OSBE-ja me rol këshillues në zgjedhje

OSBE-ja me rol këshillues në zgjedhje

Zgjedhjet 2019 shtator 11, 2019 - 14:04
Detajet

Dhjetëra-mija vëzhgues e komisionarë pritet të angazhohen në zgjedhjet e 6 tetorit, në mënyrë që të parandalohet manipulimi i votave. Përpos vëzhguesve të partive politike dhe organizatave joqeveritare, gjatë zgjedhjeve nacionale pritet që në Kosovë të qëndrojë edhe një mision vëzhgues nga BE-ja, shkruan Gazeta "Zëri". 

Misioni i OSBE-së në Kosovë nuk pritet ta vëzhgojë procesin zgjedhor në Kosovë, porse do të ofrojë këshilla teknike për komisionet komunale të zgjedhjeve.

“Në pajtim me kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Misioni i OSBE-së në Kosovë do të ofrojë këshilla teknike për komisionet komunale të zgjedhjeve dhe do t’u ofrojë mbështetje teknike në ditën e zgjedhjeve këshillave të vendvotimeve në katër komunat veriore. OSBE-ja nuk është vëzhgues i zgjedhjeve, por ndihmës teknik, pra ka një rol teknik konsultativ, ashtu siç është kërkuar nga KQZ-ja”, thuhet në përgjigjen e zyrës për informim të OSBE-së dhënë “Zërit”.

Misioni i OSBE-së, siç është bërë e ditur më tej, do ta angazhojë personelin e tij zgjedhor në komisionet komunale të zgjedhjeve.

“Stafi ynë do të marrë pjesë rregullisht në takimet dhe në aktivitetet e katër KKZ-ve dhe do të ofrojë këshilla aty për aty lidhur me rregullat dhe rregulloret mbi punën e KKZ-ve. Praktikisht personeli ynë do të jetë i pranishëm dhe do të ofrojë këshilla përderisa KKZ-të i kryejnë aktivitetet e tyre”, është potencuar më tutje në përgjigje.  /ZERI