Sejdiu: S’kemi vijë të kuqe për LVV-në, nuk e kemi armik

Sejdiu: S’kemi vijë të kuqe për LVV-në, nuk e kemi armik

Zgjedhjet 2019 September 18, 2019 - 07:51
Detajet
Image

Zyrtari i lartë i PSD-së, Dardan Sejdiu, gjatë një interviste për “Zërin” ka adresuar kritika të shumta kundrejt ish-partisë së tij - Lëvizjes Vetëvendosje, mirëpo nuk e ka përjashtuar mundësinë e lidhjes së një koalicioni paszgjedhor me këtë parti. Sejdiu ka thënë se ndonëse kanë mospajtime me LVV-në, ata nuk i cilësojnë si armiq, shkruan sot Gazeta 'Zëri'. 

Ish-shefi i Grupit Parlamentar i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Sejdiu, ndonëse ka adresuar kritika të shumta kundrejt ish-partisë së tij - Lëvizjes Vetëvendosje, gjatë një interviste për “Zërin” nuk e ka përjashtuar mundësinë të bashkëpunojë po me këtë parti pas zgjedhjeve të 6 tetorit.

LEXO EDHE: Skenarët që prodhon përfshirja e fuqive të mëdha në dialog

Sejdiu ka potencuar se PSD-ja vijë të kuqe ka vetëm për PDK-në e Kadri Veselit, parti kjo e cila është përgjegjëse për gjithë katrahurën e krijuar në vend pas vitit 2001.

Prandaj si rrjedhojë, sipas Sejdiut, në këto zgjedhje PDK-ja duhet të marrë biletën për në opozitë.

Në anën tjetër zyrtari i PSD-së gjatë kësaj interviste ka theksuar se Kosovës i nevojitet një qeveri e re, e cila është në gjendje t’u bëjë ballë proceseve, të cilat e presin Kosovën si në rrafshin ndërkombëtar, ashtu edhe në atë vendor.

Në krye me Ramush Haradinajn si kryeministër, Sejdiu ka thënë se partia e tij është e gatshme të ballafaqohet me vështirësitë që e presin Kosovën, me theks të veçantë te dialogu me Serbinë.

Haradinaj është dëshmuar politikisht në mandatin e tij

Zëri: Vendi është në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, sa është PSD-ja e gatshme për këto zgjedhje?

Sejdiu:
Koalicionin tonë me AAK-në dhe orvatjen tonë që të ofrojmë një koalicion fitues, një formulë fituese e kemi bazuar në disa elemente. E para ka të bëjë me programin qeverisës dhe me çështjet që mendojmë se duhet trajtuar në Kosovë nga qeverisja e ardhshme. E dyta, që është e rëndësishme, është një ekip i cili është i kompletuar dhe ka guxim, dije e përkushtim. E treta, është vendosmëria e duhur nga i nominuari për kryeministër z. Haradinaj, i cili është dëshmuar në periudhën e kaluar karshi Serbisë. Neve na pret një situatë e vështirë pas zgjedhjeve, vazhdimi i dialogut me Serbinë dhe marrëveshja përfundimtare me të cilën duhet të ndodhë njohja reciproke në mes të dyja vendeve. Në këtë orvatje normalisht që do të ketë presione të ndryshme, do të ketë situata të vështira, por jemi të bindur se një ekip i mirë me një plan të mirë dhe me një kryeministër të vendosur mund t'i dalë ballë kësaj sfide.

Zëri: Cili është fokusi i partisë suaj dhe cili është planprogrami qeverisës i partisë suaj?

