Dorëhiqet Zoran Zaev-i, kryeministër i Maqedonisë së Veriut

Dorëhiqet Zoran Zaev-i, kryeministër i Maqedonisë së Veriut

Zgjedhjet 2017 October 18, 2019 - 14:39
Detajet

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka dhënë dorëheqjen. Të paktën kështu njofton agjensia italiane e lajmeve Ansa.

Dorëheqja vjen pasi vendet anëtare të BE-së nuk arritën marrëveshje për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërisë.

Nga Shkupi ende nuk ka konfirmim zyrtar. Edhe mediat maqedonase nuk kanë asnjë njoftim për këtë çështje.

Këshilli Europian nuk arriti një vendim në favor të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për hapjen e bisedimeve për anëtarësim: kjo u bë e ditur nga Komisioneri për Zgjerimin Johannes Hahn, përmes një postimi në Twitter. “Udhëheqësit e vendeve anëtare të Bashkimit europian dështuan të ishin në lartësinë e angazhimit të tyre për të hapur bisedimet e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, në mbledhjen e Këshillit Europian”, shkroi Hahn, duke folur për një “zhgënjim ekstrem”. Sipas tij “Shtetet anëtare të BE-së duhet të sqarojnë se sa serioz është angazhimi i tyre për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE”.

Komisioneri Hahn përsëriti deklaratat e tij të pak ditëve më parë pas mbledhjes së ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare, duke nënvizuar se “ky nuk është një moment lavdie për BE-në. Refuzimi për të njohur përparimin e faktuar, do të ketë pasoja negative, përfshirë rrezikun e destabilizimit të Ballkanit Perëndimor, me ndikim të plotë në BE”.

Komisioneri për Zgjerimin shkruan se “është përgjegjësia jonë tani të qëndrojmë me vendet, qytetarët e të cilëve janë me të drejtë, tejet të zhgënjyer. Integrimi në BE i Ballkanit Perëndimor është dhe mbetet një politikë e rëndësishme strategjike, në interesin tonë të ndërsjellë.

Vendimi për hapjen e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut u diskutua gjatë në dy ditët e mbledhjes së Këshillit Europian, por Presidenti francez Emmanuel Macron, nuk u tërhoq nga qëndrimi i tij i prerë, ndonëse shumica dërrmuese e vendeve anëtare, me Gjermaninë në krye ishin për t’i thënë “Po” të dy vendeve qoftë edhe me kushte. / Opinion.alImage