Zërat
Abit Hoxha
Abit
Hoxha

Gjysmë e vërteta është gënjeshtra më e madhe

Zërat September 11, 2025 - 18:23

Që nga përfundimi i luftës së Kosovës në vitin 1999, propaganda serbe ka zhvilluar një fushatë sistematike dezinformimi duke krijuar dhe përhapur akuza të pambështetura për trafikim organesh nga ana e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Kjo fushatë ka pasur për qëllim diskreditimin e luftës çlirimtare të Kosovës dhe delegjitimimin e shtetësisë së Kosovës. Fatkeqësisht, pjesë e kësaj lufte janë bërë me apo pa vetëdije edhe autorë nga Kosova.

Kulminacioni i këtyre akuzave erdhi me rezolutën e sponsorizuar nga Konstantin Kosachev, përfaqësuesi i Federatës Ruse në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës në vitin 2008, së bashku me deputetë të tjerë. Ndër ta ishin figura kontroversiale si Marmazov nga Ukraina, partia e të cilit u ndalua me ligj pas përpjekjeve për t’u instaluar si pjesë e qeverisë së mbështetur nga Moska pas invazionit rus në Ukrainë, dhe deputeti britanik Mike Hancock, i cili më vonë u detyrua të japë dorëheqje për afera me spiunen ruse që përfundoi si sekretare në zyrën e tij në Britani të Madhe.

Dokumenti i Këshillit të Evropës akuzonte, ndër të tjera, udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për trafikim organesh. Media botërore raportuan gjerësisht. Kosova u stigmatizua. Kjo ishte fitore për propagandën serbe, e cila përmes disa eurodeputetëve arriti të krijonte një agjendë të re duke i shmangur akuzat për rreth 200 masakra në Kosovë.

Megjithatë, një dekadë më vonë, kur Gjykata Speciale e Kosovës ngriti aktakuzat kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit diçka e çuditshme ndodhi: aktakuzat nuk përmendnin fare trafikimin e organeve. Prokuroria, me qasje në të gjitha materialet dhe dëshmitarët, nuk gjeti asnjë provë për akuzat që kishin tronditur botën. Kjo diskrepancë zbulon një të vërtetë të hidhur: si narrativat e pabaza mund të bëhen trend akuzash politike edhe pa prova.

Akuzat për trafikim organesh nuk lindën kot. Ato janë pjesë e një modeli propagande që ka dekada. Gjatë luftërave në Bosnjë dhe Kroaci, boshnjakët dhe kroatët ishin në shenjestër të propagandës serbe, duke i paraqitur si “barbarë” dhe “të egër” – stereotipe që synojnë dehumanizimin e kundërshtarit duke i quajtur doktorët monstra të Prijedorit.

Njësoj si me akuzat për UÇK-në, në fillimvitet e viteve ‘90, në Bosnjë qarkullonte propaganda se doktorët boshnjakë sterilizojnë burrat dhe gratë serbe, shtyjnë gratë serbe në abortime të dhunshme dhe sterilizojnë foshnjet serbe. Akuza që në rastin e dëshmisë së Ivo Atlijas u ekspozuan si të rreme.

Trafikimi i organeve ishte evolucioni “modern” i kësaj propagande – një akuzë që tingëllon e tmerrshme. Edhe gjatë luftës dhe menjëherë pas saj, këto akuza kane qarkulluar deri në Kongresin e ShBA me ç´rast, gjatë prezantimit te Aktit për Autorizimet për Inteligjencë për vitin fiskal 2000, kongresmenët kërkojnë informacione nga Drejtori i Agjensionit Qendror për Inteligjencë (CIA) në formë konfidenciale dhe jokonfidenciale rreth aktiviteteve të UÇK-së.

Raporti publik i CIA, i cili gjendet në një vegëz të Politico.eu përgjigjet në këtë aspekt me: “Udhëheqja e UÇK-së nuk duket të ketë qenë e përfshirë në operacione narkotikësh për të mbështetur veprimtarinë e saj gjatë luftës. Raportimet e shtypit, me shkallë të ndryshme besueshmërie, tregojnë se disa ish-anëtarë të UÇK-së janë të përfshirë në kontrabandë narkotikësh, por ne nuk kemi informacion mbi përmasat e këtyre veprimtarive.”

Por nga vijnë këto akuza? Natyrisht, këto akuza rrjedhin nga tregime për dehumanizimin e shqiptarëve që kanë origjinën më herët, por që u materializuan në vitet e fundit.

Jana Arsovska, një autore e përfolur në Kosovë për bashkëautorësinë me Dimal Bashën, i riprodhon këto akuza të propagandës serbe në mënyrën më të ulët, duke falsifikuar burimet akademike.

