Zgjedhjet befasojnë Nismën
Foto: Laura Hasani

Zgjedhjet befasojnë Nismën

Zgjedhjet 2019 October 08, 2019 - 08:04
Detajet
Image

Gjatë gjithë fushatës elektorale koalicioni Nisma – AKR – PD pati deklaruar se do të jetë befasia e zgjedhjeve të 6 tetorit, madje ata konsideronin se do të ishin edhe fuqi përcaktuese e formimit të qeverisë së re. Mirëpo këto zgjedhje e treguan të kundërtën duke e zënë në befasi këtë koalicion, i cili nuk arriti ta kalojë as pragun zgjedhor, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Ndonëse patën guxim të garojnë të vetme pa një parti të madhe në krah, koalicioni Nisma – AKR - PD nuk e mori përkrahjen që e priti në zgjedhjet e 6 tetorit.

LEXO EDHE: Thyhen bastionet e partive

Votat e qytetarëve, sipas rezultateve të para të shpallura nga ana e KQZ-së, nuk ia dhanë mundësinë këtij koalicioni ta kalojë pragun prej 5 për qind dhe të jetë pjesë e legjislaturës së shtatë.

Kandidati për kryeministër i koalicionit, Fatmir Limaj, gjatë gjithë fushatës zgjedhore kishte deklaruar se Nisma do të jetë befasia e këtyre zgjedhjeve dhe gjithashtu edhe përcaktuese e qeverisë së ardhshme, shkruan më tutje Gazeta 'Zëri'. 

Madje edhe në ditën e zgjedhjeve Limaj nuk ngurroi të shpallë rezultate, që sipas tij koalicioni, të cilin ai përfaqësonte, ishte drejt marrjes së 8 deputetëve në Kuvendin e Kosovës.

Megjithëse ka ende kohë deri te numërimi final i votave, Nisma – AKR – PD me shumë mundësi nuk do ta kalojë pragun zgjedhor.

Së paku kështu vlerësojnë analistët, të cilët theksojnë se votat me kusht dhe ato të diasporës nuk do të jenë në dispozicion të këtij koalicioni.

Sipas tyre, votat me kusht luajnë pak rol në zgjedhjet nacionale, ndërsa votat e diasporës duke u bazuar në zgjedhjet e kaluara do të jenë kryesisht vota për Vetëvendosjen.

Megjithatë, nga ky koalicion ende nuk i kanë humbur shpresat, ata theksojnë se deri në përfundim të numërimit mund ta bëjnë kthimin e tyre në Kuvend.

Nisma, e pashpresë

Që nga shpallja e rezultateve të para nga ana e KQZ-së Nisma Socialdemokrate ka zgjedhur heshtjen. Pa u bërë publike rezultatet finale lideri, por edhe kandidatë të kësaj partie për deputetë nuk kanë dashur ta komentojnë rezultatin, i cili aktualisht i ka lënë jashtë Kuvendit të Kosovës.

Madje disa nga kandidatët nuk janë shprehur as optimistë se mund të bëhen pjesë e Parlamentit pas numërimit të të gjitha votave. Kandidati për deputet Isa Xhemajlaj ka thënë se deri në numërimin e plotë të votave nuk duan t'i komentojnë rezultatet e zgjedhjeve.

"Mendoj se duhet të presim, nuk kam ndonjë përgjigje. Rezultati tanimë po shihet dhe nuk do shumë koment. Presim votat me kusht se çka do të sjellin, a do të bëjnë ndonjë ndryshim për ato pak vota ose do të mbetet ky rezultat që është. Po presim deri në shpalljen e rezultateve finale, pastaj mund të komentojmë. Aktualisht nuk mund të them a jam pesimist ose optimist se a do t'i marrim këto vota", ka thënë Xhemajlaj për gazetën “Zëri”.

AKR-ja, optimiste se do ta kalojë pragun

Kandidati për deputet nga Aleanca Kosova e Re, Vesel Makolli, theksoi se dalja e madhe e votuesve në zgjedhjet e 6 tetorit ka bërë që të rritet pragu zgjedhor dhe Nisma – AKR - PD të ketë vështirësi për ta kaluar atë.

Mirëpo ai shpreson që me votat e diasporës dhe ato me kusht mund të bëhet ndryshim pozitiv i këtij rezultati.

"Në këto zgjedhje ka dalë një përqindje e madhe e qytetarëve në votime dhe kjo ka ndikuar që të rritet pragu zgjedhor prej 5 për qind. Ne jemi afër pragut kështu që shpresojmë se me votat, të cilat ende nuk janë numëruar - ato me kusht dhe ato nga diaspora, do të arrijmë ta kalojmë pragun dhe shpresoj se do të kemi grupin tonë parlamentar", ka potencuar ai Makolli për “Zërin”.

Në rast se Nisma – AKR – PD arrijnë ta kalojnë pragun zgjedhor, Makolli shton se do t'i marrin 6 deputetë të cilët do të mundë të jenë pjesë e qeverisë së ardhshme, siç thotë ai, gjithmonë nëse një gjë e tillë kërkohet për interesin e vendit.

"Ne gjithmonë kemi qenë konstruktivë. Ne gjithmonë interesin e shtetit e kemi vënë para interesit partiak e individual. Kështu që, ne gjithmonë kemi qenë dhe do të jemi konstruktivë nëse një gjë e tillë është nevojshme për shtetin kur bëhet fjalë për koalicionet ose për formim të qeverisë", ka deklaruar ai.

Alija: Nisma – AKR – PD-ja, pa gjasa për t’u bërë pjesë e Kuvendit

Politologu Rasim Alija ka theksuar se rënia e koalicionit Nisma – AKR - PD ka qenë e papritshme në këto zgjedhje.

Ai konsideron se për një rezultat të tillë ka ndikuar rritja e partive opozitare LVV - LDK.

Mirëpo sipas tij, largimi i partive, të cilat deri më tani kanë qenë paterica të qeverive, është pjesë e shëndetshme e demokracisë.

“Kjo është pjesë e shëndetshme e demokracisë duke pasur parasysh faktin se e ka lënë jashtë një parti si AKR-ja, e cila që prej vitit 2011 ka arritur të luajë rolin e patericave të qeverisë. Kujtojmë këtu qeverinë e fundit e cila është krijuar me AKR-në dhe e cila me një fuqi shumë të vogël të elektoratit ka arritur të marrë diku 4 ose 5 ministri, duke përfshirë edhe postin e ministrit të Jashtëm. Pra kjo është mirë sa i përket demokracisë, sepse nuk do të ndërtohen më qeveri për pushtet, por në fokus do të jetë shumë më pak pushteti e shumë më shumë shteti”, ka potencuar ai.

Alija pohon se votimi me kusht, por edhe votat e diasporës mund të bëjnë shumë pak diferencë në zgjedhje nacionale, e cila do të shkonte në favor të Nismës - AKR-së e të PD-së.

“Votat me kusht luajnë rol të veçantë në garë për kryetar të komunave, jo në zgjedhje parlamentare. Ajo çfarë mund ta bëjë diferencën janë votat e diasporës, mirëpo edhe këtu duke marrë parasysh trendin e 2017-s ku trupa elektorale e diasporës në masë prej 71 për qind ka qenë votë për LVV-në, nuk besoj dhe nuk mendoj që ato vota mund të jenë në favor të Nismës, të AKR-së dhe të PD-së. Pra gjasat janë të pamundshme dhe minimale që këto vota ta bëjnë diferencën në kalimin e pragut për këtë koalicion”, ka përfunduar Alija.

Të rekomanduara