Mbajtja e zgjedhjeve lokale dhe atyre nacionale në të njëjtën kohë, e pamundur

Zgjedhjet 2017 August 30, 2017 - 15:34

Zgjedhjet e rregullta lokale dhe ato të jashtëzakonshme nacionale ka pak gjasa të ndodh që të mbahen në të njëjtën kohë.

Edhe pse në teori ka mundësi për një gjë të tillë, praktikisht është e vështirë të ndodh .

Janë bërë afër një muaj që kur është mbajtur seanca e parë konstituive e Kuvendit, ende nuk është arritur të bëhet konstituimi i legjislaturës së re, për shkak se koalicioni PDK-AAK-Nisma, nuk po arrin të sigurojë numrin e nevojshëm të votave 61, për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit.

Për kalimin e kësaj krize, si mundësi janë përmendur edhe zgjedhjet e reja nacionale, madje nuk është përjashtuar mundësia që ato të mbahen më 22 tetor, së bashku me zgjedhjet e rregullta lokale, shkruan lajmi.net.

Por, për përfaqësuesit e shoqërisë civile një gjë e tillë ka pak gjasa të ndodh, madje ata bëjnë thirrje që kjo të shmanget.

Që zgjedhjet lokale dhe ato nacionale të mbahen në të njëjtën ditë, duhet që zgjedhjet parlamentare të shpallen më 12 shtator.

Valmir Isamili nga Demokraci Plus, thotë për lajmi.net  se ka pak gjasa që të mbahen dy palë zgjedhjet në të njëjtën kohë.

Sipas tij, njëra ndër arsyet që pamundëson mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare me ato lokale është se për tu shpërndarë Kuvendi, ai duhet të jetë i konstituuar.

“Edhe pse në teori akoma ekziston mundësia që të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme nacionale bashkë me të rregullat lokale, në praktikë një gjë e tillë është shumë e vështirë. Për t’u shpërndarë Kuvendi së pari ai duhet të jetë i konstituuar. Pra duhet një marrëveshje politike ndërmjet subjekteve politike për të konstituuar fillimisht këtë Kuvend dhe pastaj i njëjti të shpërndahej dhe pastaj Presidenti i vendit të shpallte zgjedhjet”, thotë Ismaili.

Sipas tij, në këtë situatë është vështirë të besohet për ndonjë marrëveshje mes partive politike, përveç nëse faktori ndërkombëtar ndërhynë dhe bëhet garantues i çfarë do marrëveshje që arrihet nga paritë politike.

Organizmi i zgjedhjeve lokale dhe atyre nacionale në të njëjtën kohë është mbajtur edhe në vitin 2007, ndërsa sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, një proces i tillë do të krijonte konfuzion tek votuesit dhe do të ishte një ngarkesë e madhe për KQZ-në, institucion ky përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve në Kosovë.

“KQZ do të përballej me sfida të afateve kohore dhe si rrjedhojë shumë prej operacioneve dhe shërbimeve të ofruara nga KQZ nuk do të mund të ishin të nivelit të lartë. Në anën tjetër, qytetarët në ditën e zgjedhjeve do të kishin tri (3) fletëvotime në duar e tyre (Kuvend, Kryetar dhe Asamble Komunale) gjë që potencialisht do të ndikonte në rritjen e numrit të fletëvotimeve të paflevshme”, vlerëson Ismaili, nga Demokraci Plus.

Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), thotë se mësimet e nxjerra nga 2007 tregojnë se mbajtja e dy palë zgjedhjeve paraqet problem edhe për KQZ-në, por edhe për votuesit.

Ai për lajmi.net ka thënë se një gjë e tillë do të sillte më shumë dëme se sa dobi, duke bërë thirrje që një gjë e tillë të shmanget.

“Mbajtja e zgjedhjeve parlamentare dhe atyre lokale në të njëjtën ditë nuk është diçka e pa mundur dhe diçka e re për Kosovën, pasi edhe në vitin 2007 janë mbajtur njëkohësisht”.

“As tash nuk ka pengesa ligjore që të mbahen njëkohësisht, mirëpo mësimet e nxjerr ana procesi zgjedhor i vitit 2007, kanë qenë që krijohet shumë konfuzion në mesin e votuesve, partitë politike nuk kanë kuadro të mjaftueshme për të garuar në të dy frontet, nuk shpalosen mirë programet politike dhe kandidatët, KQZ është më e kufizuar për të administruar zgjedhjet, zvarritet procesi i numërimit dhe certifikimit të rezultateve. Prandaj, dëmet janë më të mëdha sesa dobitë dhe duhet evituar me çdo kusht”, ka thënë Krasniqi për lajmi.net.

Ndërsa, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka deklaruar se ata janë të gatshëm për organizimin e dy palë zgjedhjeve në të njëjtën kohë, nëse u kërkohet një gjë e tillë.

KQZ, ende nuk ka siguruar buxhetin e mjaftueshëm për zgjedhjet lokale të 22 tetorit, pasi i mungojnë afër 2 milionë euro./Lajmi.net/