Nurellari: 'Erdhi dita' që hipokritët të kërkojnë falje e falënderojnë PDK-në

Nurellari: 'Erdhi dita' që hipokritët të kërkojnë falje e falënderojnë PDK-në

Zgjedhjet 2019 tetor 09, 2019 - 15:39
Detajet

Adri Nurellari, këshilltar i kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli ka kritikuar ashpër ata që akuzuan PDK-në dhe figurat e saj para zgjedhjeve, e që rezultoi me një fitore të VV-së.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se është “i befasuar nga numri i zërvae publik që thanë se Kurti duhet të bëhet kryeministër”, shkruan lajmi.net.

Ai shtron pyetjen, se ku ishin të njëjtit persona, kur Hashim Thaçi me PDK-në fitonte zgjedhjet në 2014 me 30.38% të votave, e thonin se shumica e qytetarëve kanë votuar kundër.

Postimi i plotë i tij në Facebook:

Jam i befasuar nga numri i madh i zërave publik të Kosovës, që janë bërë flamurmbajtës të legjitimitetit të votës, duke thënë që Albin Kurtit i takon medoemos që të bëhet kryeministër pas këtyre zgjedhjeve, meqënëse Vetëvendosja është e para me 25.5%. Kjo gjë në vetëvete është e drejtë, por pyetja shtrohet se ku ishin keta pseudodashnorë të vullnetit të sovranit në vitin 2014, kur brenda një dite kutia e votimit u zëvendësua nga tavolina laramane e humbësve që krijuan VLAN-in?

Asokohe të njëjtët personazhe, jo vetëm që nuk e mbronin këtë parim të legjitimitetit kur bëhej fjalë për fitoren me 30.38% të Hashim Thaçit, por dilnin e thonin që shumica e qytetarëve kishin votuar kundër PDK-së. Ky krahasim nxjerr në pah dyfytyrësinë e këtyre njerëzve të cilët në mënyrë hipokrite për situata të ngjashme kanë mbajtur qëndrime parimore krejt të kundërta.

Prandaj sot “erdhi dita” që këta njerëz të kërkojnë falje ndaj Hashim Thaçit e PDK-së që u kanë pas hyrë në hak në vitin 2014 duke mbështetur haptazi koalicionin e humbësve të VLAN-it.

Po ashtu do të ishte e ndershme ose më saktë “erdhi dita” që të pranojnë meritën dhe shprehin falënderim ndaj Kadri Veselit dhe PDK-së sot për dy standardet e larta morale që kanë dëshmuar në politikë. Së pari duke refuzuar krijimin e një qeverie të re pas dorëheqjes së Haradinajt përmes zëvendësimit të AAK-së me PSD-në.

Së dyti duke pranuar humbjen e zgjedhjeve dhe opozitën pak orë pas përfundimit të zgjedhjeve edhe pse u siguruan 22.2% të votave. Vetëvendosja në  2014 me vetëm 13.6% të votave jo vetëm që nuk e pranoi verdiktin e popullit, por menjëherë u përpoq që ta bllokonte PDK-në me 6 muaj ngërç duke pranuar madje edhe koalicion me Listën Serbe për ta përmbushur këtë objektiv.