Pas moscertifikimit të listës së LVV-së nga KQZ-ja, Kurteshi: Do të përdorim të gjitha rrugët ligjore
Anëtari i KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, ka thënë se ky subjekt politik do t’i ndërmarrë të gjitha rrugët ligjore pas mos certifikimit të listës së kandidatëve për deputet.
Kurteshi para mediave ka deklaruar se beson që PZAP-ja dhe Gjykata Supreme do të ndryshojnë këtë vendim të KQZ-së.
“LVV-ja do t’i përdorë të gjitha rrugët ligjore, do të veprojmë sipas rrugës së Kushtetutës që është në dispozicion. KQZ-ja nuk ka kërkuar nga ne të bëjmë ndërrime të emrave të kandidatëve, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) nuk merr vendime vetëm i ofron KQZ-së informata si të veprohet për personat që kanë çfarëdo dënimi të plotfuqishëm nga një gjykatë në Kosovë”, tha ai.
Po ashtu, ai thotë se është i bindur që LVV-ja do të garojë në zgjedhjet e 14 shkurtit.
“Ne nuk mendojmë, por jemi të bindur që LVV-ja do të garojë më 14 shkurt, si subjekt që do t’i fitojë zgjedhjet. Besoj se PZAP dhe Gjykata Supreme do të vendosin në favorin tonë sa i përket mos certifikimit të listës”, ka thënë Kurteshi.
Ai tha se: “KQZ-ja në krye me Valdete Dakën ka treguar anshmërinë dhe përkushtimin që të jenë në dispozicion të PDK-së dhe LDK-së”./Zëri