Afati i shkurtër i optimizmit politik
Tash e katër muaj Kuvendi i Kosovës nuk është qendër e vendimmarrjeve për këtë shtet, siç do të duhej të ishte. Nuk është qendër e zgjidhjeve të problemeve në këtë shoqëri. Siç do të duhej të ishte.
Në vend se të merrej me punët e veta (të Kosovës) të përcaktuara me Kushtetutën e vendit dhe me Rregulloren, Kuvendi preokupohet me vetveten.
Kuvendi është problem në vete, madje kryesori i politikës kosovare. Ky është realiteti i sotëm.
Deputetët e legjislaturës së nëntë nuk po ia dalin dot, mbas gjithë këtyre përpjekjeve, që nisën qysh në muajin prill dhe pas dy verdikteve të Gjykatës Kushtetuese, ta konstituojnë Kuvendin.
Nuk po ia dalin dot pra ta kthejnë një normalitet politik në vend, ku ka Kuvend, ka Qeveri, ka President.
Këtë të martë, më 26 gusht, u duk që më në fund do të hapen portat e Kuvendit të ri të Kosovës, pas zgjedhjes së kryeparlamentarit të ri (Dimal Bashës, deputetit të partisë Vetëvendosje). Por, afati i përdorimit të optimizmit politik skadoi për vetëm pak orë, pasi që deputetët nuk arritën ta përmbyllin dot zgjedhjen e pesë nënkryetarëve të Kuvendit.
Ajo hapja e derës së Kuvendit, pas zgjedhjes së Kryetarit, solli më pas mbylljen e zhurmshme të saj.
Jemi pra ende ku ishim deri dje. Jemi pa Kuvend.
Kjo çka ndodhi dje, vetëm sa e vërteton, realisht, që tash e disa muaj (së paku prej qershorit e këndej), ka ndryshuar ‘loja politike’ (nëse mund të thuhet ashtu), në lidhje me legjislaturën e nëntë.
Do të ishte befasi e madhe nëse ky konkludim do të dilte i gabuar, apo nëse në ditët dhe javët e ardhshme, do të sendërtohej deri në fund ajo logjika themelore që i qepet zgjedhjeve/ votimeve, e që ka të bëjë me krijimin e institucioneve qendrore të Kosovës, të cilat duhet të jenë në krye të këtij shteti.
Pa dyshim, kjo do të ishte një befasi e dorës së parë, gjithsesi e mirë.
Por, surprizat e mira janë mall në mungesë (siç thonë tregtarët), tash e sa kohë në politikën vendore.
Pra, logjika politike në Kosovë, kjo që po mbizotëron, kjo që është fare e dukshme (transparente), shpie në një përfundim të qartë: asnjë parti parlamentare nuk beson që kjo legjislaturë do të zgjasë më shumë se disa muaj.
Janë një mori shkaqesh që e shfaqin këtë epilog të këtij Kuvendi ende të pabërë.
Shumica parlamentare është fjali dëshirore për të gjithë. Nuk ka vullnet për koalicione afatmesme apo afatgjata në mes të partive. Zgjedhja e Presidentit të Kosovës (që më së largu duhet të ndodhë në fillim të muajit mars të vitit të ardhshëm), imponon krijimin e një shumice kualitative prej së paku 80 deputetëve, gjë që është krejtësisht e pamundur me këtë përbërje parlamentare. Dihet pastaj që dështimi në zgjedhjen e presidentit të ri sjell menjëherë situatën kur duhet shkuar sërish në qendrat e votimit. Etj. etj.
Argumente ka sa të duash që duhet organizuar zgjedhjet e reja (kësaj here, të parakohshme) parlamentare.
Pyetja e vetëm që parashtrohet prej të gjithë politikanëve dhe partive tona parlamentare është: Kur (duhet të mbahen këto zgjedhje).
Rrethanat sa vijnë e ndërlikohen në këtë aspekt për shkak që me 12 tetor në vend do të mbahen zgjedhjet e rregullta për pushtetin lokal.
Po mos të ishin këto zgjedhje, me siguri do të ishte më lehtë për partitë vendore të orientoheshin në kohë (dhe në hapësirë).
Beteja e njëkohshme politike në ‘dy fronte’ (për pushtetin qendror dhe atë lokal), duket një sprovë e madhe për partitë kosovare, edhe pse ajo ende nuk është e përjashtuar në ditët vijuese.
Neve kurrë nuk na dihet.
Sidoqoftë, zgjedhjet e reja janë të pashmangshme, dhe ato do të mbahen diku në harkun kohor tetor të këtij viti, prill të vitit të ardhshëm.
Duket që sa më parë që do t’ia mësymë, si qytetarë, qendrave të votimit, do të jetë më mirë për vendin dhe për politikën kosovare. (Marrë nga Klan Kosova)
Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK