Ibrahimi: Kushtetuesja s’mund të fajësohet për dështimet e klasës politike

Ibrahimi: Kushtetuesja s’mund të fajësohet për dështimet e klasës politike

Zgjedhjet 2021 January 22, 2021 - 21:44

Analisti politik, Ilir Ibrahimi, e ka komentuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të mos i certifikojë listat e partive politike me emrat e kandidatëve për deputetë të cilët janë të dënuar apo kanë çështje të pazgjidhura në sistemin e drejtësisë.

Në emisionin Rubikon në Klan Kosova, ai ka thënë se organeve shtetërore duhet t’u lihet pavarësi e plotë në marrjen e vendimeve, pa presion politik.

“Në këtë rast duhet të ndiqen të gjitha rrugët ligjore dhe të gjitha organeve shtetërore duhet t’u lihet një pavarësi e plotë në marrjen e vendimeve”.

“Presioni nga politika nuk ndihmon. Kemi parë sot mbledhjen disaorëshe të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe kjo vjen nga presioni politik. Nëse ne kemi ndërtuar institucione; atëherë ne duhet t’u japim një lloj besimi atyre”.

“Është investuar shumë në këtë që është ndërtuar deri tani – mos t’i sfidojmë institucionet në këtë mënyrë sepse po shkojmë në një rrugë të pa kthim”.

“Gjykata Kushtetuese nuk mund ta fajësohet për dështimet e klasës politike për të gjetur marrëveshje politike – në momentin kur partitë politike dështojnë të arrijnë një marrëveshje, i drejtohen Gjykatës Kushtetuese”.

“Gjykata Kushtetuese ka marrë rol tepër pro-aktiv si pasojë e mosmarrëveshjeve të partive politike”.