Opozita, drejt pozitës
Foto: Laura Hasani

Opozita, drejt pozitës

Zgjedhjet 2019 October 08, 2019 - 08:07
Detajet
Image

Dy partitë opozitare në legjislaturën e kaluar, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, janë pranë ngjitjes së rrugës drejt formimit të Qeverisë së re. Kjo pasi Vetëvendosja, e cila doli partia e parë më e votuar në Kosovë, ka lënë derën hapur për koalicion me LDK-në, marrëveshje të cilën nuk e ka përjashtuar as LDK-ja, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Dy subjektet partiake, të cilat ishin opozitë në Kuvendin e Kosovës në legjislaturën e kaluar, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), mund të jenë partnerët e mundshëm që do ta formojnë Qeverinë e re të Kosovës.

LEXO EDHE: Zgjedhjet befasojnë Nismën

Kjo pasi Lëvizja Vetëvendosje (LVV) si fituese e zgjedhjeve, e cila ka të drejtë t’i iniciojë bisedimet për formimin e Qeverisë së ardhshme, e ka lënë derën hapur për bashkëpunim me LDK-në, që në bazë të rezultateve të para të KQZ-së është partia e dytë më e votuar në vend.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, menjëherë pasi shpalli fitoren e partisë së tij theksoi se do t’i trokasë në derë LDK-së për ta formuar Qeverinë e ardhshme të vendit.

Kurse kandidatja për kryeministre nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani, ndonëse e la hapur mundësinë për bashkëpunim me LVV-në, deklaroi se për të vendosur për koalicionet e mundshme partia e saj do të presë publikimin e rezultateve të plota nga KQZ-ja.

Në anën tjetër, njohës të çështjeve politike vlerësojnë se rezultati i ngushtë mes LDK-së dhe LVV-së në këto zgjedhje nënkupton se qytetarët e Kosovës duan që Qeverinë e ardhshme ta formojnë pikërisht këto dy parti.

Sipas tyre, nëse ndonjëra nga këto dy parti nuk pranon marrëveshjen për formimin e Qeverisë së re, nënkupton se ajo po i ndjek interesat individuale dhe jo vullnetin e qytetarëve.

Kurti e Osmani lënë dyert e hapura për bashkëpunim, synojnë ndryshimin

Dy kandidatët për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje dhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Albin Kurti e Vjosa Osmani, pas publikimit të rezultateve të para të zgjedhjeve të jashtëzakonshme nuk e kanë përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me njëra-tjetrën për formimin e Qeverisë së re.

Me këtë rast Kurti, teksa e ka shpallur fitoren e subjektit të tij partiak nga ky proces zgjedhor, theksoi se menjëherë do t’i nisë kontaktet me Këshillin Drejtues të Lidhjes Demokratike të Kosovës për mundësitë e arritjes së një koalicioni paszgjedhor.

“Nesër (e hënë) do të vendos kontaktin me LDK-në, në mënyrë që me subjektin me të cilin ishim në opozitë ta kurorëzojmë ndryshimin. Ndryshimi politik tashmë ka ndodhur dhe mban datën 6 tetor 2019. Ne nuk bëjmë gabime në hapa, hapi i parë është ky, duhet ta respektojmë sekuencën e LDK-së”, ka thënë Kurti.

Kandidatja për kryeministre nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani, të dielën deklaroi se pasi të numërohet edhe vota e fundit ata mund të flasin për koalicione. Në këtë formë Osmani nuk e pohoi e as nuk e mohoi mundësinë e bashkëpunimit me LVV-në.

“Sot nuk mund të shpallet fituesi, sepse duhet të presim deri në numërimin e votës së fundit. Unë dua t’i falënderoj të gjithë. Besoj që deri nesër, pas numërimit edhe të votave me kusht, do ta kemi një rezultat përfundimtar e pastaj do të dalim të flasim. Ne do ta pranojmë vullnetin e sovranit”, ka thënë ajo.