Sejdiu:
Ne kemi paraqitur një program, i cili prek katër fusha. E para është zhvillimi ekonomik me theks të veçantë në papunësinë, në krijimin e vendeve të reja të punës dhe e dyta në luftën kundër deficitit të madh tregtar që e kemi. Pra Kosova shtatë herë më shumë importon mallra sesa eksporton, për pasojë kjo e mban ekonominë e vendit, sidomos sektorin privat dhe industrinë në ngecje. Nëse nuk e luftojmë këtë dukuri, nëse nuk fillojmë të prodhojmë diçka sigurisht që nuk do të ketë as punësim. Kështu që ne e kemi një program të qartë sa i përket zhvillimit ekonomik dhe punësimit. Tjetra, që është shumë me rëndësi, është se si i trajtojmë sigurimet shoqërore. Kosova është vendi i vetëm në Evropë që nuk ka ligj për sigurime shoqërore, pra një ligj që e mbron punëtorin dhe ne me ligjin tonë, të cilin do ta propozojmë për sigurime shoqërore trajtojmë një pension minimal të garantuar, trajtojmë mbrojtjen nga papunësia, çështjen e sigurimit shëndetësor, shtesat për fëmijë etj. E treta ka të bëjë me qeverisjen e mirë. Unë po shoh shumë liderë të cilët po dalin me formula të ndryshme, që fatkeqësisht po i nxjerrin nga “Google” dhe nuk po merren fare me esencën e problemit. Hiç më larg se të hënën një kandidat për kryeministër shpalosi katër R-jat për një sistem më të mirë të drejtësisë.

Kurti po flet me terme të “Google”-it, pa analizë

Zëri: Po flisni për z. Albin Kurtin?

Sejdiu:
Po. Nëse e shkruani në “Google” se cilat janë katër fundamentet e sistemit gjyqësor të dalin ato katër fjalë. Pra një kandidat për kryeministër të dalë në intervistë e të flasë me terma të “Google”-it pa analizë fare të sektorit të gjyqësorit është për keqardhje. Po besoj se nuk vazhdon me këto gabime të njëpasnjëshme sikur ajo për emërimin e kryeprokurorit nga vetë kryeministri, nëse ai do të ishte në këtë pozitë.

Zëri: Si do të veprojë PSD-ja ndaj dialogut me Serbinë në rast se vjen në pushtet? A duhet ta marrë Qeveria rolin udhëheqës?

Sejdiu:
Është hera e parë që Kosova shkon në dialog me Serbinë me platformë të shkruar e të miratuar nga Kuvendi. Në platformë është e qartë se po dialogojmë me Serbinë për të gjitha ose për asgjë, ose do të kemi njohje reciproke, ose nuk do të ulemi fare në tavolinë. Nëse synimi i Serbisë është të vazhdojë me këtë ide si ka bërë në këto 10 vjetët e fundit që të merremi vesh për gjëra e të mos merremi vesh për njohjen reciproke, atëherë nuk kemi çfarë të dialogojmë. E dyta, besoj se për dialog me Serbinë ne duhet të bëhemi bashkë, nuk ka kuptim ta përdorim Serbinë për goditje politike. Ne si PSD kemi pasur guximin të hyjmë në këtë betejë duke e ditur që do të na kushtojë sa i përket perceptimit publik dhe votës përfundimisht. E kemi pasur këtë rrezik, por karshi këtij rreziku dhe rrezikut që kanosej me ndarje, sigurisht që ne marrim përgjegjësi e futemi në ekip e shkruajmë një platformë dhe e mbrojmë atë pozicion. Kjo do të jetë pra edhe rruga në të ardhmen, konsensus i gjithmbarshëm për një marrëveshje finale, e cila sjell njohjen si hap i parë, më pastaj mund të flasim për të tjerat.

Zëri: Keni lidhur një koalicion me partinë, e cila ishte pjesë e qeverisë së kaluar. Për këtë parti ju si PSD keni pasur kritika të ashpra sa ishit në opozitë. A nënkupton kjo që ato kritika nuk ishin të drejta apo frika se nuk mund ta kaloni pragun ju ka shtyrë të bashkëpunoni me AAK-në?

