Në Drenicë votohet edhe për partitë serbe
Foto: Laura Hasani

Në Drenicë votohet edhe për partitë serbe

Zgjedhjet 2019 October 09, 2019 - 08:15
Detajet
Image

Në Drenas, ndonëse nuk jeton asnjë familje serbe, pothuajse të gjitha subjektet politike serbe kanë fituar vota, ndërkaq në Skenderaj, partitë politike serbe kanë fituar 150 vota. Në Drenas dhe në Skenderaj ngadhjeu PDK-ja me 65.13 për qind të votave, përkatësisht me 76.21 për qind të votave të qytetarëve. Në Skenderaj 1.758 fletëvotime të pavlefshme. Fajtori kryesor që PDK shkon në opozitë, përçarjet e mëdha dhe Kadri Veseli, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Partia Demokratike e Kosovës ka dalë partia e tretë në Kosovë me vetëm 21.3 për qind të votave të fituara, por në dy komunat e Drenicës, Drenas dhe Skenderaj, PDK-ja ka fituar bindshëm përballë subjekteve politike të tjera.

LEXO EDHE: Lista Serbe: Asnjë qeveri kosovare nuk mund të bëhet pa Listën

Se PDK-ja nuk i ka punët mirë është ditur edhe më herët, pasi që përçarjet e mëdha në të dy degët, të cilave u ka kontribuar edhe vetë Kadri Veseli, kryetari i PDK-së, gjatë fushatës zgjedhore ishin thelluar edhe më shumë.

Pak para zgjedhjeve, një prej njerëzve kryesor të PDK-së në Drenas, Naim Bazaj, është detyruar të largohet nga partia, i pakënaqur me rrjedhen e zgjedhjeve të brendshme, pasi që nuk ishte zgjedhur kryetar i degës, ndonëse zyrtarët më të lartë të PDK-së i kishin premtuar atij drejtimin e degës në katër vitet e ardhshme, shkruan më tutje "Zëri". 

Bazaj gjithashtu nuk ishte pajtuar me punën e kryetarit Ramiz Lladrovci, të cilin e kishte cilësuar si njeriun që “ka degraduar PDK-në dhe si njeriun që PDK-së ia ka humbur besimin tek populli”.

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, i kishte premtuar Bazajt edhe se do ta kandidojë për kryetar të Drenasit, në zgjedhjet e fundit për pushtetin lokal, por megjithatë, Veseli ishte penduar për premtimin dhe në këtë mënyrë edhe një mandat për ta qeverisur komunën e Drenasit e ka marrë Lladrovci.

Përçarja më e madhe ishte krijuar në degën e PDK-së në Skenderaj, pasi që vetë Lushtaku kishte hequr dorë nga kandidimi edhe për një mandat për kryetar të komunës, me rekomandimin e kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, i cili kishte rënë prej e trysnisë së madhe të Nuredin Lushtakut dhe të deputetit Bekim Haxhiu – Kamishi, të cilët tashmë e kishin gjetur Bekim Jasharin që të kandidojë si i pavarur.

Kadri Veseli kishte kërkuar nga të gjithë anëtarët e PDK-së, nga simpatizantët dhe qytetarët që të votohet Bekim Jashari, por befasia kishte ardhur në ditën e konstituimit të Kuvendit të Skenderajt, me ç’rast 9 asamblistë të PDK-së kaluan në anën e Bekim Jasharit dhe të Nuredin Lushtaku, me tendenccën që t’i bëjë numrat.

Si kundërmasë, kryesia e degës së PDK në Skenderaj kishte marrë vendim për përjashtimin nga partia të 9 asamblistëve, ndërsa për deputetin Haxhiu kishte shqiptuar masën e shkarkimit të tij nga nënkryetari i degës së PDK. Të përjashtuarëve u ishte lejuar që të marrin pjesë në zgjedhjet partiake, por ata kishin pësuar debakël. Deputeti Bekim Haxhiu, bashkë edhe me nënkryetarin e Skenderajt, Nuredin Lushtakun kishin vazhduar të “punojnë” me të larguarit e PDK-së, shumica e të cilëve janë privilegjuar nga kryetari Bekim Jashari, duke ua punësuar anëtarët e familjeve të tyre.

