Limaj reagon pas moscertifikimit të listës së tij nga KQZ-ja

Limaj reagon pas moscertifikimit të listës së tij nga KQZ-ja

Zgjedhjet 2021 January 22, 2021 - 22:29

Kreu i Nismës, Fatmir Limaj ka reaguar pas mos-certifikimit të listës së kandidatëve për deputetë nga KQZ-ja.

Përmes një postimi në "Facebook", Limaj ka thënë se sonte kanë qenë dëshmitar të një sulmi të paprecedent ndaj tyre.

"Sonte ne kemi qenë dëshmitarë të një sulmi të paprecedent në partinë tonë dhe në të gjithë procesin demokratik. KQZ-ja ka vendosur që të mos çertifikojë disa parti politike që të marrin pjesë në zgjedhje. Është e qartë që ka një interes të madh që NISMA të mos jetë pjesë e parlamentit, që parlamenti i Kosovës të mos e ketë brenda një zë të qartë të UÇK-së", ka shkruar ai.

Sipas tij, KQZ-ja është shndërruar në një lojtar politik aktiv.

"Sonte KQZ-ja është shndërrruar në një lojtar politik aktiv. Përderisa deri më tani gjithmonë, anëtarët e KQZ-së kanë miratuar vendimet e zyreve profesionale siç ishte në këtë rast Zyra për Certifikim, kësaj radhe duke shpërfillë krejtësisht vendimin profesional të zyrës për çertifikim, ata vendosën që të mos e çertifikojnë NISMA Socialdemokrate", tha Limaj.

Po ashtu, ai thotë se nuk është hera e parë që Nismës po i bëhët një padrejtësi e tillë.

"Në raport me Nismën Socialdemokrate kjo nuk është hera e pare që na bëhet padrejtësi, në zgjedhjet e vitit 2019, zyra për pranimin e votave të ardhura nga Serbia në mënyrë ilegale, kishte rekomanduar në kundërshtim me ligjin pranimin e këtyre votave, në këtë rast KQZ kishte refuzuar të marrë vendim kundër këtyre votave sepse argumenti i tyre ishte se ka ardhur rekomandimi nga zyra profesionale. Siç e din opinioni të gjitha këto beteja ligjorë NISMA Socialdemokrate i ka fituar, edhe kësaj radhe jemi të sigurt se në hapat e ardhshëm legal do të triumfojmë", ka përfunduar Limaj./Zëri