikim”, ka thënë Elezi në një konferencë për media. /Zëri