Hapat drejt formimit të Qeverisë së re

Ndërsa kandidatja për deputete nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, në një deklaratë për “Zërin” ka thënë që gjasat janë reale që Qeverinë e ardhshme Vetëvendosja ta formojë me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“Besoj se është shumë e rëndësishme që dy subjektet opozitare të cilat kanë marrë shumë përkrahje ta formojnë Qeverinë dhe gjasat janë maksimale të kemi një bashkëpunim në Qeverinë e re me LDK-në siç kemi filluar bashkëpunimin qysh para zgjedhjeve. Besojmë se do të kemi një qeverisje stabile dhe shpresojmë që kjo të arrihet sa më parë. Po presim certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve dhe pastaj shumë shpejt do të vazhdojmë përpara”, ka thënë ajo. 

Nagavci është shprehur optimiste se bisedimet për formimin e Qeverisë së re do të jenë konstruktive dhe do të finalizohen shumë shpejt.

Kurse nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka thënë se momentalisht mandati për Qeverinë e re i takon liderit të Vetëvendosjes Albin Kurtit. Ai theksoi se nuk do të nisin negociatat për qeverinë e re përderisa nuk përfundon numërimi i të gjitha votave.

“Rezultati është shumë i ngushtë dhe ne jemi duke e pritur numërimin e të gjitha votave, duke përfshirë votat me kusht, votat e diasporës dhe votat për deputetët, pastaj fillon procesi i negociatave. Dallimi është i vogël, një deputet, por që ia jep mandatin (për formimin e Qeverisë) liderit të Vetëvendosjes”, ka potencuar ai.

Mushkolaj: Qytetarët e kërkuan bashkëpunimin LVV - LDK

Duke folur për rezultatet e zgjedhjeve të 6 tetorit, njohësi i çështjeve politike Imer Mushkolaj në një prononcim për “Zërin” ka theksuar se rezultati i ngushtë mes LDK-së dhe Vetëvendosjes është pasqyrë e vullnetit të qytetarëve që pikërisht këto dy parti ta formojnë Qeverinë e ardhshme.

Sipas Mushkolajt, kryeministri i takon partisë fituese, ndërsa cilado parti që nuk e pranon marrëveshjen e koalicionit me tjetrën, këtë gjë e bën për interesa personale e jo parimore.

“Vota që është dhënë prej qytetarëve e ka determinuar qartë dëshirën dhe vullnetin se kë ata duan ta shohin në Qeveri. Qytetarët kanë votuar pro opozitës, pa marrë parasysh se cila parti del pak më përpara se tjetra. Kjo logjikë nënkupton se vullneti i qytetarëve për Qeverinë e ardhshme është për një qeveri në mes të LDK-së dhe LVV-së. Natyrisht që partia e cila ka më së shumti vota duhet ta marrë kryeministrin, sepse nuk ka logjikë tjetër, por nëse ndonjëra nga partitë gjen arsye që të mos jetë pjesë e Qeverisë, atëherë këtë nuk e bën për arsye parimore, por për arsye krejt të tjera, që mund të jenë edhe të interesave personale”, ka thënë ai.

Ndërkohë Mushkolaj vlerësoi se dërgimi i PDK-së në opozitë është ndryshimi thelbësor që u arrit në zgjedhjet e 6 tetorit, teksa shtoi se çfarëdo opsioni për formimin e Qeverisë nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje mbetet në tavolinë.

“Ndryshimi thelbësor është dërgimi i PDK-së në opozitë, pra nuk e kemi më një parti e cila është konsumuar 12 vjet në pushtet. Pastaj kombinatorika e tjera që mund të vijnë në shprehje për t’u diskutuar në tavolinë unë nuk mund t’i di tash, sepse nuk e dimë ende nëse Nisma Socialdemokrate do ta kalojë pragun ose nëse vullneti i AAK-së dhe i PSD-së është t’i bashkohen Qeverisë, por vullneti i qytetarëve, i cili duhet të respektohet, është që Qeveria e ardhshme të formohet me opozitën”, ka shtuar ai.


Të rekomanduara