Zërat
Artan Fuga
Artan
Fuga

Rroftë Kosova!

Zërat August 24, 2025 - 14:23

Dy gjëra – njërën nuk e kuptoj, tjetrën e kuptoj.

Nuk kuptoj se përse shumica e medias te ne janë të pozicionuara sikur do të kënaqeshin shumë dhe do të fërkonin barkun sikur iniciativa e z. Trump për paqe me Rusinë të dështonte!

Athua sikur janë lobi të industrisë së armatimit që shet armë për ata që vriten me njëri-tjetrin atje dhe kanë frikë se paqja do t’u lejë stok kallashnikovë të pa shitur!

Pse bëjnë si gjinkalla në vapë, shpëlajnë trutë e publikut?

Ajo që kuptoj është se përse durrsakët e mirë u bëjnë aq hyzmet kosovarëve në plazh.

Pa kosovarët në plazh pothuajse nuk do të kishte këmbë turisti dhe berberët, shitësit e pajisjeve elektrike, shitësit e rrobave të vjetra, shitësit e pispilive, pulave të pjekura, të byreqeve, shitësit e gjerdanëve me flori turk, të brekëve të detit, shitësit e kosit, dhallës, akulloreve, ata të nderuar që vërtisin çelësa dhomash me qira në rrugë, këpucarë, lavazhuesit e qerreve etj., do të detyroheshin të mbyllnin dyqanet duke iu vënë qepenin!

Hyzmeqarë dakord, por kjo është jeta!

Të jem si këta, taksën e kalimit të trarit të kosovarëve për të ardhur këtu, ja u paguanin këta me qejf atyre!

Ndonjëherë mendoj, ç’do bënin këta po të mos ishte pavarësuar Kosova? Do të hante njeriu njeriun këtu!

Durrsaku i mençur dhe i butë, ngado të ketë ardhur dhe vendosur këtu, e di shumë mirë.

Po ju e dini?

Po e dini, uleni një çikë delirin!

Do të thoni ju çfarë lidhje ka lufta në Ukrainë me pushuesit nga Kosova në Durrës, Golem, Qerret, Mali i Robit?

Ka dhe shumë madje, por kur ta kuptojnë disa elita politiko-mediatike do të jetë aq vonë sa të vish të lahesh në Durrës në mes të janarit!

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK