"Shumica e votave të diasporës do të jenë për PDK-në"

Zgjedhjet 2019 September 19, 2019 - 14:53
DETAJET

Rezultati i zgjedhjeve të 6 tetorit pritet të jetë i ngushtë mes subjekteve politike, mirëpo një rezultat të tillë mund ta përmbysë numri i madh i votuesve që janë regjistruar nga diaspora. Kështu vlerësojnë njohës të çështjeve politike, të cilët theksojnë se favorite për të prirë me mbështetjen e mërgatës qëndron Lëvizja Vetëvendosje, shkruan gazeta "Zëri".

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar afër 42 mijë aplikacione nga diaspora për të votuar në zgjedhjet e parakohshme, që do të mbahen më 6 tetor. Mirëpo prej këtyre aplikuesve ky organ i ka shpallur të vlefshëm 35 mijë e 87 votues potencialë jashtë Kosovës, ndërsa ka refuzuar 5 mijë e 226 aplikacione për regjistrim.

Përfaqësuesi i Partisë Demokratike të Kosovës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Ilir Gashi, ka thënë për "Zërin" se ka shkuar tashmë koha kur Lëvizja Vetëvendosje i ka marrë mbi gjysmën e votave të diasporës. Ai thekson se kësaj radhe PDK-ja do të prijë si partia më e votuar nga bashkatdhetarët e Kosovës.

"Ka përfunduar ajo koha kur Vetëvendosja i ka marrë votat e diasporës kryesisht për shkak të një organizimi ndryshe që e ka bërë. Por kësaj radhe, ndryshe nga të gjitha partitë, PDK-ja ka një organizim të veçantë në diasporë dhe presim që shumica e tyre të jenë për PDK-në", ka thënë Gashi.

Ndonëse ai thekson se një pjesë e konsiderueshme e aplikacioneve mund të shpallen të pavlefshme, është tejet pozitive pjesëmarrja kaq e madhe e diasporës në zgjedhjet parlamentare të Kosovës.

"Ne kemi pranuar një numër të konsiderueshëm të aplikacioneve jashtë vendit, ky numër nuk do të thotë që do të jetë valid tërësisht, sepse do të shikohet zotësia juridike e secilit aplikacion. Ata janë qytetarë të Kosovës dhe është shumë pozitive pjesëmarrja e tyre në këto zgjedhje. Por presim që të gjithë ata të cilët kanë aplikuar edhe të votojnë", ka deklaruar Gashi./ZERI

Të rekomanduara