Diaspora, përcaktuese e fituesit në zgjedhjet e 6 tetorit
Foto: Laura Hasani

Diaspora, përcaktuese e fituesit në zgjedhjet e 6 tetorit

Zgjedhjet 2019 September 19, 2019 - 07:57
Detajet
Image

Rezultati i zgjedhjeve të 6 tetorit pritet të jetë i ngushtë mes subjekteve politike, mirëpo një rezultat të tillë mund ta përmbysë numri i madh i votuesve që janë regjistruar nga diaspora. Kështu vlerësojnë njohës të çështjeve politike, të cilët theksojnë se favorite për të prirë me mbështetjen e mërgatës qëndron Lëvizja Vetëvendosje, shkruan gazeta "Zëri".

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar afër 42 mijë aplikacione nga diaspora për të votuar në zgjedhjet e parakohshme, që do të mbahen më 6 tetor. Mirëpo prej këtyre aplikuesve ky organ i ka shpallur të vlefshëm 35 mijë e 87 votues potencialë jashtë Kosovës, ndërsa ka refuzuar 5 mijë e 226 aplikacione për regjistrim.

Në mbledhjen e mbajtur gjatë ditës së djeshme KQZ-ja gjithashtu ka njoftuar se janë rreth 1669 votues jashtë Kosovës, të cilët janë në listë, por për shkak të skadimit të dokumentit në vendvotim do të dërgojnë një dokument tjetër me afat.

Ndryshe nga këto zgjedhje, në ato të kaluarat nga diaspora kanë votuar rreth 15 mijë aplikues.

Kësisoj një numër kaq i madh i aplikuesve për të votuar në zgjedhjet e 6 tetorit po shihet si pozitiv nga njohësit e rrethanave politike në vend. Ata theksojnë se në këtë mënyrë angazhimi i diasporës mund të jetë shtetndërtues e madje përcaktues për fituesin e këtyre zgjedhjeve.

Rrustemi: Votat e diasporës do ta thellojnë fitoren e LVV-së

Adnan Rrustemi, përfaqësues i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, është shprehur për "Zërin" se Vetëvendosja do të dalë fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit dhe votat e diasporës do ta thellojnë rezultatin e saj. "Lëvizja Vetëvendosje vazhdimisht ka pasur një mbështetje të madhe të bashkatdhetarëve, kjo u dëshmua edhe në zgjedhjet e kaluara të 2017-s. Presim që një mbështetje e tillë, e madhe, të jepet prapë dhe jo vetëm përmes votimit të atyre që janë regjistruar, por edhe prej atyre që tashmë kanë vendosur të vijnë nga mërgata për të votuar fizikisht në Kosovë për Lëvizjen dhe për ndryshimin e madh. Vetëvendosja do të dalë fituese nga këto zgjedhje me votat e vendit, ndërsa me votat e mërgatës do ta bëjmë diferencën në rezultat", ka thënë Rrustemi.

Ndonëse në zgjedhjet e kaluara Lëvizja Vetëvendosje pati marrë 71% të votave të diasporës, asokohe pjesë e saj kanë qenë edhe 12 ish-deputetë të votuar po ashtu shumë nga mërgata, të cilët i janë bashkuar Partisë Socialdemokrate pas zgjedhjeve të 2017-s. Mirëpo për Vetëvendosjen një gjë e tillë nuk do të krijojë probleme e as nuk do ta penalizojë partinë që të kryesojë përsëri me votat e diasporës. "Ajo që ka ndodhur me 12 deputetët e dalë nga Vetëvendosja ka qenë një aksident, që tashmë i përket së shkuarës, madje është harruar. Ata nuk kanë kurrfarë ndikimi në asnjë aspekt kur bëhet fjalë për Lëvizjen Vetëvendosje e aq më tepër në mbështetjen e mërgatës", ka deklaruar Rrustemi.

Më tutje ai shtoi se ndonëse numri i aplikuesve nga diaspora për të votuar është shumë më i madh sesa në zgjedhjet e kaluara, prapëseprapë vazhdon të jetë i vogël në krahasim me numrin e madh të bashkatdhetarëve që jetojnë jashtë vendit.

Gashi: Shumica e votave të diasporës do të jenë për PDK-në

Përfaqësuesi i Partisë Demokratike të Kosovës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Ilir Gashi, ka thënë për "Zërin" se ka shkuar tashmë koha kur Lëvizja Vetëvendosje i ka marrë mbi gjysmën e votave të diasporës. Ai thekson se kësaj radhe PDK-ja do të prijë si partia më e votuar nga bashkatdhetarët e Kosovës. "Ka përfunduar ajo koha kur Vetëvendosja i ka marrë votat e diasporës kryesisht për shkak të një organizimi ndryshe që e ka bërë. Por kësaj radhe, ndryshe nga të gjitha partitë, PDK-ja ka një organizim të veçantë në diasporë dhe presim që shumica e tyre të jenë për PDK-në", ka thënë Gashi.

Ndonëse ai thekson se një pjesë e konsiderueshme e aplikacioneve mund të shpallen të pavlefshme, është tejet pozitive pjesëmarrja kaq e madhe e diasporës në zgjedhjet parlamentare të Kosovës. "Ne kemi pranuar një numër të konsiderueshëm të aplikacioneve jashtë vendit, ky numër nuk do të thotë që do të jetë valid tërësisht, sepse do të shikohet zotësia juridike e secilit aplikacion. Ata janë qytetarë të Kosovës dhe është shumë pozitive pjesëmarrja e tyre në këto zgjedhje. Por presim që të gjithë ata të cilët kanë aplikuar edhe të votojnë", ka deklaruar Gashi.

Alija: Vetëvendosja do të kryesojë përsëri me votat e diasporës

Njohësi i çështjeve politike në vend, Rasim Alija, ka thënë për gazetën se në bazë të praktikave të mëhershme, por edhe në punën e Lëvizjes Vetëvendosje me diasporën kjo parti mund ta marrë përsëri shumicën e votave të mërgimtarëve. “Që prej zgjedhjeve të vitit 2014 LVV-ja ka marrë shumicën e votave nga diaspora. Këtij fakti ia shtojmë edhe punën me diasporën që e ka bërë Vetëvendosja në terren, atëherë pritet që shumica e këtyre votave të jenë për këtë subjekt. Kjo mund të konfirmohet edhe nga sjellja e votuesve, duke qenë se procesi i votimit nga jashtë është goxha i komplikuar dhe numri i aplikimeve nga diaspora është dyfishuar. Ky entuziazëm nuk është votë për subjektet në pushtet, por është votë për partitë opozitare e në masë të madhe për LVV-në”, ka potencuar ai.

Alija thotë se numri kaq i madh i aplikuesve nga mërgata mund ta përcaktojë fituesin, duke qenë se në zgjedhjet e 6 tetorit pritet të jetë një garë e ngushtë. “Nëse numri prej 42000 aplikimeve do të jetë në rregull dhe do të jenë pallogaritura edhe aplikimet e serbëve nga Kosova, kjo i bie 6% e trupës elektorale. I bie një subjekt politik me 6 ose 7 deputetë. Kjo do të thotë që gara për fituesin e zgjedhjeve tashmë ka marrë fund”, ka shtuar ai./ZERI

Të rekomanduara