Bekim Jashari nis fushatën, ky është premtimi i tij

Zgjedhjet 2017 September 21, 2017 - 12:48

Bekim Jashari, djali i heroit Hamëz Jasharit e ka filluar zyrtarisht fushatën elektorale për kryetar të Komunës së Skenderajt.

Jashari përmes një shkrimi në llogarinë e tij në “Facebook” ka premtuar prosperitet për këtë komunë.

“Për të arritur këtë qëllim madhor në Komunën tonë, nga dita kur i hyra kësaj gare për Kryetar të Komunës së Skenderajt, fillova edhe me turneun “Bekimi n’oda”, përmes së cilës jam munduar të dëgjoj dhe të komunikoj me të gjithë qytetarët komunës sonë, për të dëgjuar për së afërmi nevojat dhe idetë e juaja në përmirësimin e përgjithshëm të mirqënjes suaj dhe jetës në komunën tonë”, ka shkruar ai, përcjell lajmi.net.

Ky është shkrimi i plotë i Bekim Jasharit:

Të dashur qytetarë të Skenderajt,

Kam kënaqësinë e veçantë që sot të ju drejtohem si kandidat i pavarur për të qeverisur bashkë me juve komunën tonë të dashur.

Siç edhe jeni në dijeni, sot edhe zyrtarisht filloj fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale në Republikën e Kosovës – andaj urime të gjithëve.

Unë Bekim Jashari, qytetar i Komunës së Skenderajt, duke vlerësuar nevojën e theksuar për ndryshime pozitive në komunën tonë dhe duke ju përgjigjur kërkesave tuaja të adresuara në forma dhe raste të ndryshme – vendosa që të kandidoj si Kandidat i Pavarur për Kryetar të Skenderajt, në Zgjedhjet Lokale 2017.

Po e filloj këtë adresim me një thënje të njohur të Presidentit Amerikan Woodroë Wilson se “Prosperiteti është domosdoshmërisht tema e parë e një fushate politike”. Jo rastësisht po e citoj këtë thënie, pasi që vendit, tani më shumë se kurrë i duhet një prosperitet i mirëfillët.

Për të arritur këtë qëllim madhor në Komunën tonë, nga dita kur i hyra kësaj gare për Kryetar të Komunës së Skenderajt, fillova edhe me turneun “Bekimi n’oda”, përmes së cilës jam munduar të dëgjoj dhe të komunikoj me të gjithë qytetarët komunës sonë, për të dëgjuar për së afërmi nevojat dhe idetë e juaja në përmirësimin e përgjithshëm të mirqënjes suaj dhe jetës në komunën tonë.

Ne do takohemi shpesh këto ditë, ku edhe do ju prezantoj me Programin e Qeverisjës, që kryesisht konsiston në prosperitet të sundimit të ligjit, zhvillimit ekonomik, arsimit, kulturës, sportit, turizmit, shëndetësisë, mirëqenies sociale dhe fuqizimit të rinisë.

Pra, me një fjalë, ky program synon të trajtoj çdo sferë të ndjeshme të jetës sonë të përbashkët në Komunën e Skënderajt.

Me mua Kryetar, Komuna e Skenderajt do të qeveriset mbi bazën e parimeve për llogaridhënie dhe transparence – për këtë ju siguroj.

Duke kujtuar sakrificën tonë të përbashkët dhe duke çmuar kërkesat e juaja të dashur qytetarë, që unë të garojë në këto zgjedhje si Kanidat i Pavarur – më keni bërë të mendohem se vendi jonë meriton më shumë.

Është përgjegjësi, privilegj dhe nderë i madh kur populli yt të beson të sotmen dhe të ardhmen, për këtë do të ju bëj krenarë të dashur bashkqytetarë.

BASHKË

PËR SKENDERAJN

TONË

Na priftë e mbara dhe dalshim faqebardhë.

Sinqerisht,

I juaji

Bekim Hamëz Jashari