Me fillimin e procesit zgjedhor, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli kishte bërë fushatë me të dy franksionet, një here me Sami Lushtakun dhe strukturat e degës së PDK-së që udhëhiqen nga ai e herë me Bekim Haxhiun - Kamishin dhe me strukturat paralele të degës së PDK-së, të gjithë anëtarët e përjashtuar nga PDK-ja dhe ndonjë tjetër, të cilët PDK-ja i kishte quajtur ‘tradhtar’.

Elektorati i PDK-së, por edhe të gjithë qytetarët e komunës së Skenderajt dhe të Drenasit e kishin hetuar këtë qarje të madhe, e cila përfundimisht ka shtyrë në greminë PDK-në, pasi që ndarjet e tilla kanë reflektuar edhe në komunat tjera të Kosovës.

Në komunën e Skenderajt dhe të Drenasit thonë se për rënien drastike të PDK-së, fajtor është ai vet, i cili nuk ka arritur asnjëherë t’i bëjë bashkë palët e përçara. Madje Veseli ka tentuar që edhe ata që për shumë vjet e kanë sharë PDK-në t’i kthejë në anën e tij dhe kjo nuk u ka pëlqyer asnjë prej zyrtarëve të degëve të PDK-së në Drenas dhe në Skenderaj.

Dhe rezultati tashmë dihet, në Skenderaj dhe në Drenas, PDK-ja ka marrë gati 30 për qind më pak të votave.

“Ju kujtohet kur PDK-ja në Skenderajt fitonte me 88 për qind të votave, apo në Drenas me 85 për qind të votave. Kur një rënie e tillë ndodh në bastionin më të madh të PDK-së, në Drenicë, atëherë çfarë mund të pritet në komunat tjera”, ka pyetur një qytetar i Drenasit, simpatizant i PDK-së, Vesel Hajzeri.

Në komunën e Drenasit, në bazë të të dhënave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), partitë serbe kanë arritur të fitojnë dhjetëra vota.

Komuna e Drenasit konsiderohet si komunë ku nuk jeton asnjë komunitet pakicë, në veçanti ata serb, megjithatë në zgjedhjet e së dielës subjektet politike serbe kanë marrë 42 vota, kurse subjektet tjera të komuniteteve kanë marrë gjithsej 348 vota. Nga partite serbe, vota kanë marrë Lista serbe (2 vota), Partia e Serbëve të Kosovës – PKS (23 vota), Nova Demokratska Stranka (3 vota), koalicioni ‘Sloboda’ – (Liria) 5 vota dhe SLS e Sllobodan Petroviqit 12 vota.

Partia Liberale Egjiptian ka marrë në komunën e Drenasit 302 vota, ndërsa 9 subjekte të tjera të komuniteteve pakicë kanë marrë 82 vota.

Nga subjektet politike shqiptare, PDK-ja ka fituar 65,13 për qind të votave, LVV 11,06 për qind, NISMA-AKR-PD 7.75 për qind, AAK-PSD 7.08 për qind dhe LDK-ja 5.92 për qind të votave. Të gjitha subjektet tjera kanë fituar 2.81 për qind të votave.

Në komunën e Skenderajt, Lista Serbe, e cila ka fituar në të gjitha komunat me shumicë serbe në Kosovës, ka arritur t’i fitojë 126 vota, apo 0.74 për qind, SLS-ja e Sllobodan Petroviqit 17 vota, apo 0.10 për qind, ndërsa PKS-ja ka marrë 2 vota, apo 0.01 për qind.

Në komunën e Skenderajt, 12.931 qytetarë kanë votuar për PDK-së që do të thotë se binshëm i ka fituar me 76.21 për qind të votave.

Votat kanë ardhur nga dy fshatrat e Skenderajt me popullatë të përzier, Bajë dhe Syriganë.

Në komunën e Skenderajt është regjistruar edhe një numër i madh i fletëvotimeve të pavlefshme. Numri i votave të pavlefshme është 1.758, apo 10.30 për qind.

Të rekomanduara