Manaj i LDK-së: Lufta kundër korrupsionit s’bëhet me ture elektorale

Manaj i LDK-së: Lufta kundër korrupsionit s’bëhet me ture elektorale

Zgjedhjet 2019 September 12, 2019 - 21:49
Detajet

Shkëmb Manaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se kjo parti e ka shtyllë kryesore luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe nepotizmit, prandaj edhe do t’i qaset shumë seriozisht kësaj çështje.

“LDK në programin e saj qeverisës për qeverinë e ardhshme të Kosovës shtyllë kryesore e ka sundimin e ligjit dhe luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe nepotizmit”.

“Tash e 20 vjet është shqetësim i qytetarëve të Kosovës që këto fenomene negative në shoqërinë tonë – korrupsioni, krimi i organizuar dhe nepotizmi – janë bërë pjesë e pandashme e institucioneve të Kosovës. Posaçërisht, këto dy vjetët e fundit ka pasë rritje të trendit të korrupsionit dhe krimit të organizuar”.

“LDK në programin e saj është e përkushtuar që t’i qaset me seriozitet luftës kundër këtyre fenomeneve negative”.

Manaj në Klan Kosova ka thënë se “lufta kundër korrupsionit nuk bëhet me ture elektorale”.

“Lufta kundër korrupsionit nuk është momentale, por është luftë e përhershme që duhet të zhvillohet duke avancuar institucionet e drejtësisë dhe sigurisë, si dhe duke i fuqizuar institucionet e pavarura kushtetuese”.

“LDK në qeverisjen e Isa Mustafës e ka pasë një qasje të përgjegjshme ndaj institucioneve të drejtësisë dhe atyre të pavarura kushtetuese. Në asnjë rast, njerëzit dhe funksionarët e LDK-së, qoftë në institucione ose në parti, nuk kanë kanë ndërhyrë në punën e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe atyre të drejtësisë dhe sigurisë”.

“Duke qenë kështu, jemi të vendosur që kandidatja jonë për kryeministre Vjosa Osmani dhe lista kandiduese e LDK-së të punojnë dhe me ngulm të luftojnë këto dukuri negative”.

“Njerëzit e partive politike dhe grupeve brenda këtyre partive që kanë ndërhyrë në institucionet e pavarura të drejtësisë dhe sigurisë, tash e 20 vjet me radhë, nuk mund ta luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar sepse janë pikërisht këto parti që e kanë instaluar krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjitha nivelet e institucioneve në Kosovë”

Të rekomanduara