Kurti: Do ta lejojmë shaminë në shkolla dhe në administratë (Video)

Zgjedhjet 2017 June 05, 2017 - 13:12

Albin Kurti, kandidati për kryeministër nga Vetëvendosje, në një tubim zgjedhor tha se do ta lejojë shaminë në shkolla dhe në administratë. Pos kësaj, ai mbajti “ders” se çka është Islami.

Kurti gjatë këtij fjalimi në një tubim, tha se do ta lejojë shaminë në shkolla dhe në administratë, duke shtuar se ekstremizmi islamik në Kosovë nuk është problemi kryesor.

“Prej vitit 2011 ne e kemi pasur të qartë qëndrimin tonë, që ne jemi kundër ndalimit të mbajtjes së mbulesës.. ka pasur tendenca për ta ndaluar këtë, ne jemi kundër ndalimit, pra ne nuk do ta pengojmë një vajzë të shkollohet ose një vajzë që jep mësim në sistemin arsimor që është e mbuluar”, ka thënë Kurti, transmeton Gazeta Express.

Ai tha se Vetëvendosje beson se në “Kosovë ka një tendencë të theksuar që ekstremizmi islamik të paraqitet si problemi më i madh”.

“... nuk mendojmë që ekstremizmi islamik është problemi numër 1 në Kosovë”, ka thënë Kurti. Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, numri total i kosovarëve që kanë shkuar në Siri për të luftuar krahë grupit terrorist ISIS, është mbi 300, derisa vetëm gjatë këtij viti janë regjistruar mbi 70 që luftojnë krahë ISIS’it. /GazetaExpress/