Zërat

Zogoviqi i Ali Binakut

Zërat nëntor 05, 2014 - 11:59

Për veprën e tij “patriotike” ai padyshim ndihet krenar, sado që krenaria e tij është turpi ynë. Marrja jonë. Faqja e zezë.

Dikush i tredhur mendsh, ditë më parë, kishte shlyer me ngjyrë të zezë emrin e Radovan Zogoviqit, “shkaut”, emrin e të cilit, dikush që di të rezonojë normalisht, ia vuri një rruge të vogël prishtinase. Lajmi që mori dhenë bëri bujë, më shumë në mediet e rajonit, pasi ne tashmë kemi humbur ndjeshmërinë edhe ndaj skandaleve më të mëdha se ky.

E çdokush me dy pare mend në krye, do të duhej të ndjehej keq. Shumë keq.

Sepse për ata që nuk vuajnë nga amnezia Zogoviq ishte mbrojtësi më i madh i shqiptarëve. Në ato kohët më të vështira, kur po zhbëhej qenia jonë. Kur shqiptarëve të shtypur, të shkelur çnjerëzisht s’gjendej kush t’ia thotë një fjalë të mirë. Një ngushëllim.

E Radovan Zogoviq u bë zëri i tyre. Zëri kumbues. I vetmi zë që dëshmoi shtypjen totale të shqiptarëve në ato kohë të vështira të kralëve.

Si përgjigje për padrejtësitë kundër shqiptarëve, në Mbretërinë serbo-kroato-sllovene më 1936, shkroi poemën “Ardhacakët - Këngët e Ali Binakut”, zë i revoltës kundër asaj padrejtësie.

Me këtë ai ngriti në qiell vuajtjet e shqiptarëve që askush s’guxonte, por mbase as s’donte t’i shihte. Libri që i pengonte regjimit të atëhershëm mbretëror por edhe atij komunist u ndalua dhe u tërhoq nga shitja, por jehona e tij nuk u zbeh.

Vuajtjet e simbolizuara me vrasjen e lejlekut mbi pullazin e shtëpisë së personazhit të tij, Ali Binakut, këtij shpendi të shenjtë, shpendi mitik, i cili besohej se i sjell fat shtëpisë ku ngre çerdhen.

Por kolonët apo “ardhacakët” siç i quan Zogoviqi, njëri nga të cilët ishte edhe ai vetë, mu këtë shpend ia vranë Ali Binakut. Me pushkën e parë, të dytën, të tretën... dhe gjaku i lejlekut ra mbi pullazin e shtëpisë për të vrarë edhe vetë shpresën e shqiptarëve për të mbijetuar në trojet e veta.

Ai ishte zëri i kurajës, për të qëndruar, për të mos lëshuar pragun, duke tretur brigjeve të Anadollisë.

 “Mos qaj Ibish/ kur e zeza bie mbi njeriun/ mos qaj/ shtrëngoi dhëmbët dhe mos qaj/ mbaje mend se kush je dhe i kujt je/”, thotë ai, duke e trimëruar.

 “Tre mbretër/ që vijshin për mos me shkue/ shkuan/ si vegshat e thyem/”  thotë ai në këngën e nëntë, duke i dhënë kurajë se, ashtu siç ndodhi, s’ka të keqe pa fund.

I tillë çfarë ishte, patriarkal e revolucionar, i pakompromis me të keqen, ndaj kujtdo qoftë, ai iu përmbajt parimit të njerëzores, humanes. Parimit sipas asaj thënies malazeze se “është burrëri ta mbrosh tjetrin nga vetvetja”, edhe pse kjo i kushtoi shtrenjtë. Shumë shtrenjtë.

Edhe vetë i izoluar, i hedhur nga shokët, i harruar nga miqtë kaloi gati të njëjtin kalavar me shqiptarët, të cilëve iu bë krah.

E izoluan, e shpallën tradhtar, armik. E burgosën. E katandisën në burgim shtëpiak, në një banesë të vogël në Beograd, ku për vite me radhë në njërën dhomë jetoi i izoluar me familjen e tij, e në tjetrën vazhdimisht qëndronte policia.

Zogoviqin, “shkaun” emrin e të cilit dikush e fshiu me ngjyrë të zezë, kaherë e kishin shpallur tradhtar. Shqiptarofil. Madje, duke u lidhur edhe me mbiemrin e tij që brenda ka një Zog, teoritë konspirative thoshin se pasi Zogoviqët kishin prejardhje nga Kuçi, duke shkruar “Këngët e Ali Binakut” ai është identifikuar me “kushërinjtë”, duke dalë në krah të tyre. 

Zogoviqi, i lindur më 1907 në Podbisht te Andrijevicës, në Mal të Zi, pas “çlirimit” të Dukagjinit, bashkë me familjen u bë kolonist edhe pse, siç thonë kronikat, me një ndryshim. Se babai i tij Gjoka, tokën nuk kishte pranuar të marrë si plaçkë lufte, si shumë të tjerë, por e kishte blerë. Kush e di, mund të jetë edhe e vërtetë. Mbase edhe për këtë, varrezat e Zogoviqëve në Deçan, ku me amanetin e vetë, prej vitit 1986 prehet edhe autori i “Këngëve të Ali Binakut” , janë të paprekura.

Vepra e Zogoviqit u ka mbijetuar tre carëve, tre mbretërve dhe mbretërive të tyre. Vepër përmendore e njerëzores. Përmendore që të kthen besimin te njeriu.

E sa i përket veprës “patriotike” që dikush i tredhur mendsh, bëri ditë më parë, duke shlyer emrin e tij nga një rrugë e Prishtinës, ajo është turpi ynë. Krenaria e tij eventuale është marrja jonë. Faqja e jonë e zezë.