"Partitë tjera po bëjnë lojë të dyfishtë, AAK-ja do ta mbajë taksën"

Zgjedhjet 2019 September 20, 2019 - 12:41
Detajet

Kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Anton Berisha, thotë se diskutimi për taksën po vazhdon edhe në përiudhën parazgjedhore.

Berisha ka përmendur se eksponentë të PKD’së po i ndërrojnë fjalët kur po flasin për taksën me opinionin e brendshëm dhe me ndërkombëtarët.

Ai po ashtu thotë se Albin Kurti e Vjosa Osmani po përdorin terma për reciprocitet që sipas tij në praktikë s’janë asgjë vetëm se heqje e taksës 100 për qind.

Këto komente Berisha i ka bërë në profilin e tij në Facebook ku thotë se taksa është analizuar nga diplomatët si një masë ndaj Serbisë e më pas propozimi iu është dërguar ekspertëve të Ministrisë së Financave dhe pas analizave profesionale i është dërguar kryeministrit Ramush Haradinaj.

“Meqenëse, siç thotë populli, goja është prej tuli, eksponentë të PDK-së, vazhdojnë lojën e dyfishtë: për opinionin e brendshëm deklarohen se janë meritorët për vënien e taksës e për një pjesë të ndërkombëtarëve japin sinjale të heqjes së saj. Në anën tjetër, Vjosa Osmani e Albin Kurti mjegullojnë përmes termave të reciprocitetit që në praktikë s’është gjë tjetër vetëm se heqje e tarifës 100%”, ka shkruar Berisha.

Berisha ka theksuar se partia e tij do të vazhdojë ta mbajë taksën si masë mbrojtëse e Kosovës ndaj agresionit të Serbisë.

“Tash, dilema se çfarë duhet të veprohet në raport me taksën është shprehur nga subjektet PDK, LDK e VV si inferioritet i palës kosovare, që në emër të kërkesës së ndërkombëtarëve t’i bëjnë lëshim Serbisë për ta hequr taksën. AAK do të vazhdojë të mbajë taksën si masë mbrojtëse e Kosovës ndaj agresionit të Serbisë”, ka shkruar Berisha.

Të rekomanduara