Osmani: 7 tetori Kosovën e gjen në rrugë të re, gratë do ta sjellin paqen në Ballkan

Osmani: 7 tetori Kosovën e gjen në rrugë të re, gratë do ta sjellin paqen në Ballkan

Zgjedhjet 2019 shtator 12, 2019 - 18:28
Detajet

Kandidatja e LDK-së për Kryeministre, Vjosa Osmani, ka thënë se pas zgjedhjeve të 6 tetorit, Kosova do të gjendet në një rrugë të re, pasi është e bindur se do ta marrë timonin e drejtimit të Qeverisë së Kosovës.

Osmani sot në takimin e mbajtur me strukturat e Forumit të Gruas të subjektit që përfaqëson, deklaroi se tani është koha që gratë të sjellin paqen në Ballkan dhe për ata që dyshojnë në lidershipin e saj, tha se harrojnë që ka përballë, Kryetaren e Forumit të Gruas së Partive Popullore Europiane, Doris Pack.

”E nderuara Doris Pack dhe të nderuara gra, faleminderit për besimin tuaj ndaj presidentit Ibrahim Rugova, faleminderit për ngritjen e gjeneratave të reja dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm”.

”Jam jashtëzakonisht e lumtur që ndodhem sot këtu, për të marrë energji, inspirim nga secila prej jush. Për rrugën që kemi nisur bashkë në emër të çdo njërës nga ju dhe të gjitha atyre zonjave, nënave në Kosovë që iu është realizuar një pjesë e ëndrrës së tyre që gruaja kosovare ta udhëheq shtetin më të ri në Europë, Kosovën tonë”.

”Me respekt të thellë, sot kujtojmë edhe ato gratë që vunë gurë themelesh në ndërtimin e këtij shteti. Me theks të veçantë sot mburremi  me gratë që gjatë viteve ‘90-ta u bashkuan me Lëvizjen për Liri Bashkim e Pavarësi, me presidentin Ibrahim Rugova. Sot nga LDK ato gra i shohim me përkushtim të punës së tyre në ndërtimin e shtetit të Kosovës”.

”Oponentët thonë se një grua nuk mund të ja dalë. Harrojnë se kam para vetes Doris Pack, harrojnë oponentët që kam para vetes gruan që dha gjithçka Nekibe Kelmendin. Nga këtu bashkë me ju sot u themi të gjithë atyre që shprehin dyshime për lidershipin tim. Sot burrni quhet të mendosh për shtetin tënd, burrni është të mendosh për familjen, burrni është përpiqesh për edukimin sa më të mirë për familjen, sot burrni është mbështetja që jep secili burrë ndaj gruas së tij, sot burrni është çdo liri për pavarësi ashtu siç po punon LDK-ja”.

Pretendentja për të marrë postin e Kryeministres së Kosovës, Vjosa Osmani shpalosi po ashtu edhe disa nga pikat kryesore që ajo ka në programin e saj qeverisës, duke përmendur angazhimet për familje më të shëndoshë, njofton Klan Kosova.

”E di që vullnet i secilës prej jush është që Kosova të jetë shtet për së mbari, prandaj edhe në qendër të programit tim qeverisës kemi vendosur familjen – vlerat e familjes, sepse familja është jo vetëm shtylla e shoqërisë por shtylla e shtetit prandaj kemi planifikuar blerjen e banesave për qiftet e reja, kemi planifikuar që nënave dhe foshnjave në vitin e parë, tua bëjmë mbështetjen financiare më të lehtë”.

”Të gjitha këto me një qëllim që t’i japim vendit jetë dhe familje të shëndoshë. Ne sot kërkojmë nga ju që të ecni bashkë në këtë rrugëtim. Të gjithë e dinë se ekziston vetëm një person që e lufton korrupsionin vërtetë, dhe nuk është kandidati por kandidatja – nuk është kryeministri por kryeministrja. Dhe e dini të gjithë ju gra të dashura se gratë e luftojnë korrupsionin sepse ato nuk korruptohen”.

”Askush më mirë se LDK nuk e kupton se sa i rëndësishëm është partneriteti ynë ndërkombëtar sepse e kemi thënë bashkë me Doris Pack në vitet ’90-ta se shtëpia nuk mbahet pa miq. Gratë janë ato që do ta sjellin paqen në Ballkan. Të nderuara gra, burra, të rinj e të reja, vendi ynë është në prag të kthesës së madhe. Ju them me bindje të plotë dhe zemrën plot se 7 tetori në mëngjes do ta gjejë vendin me një rrugë të re”.