Sejdiu: E para, në politikë duhet të kuptohet që nuk ka armiqësi, ka kundërshti. Pra në Kosovë jemi duke vuajtur nga ky diskutimi armiqësor mes subjekteve politike, ky është problem në demokraci. E dyta, në politikë në zgjedhje dhe parazgjedhjeve diskutimet për koalicionet duhet të jenë programore e jo të pozitave. Unë jam kritikuesi më i madh i qeverisë së kaluar dhe i të gjitha qeverive sa i përket modelit ekonomik, por në marrëveshje dhe në program i kemi futur të gjitha pikat që ne besojmë se janë të rëndësishme për zhvillim të vendit. Pra kemi marrëveshje programore me z. Haradinajn dhe me AAK-në e besojmë se kombinimi ynë i trajton dhe mund t’i trajtojë dy temat e mëdha, dialogun dhe ndërrimin e modelit ekonomik e mendësinë ekonomike. Këto të dyja i kemi shkrirë në njëra-tjetrën, kemi ndërtuar një program dhe e kemi prezantuar atë. Madje jemi i vetmi grup politik në vend, i cili ka treguar me kohë si duket ekipi, kush është kandidati dhe cili është programi e synimet tona dhe besoj se këtë guxim për të marrë veprime e kemi treguar vetëm ne.

Zëri: A i keni shkrirë së bashku me programet qeveritare edhe akuzat që i keni pasur për z. Haradinajn?

Sejdiu:
Por cilën akuzë, se akuza është fjalë e madhe?

Zëri: E keni quajtur z. Haradinajn person të haraçit. A janë shkrirë edhe këto, a janë lënë pas?

Sejdiu:
Këto i ka shkrirë Albin Kurti në vitin 2014 kur e ka bërë VLAN-in dhe ka insistuar që Ramush Haradinaj të jetë kandidati për kryeministër. Pra këtë pyetje Albinit nuk ia keni bërë. Unë edhe një herë po e them, politika nuk është armiqësi, por është kundërshti. Ai që nuk ka guxim të veprojë e të bëjë kompromise, ai nuk duhet të jetë në politikë.

PDK-ja duhet ta marrë biletën për opozitë

Zëri: Për kë ka vija të kuqe PSD-ja, me kë nuk bashkëpunon?

Sejdiu: Ne jemi të bindur që ata të cilët kanë udhëhequr me Republikën e Kosovës që nga viti 2001 duhet të qëndrojnë në opozitë. Unë i dëgjoj nga PDK-ja që shpesh thonë se ne kemi qenë vetëm qe 8 vjet, por në vitin 2001 i ndjeri Bajram Rexhepi ka qenë kryeministër. Kështu që ne prej vitit 2001 deri më sot e kemi një lloj mendësie qeverisëse e rezultatet po i shohim. A kanë të gjithë përgjegjësi? Po, kanë të gjithë, por dikush ka më së shumti dhe ai duhet ta marrë biletën për opozitë dhe besoj që PDK-ja është ky subjekt dhe jo për faktin që është PDK, por për faktin se si ka qeverisur dhe ka menaxhuar me resurset e vendit. Pra duhet ta ndërrojmë këtë model e ky model nuk ndërrohet me njerëzit e njëjtë. Këtu përgjegjësi ka edhe LDK-ja, meqë ka qenë në shumicën e viteve me ta. Unë jam i interesuar që të ndërrojmë modelin ekonomik dhe të ndërtojmë ekipe të cilat e kanë guximin të veprojnë.

Zëri: A nuk po e përmendni te vijat e kuqe edhe ish-partinë tuaj, pra LVV-në?

Sejdiu: Jo unë nuk përmend. Unë nuk i konsideroj ata armiq. E kuptoj që ata mua më konsiderojnë armik dhe e kanë dëshmuar këtë tash e dy vjet. Domethënë prej akuzave më të këqija e më të poshtra deri te “bullizmi”, që e bëjnë në mënyra të ndryshme. Por kjo është logjikë jashtëzakonisht problematike dhe është njëra prej arsyeve pse më nuk jam aty, por unë nuk i konsideroj armiq ata. Unë nuk e konsideroj askënd në politikë armik. Kam kundërshtime në metodën e punës dhe të organizimit, por besoj që botëkuptimet i kemi deri diku të ngjashme. Metoda e linçimit e “bullizimit”, e armiqësimit me njerëzit, ku Dardani është tradhtar, por ky tjetri që është afër tij është i mirë besoj se është problematike, por ne nuk kemi vija të kuqe për Vetëvendosjen. Bile unë kam qenë njëri prej atyre që ka folur për një koalicion të majtë. Por ata kanë qenë të interesuar për LDK-në.

Të rekomanduara