Në punimin tjetër i saj autorial, “Të kuptuarit e një ‘Kulture Dhune dhe Kriminaliteti’: Kanuni i Lekë Dukagjinit dhe Ngritja e Rrjeteve Shqiptare të Skllavërisë Seksuale”, ajo citon dy burime për të konkluduar se: “Grupet etnike shqiptare të krimit të organizuar janë përfshirë gjithashtu në trafikim të drogës dhe armëve, trafikim të organeve njerëzore, shfrytëzim të prostitucionit (në shumë raste të lidhur me episode skllavërie), lehtësim të imigracionit të paligjshëm, kërcënime dhe të gjitha llojet e krimeve të pronës.”

Për këtë akuzë të rëndë në literaturën akademike, Arsovska përdor burimin e parë nga Raporti i EUROPOL-it (2005) për Krimin e Organizuar, i cili konkludon se së bashku me grupet italiane, lituane, holandeze, gjermane, polake, ruse, turke, kineze, marokane, kolumbiane dhe grupe të tjera motociklistësh nordikë, grupet shqiptare paraqesin rrezik. Ky burim përgjithëson informacionin dhe specifikon grupet, ndërsa autorja flet për krimin e organizuar shqiptar duke përfshirë kolektivisht një kategori etnike.

Për burimin e dytë, Arsovska citon “G. Prato… pp. 69-85”, duke pretenduar se këto informacione mbështesin konkludimet e saj. Megjithatë, një lexim i kujdesshëm i tërë kapitullit tregon se nuk përmban asgjë të tillë. Arsovska, mbështet citimin e saj në tëre kapitullin pa e specifikuar faqen apo informacionin. Ndërsa, kapitulli nga autorja Giuliana B. Prato përmend “trafikimi me qenie njerëzore” vetëm një herë në kapitullin e saj. Paragrafi ku kjo përmendet thotë:

“Shumë evropianë perëndimorë e lidhin lehtësisht Shqipërinë me problemet e sigurisë ndërkombëtare; kontrabandën e drogës dhe armëve; trafikimin e njerëzve, jo vetëm në kuptimin e imigracionit të paligjshëm por edhe në kuptimin e trafikimit të qenieve njerëzore, veçanërisht fëmijëve, për qëllime të ashtuquajtura ‘mjekësore’; dhe prostitucionin, në shumë raste të lidhur me episode skllavërie. Një këndvështrim i tillë kombinohet me stereotipet historike të shqiptarëve si fisnikë të zjarrtë, luftarakë, të etur për gjak, pa ligje dhe qeveri të duhur.”

Pra, Arsovska keqpërdor burimet dhe qëllimisht forcon këtë stereotip duke konkluduar me akuza. Ky është manipulim akademik i pastër, duke shpresuar se lexuesit nuk do t’i kontrollojnë burimet – mungesë e plotë e integritetit akademik ku autorja ka një narrativ për shqiptarët dhe selektivisht mundohet të gjejë burime që konfirmojnë atë narrativ. Natyrisht, autorja Arsovska përdorë edhe burime tjera për të cilat shpesh, nuk ka mundwsi verifikimi dhe disa janë burime legjitime. Ndërsa detyra e një hulumtuesi dhe autori është të ketë qasje gjithëpërfshirëse dhe të shterrojë burimet e informacionit për të krijuar argumente të bazuara në fakte.

Këto praktika kanë filluar herët në Kosovë duke u manifestuar në muzikë, art dhe prodhime tjera mediale. Propaganda serbe ka punuar metodikisht. Në mesin e viteve 80ta, në Kosovë pas rastit Martinoviq ku një qytetar serb pësoi aksident gjatë një sesioni vetëkënaqësie me një shishe birre dhe kjo situatë u shfrytëzua për akuza morbide ndaj shqiptarëve, artistë nga Serbia prodhuan seri të veprave artistike që e paraqisnin Martinoviqin në Gjilan sikur Jezu Krishti në kryq duke u ndërshkuar nga shqiptarët me plisa dhe shishe qelqi në dorë. Këngët e krahasuan me ndëshkimet osmane në hunj.

Akuzat të tilla vazhduan më vonë përgjatë viteve ‘90 dhe pas luftës në Kosovë, duke pasur për qëllim denigrimin e luftës çlirimtare dhe minimin e shtetit të Kosovës përmes shkatërrimit të imazhit. Akuzat në media serbe u eksportuan në Perëndim përmes kanaleve diplomatike dhe lobistëve. Përsëritja e vazhdueshme krijoi një mori akuzash artificiale ashtu sikurse edhe një numër të madh të trafikut të produkteve mediale spekuluese.

Kjo përvojë na mëson se sa e rëndësishme është verifikimi i burimeve dhe sa e dëmshme mund të jetë propaganda kur mbështetet nga autorë që pretendojnë të jenë akademikë, por që në të vërtetë u shërbejnë agendave politike. Gjysmë e vërteta, shpesh është gënjeshtra më e madhe.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK