Zërat
Agim Kasapolli
Agim
Kasapolli

Para me bollëk për rezultate turpëruese

Zërat April 16, 2024 - 12:43

Sukseset në sport na bëjnë krenarë, mirëpo për t’i arritur ato ne si shtet i vogël, me infrastrukturë të dobët dhe me njerëz që në emër të Kosovës “krenohen” dhe mbajnë poste të përjetshme që nuk i meritojnë dhe janë paterica të çdo pushteti në qeverisje.

Federatat që i udhëheqin këta kapadainj nuk i japin askujt llogari për paranë e taksapaguesve dhe tani me aprovimin e Ligjit për sponsorizim me 30% të tatimit në fitim bëjnë pazarllëqe të llojllojshme dhe keqpërdorime marramendëse me paratë që i sigurojnë nga sponsorët.

Në një konferencë për shtyp këto ditë Zyra Kombëtare e Auditimit ka prezantuar vërejtje të shumta lidhur me Ligjin për sponsorizimin në sport, si dhe procesimin e realizimit të sponsorëve.

Kështu deklaroi drejtorja e Zyrës Kombëtare të Auditimit, Vlora Spanca. Kjo deklaratë dëshmon se sponsorizimi në sport nuk e ka arritur qëllimin dhe efektin e pritur për të mirë të sportit. Qartazi shihet se bordet e federatave janë shndërruar në klane mafioze që zhvatin paratë e taksapaguesve të Kosovës dhe me manipulime të llojllojshme me fanatizëm i ruajnë postet që u sigurojnë rehati materiale. Prandaj, kjo është arsyeja që bordet me kryetarë të federatave janë bërë pronarë të këtyre asociacioneve dhe me manipulime lekët ua sigurojnë në kuvende zgjedhore, ku para se të mbahen kuvendet, kryetari veç dihet.

Këtë sistem zgjedhor e kanë marrë nga sistemi komunist. Shumica e këtyre uzurpatorëve në emisione televizive dhe media tjera deklarojnë se udhëtimet në botën e jashtme i mbulojnë nga mjetet vetanake. Kështu në emisionin tim në televizionin T7 deklaroi kryetari i FBK-së, Arben Fetahu. Këta jo vetëm që marrin mëditje, por milionat e taksapaguesve i bëjnë rrush e kumbulla, duke na sjellë për shpërblim disfata poshtëruese nga të gjitha garat ndërkombëtare. E bëjnë këtë, sepse askush nuk ua prish tymin e duhanit. Kjo e ka sjellë sportin tonë (me përjashtim të xhudos) në gjendje mjerueshme. Do të ishte dashur që rinia jonë, e cila e meriton të jetë zot në shtëpinë e saj dhe të jetë aktive në të gjitha degët sportive e jo shikuese në tribuna. Sporti nuk mund të mbahet e as të zhvillohet, përderisa mentaliteti primitiv, xhelozia, injoranca, egoizmi, shkurtpamësia dhe joprofesionalizmi, e sidomos interesi personal mbizotërojnë diturinë, logjikën dhe qëllimin e mirë të gjithëmbarshëm.

Me mentalitetin okupues të posteve me kohëzgjatje edhe nga 30 vjet, i cili po mbretëron në sportin tonë, kjo po e mundëson të bëhet seleksionimi primitiv i sportistëve/eve, sepse gjatë 30 vjet të sundimit është i pashmangshëm nepotizmi. Si pasojë e kësaj po krijojmë mjedis shoqëror kaotik, pa vlera, pa principe, pa perspektivë dhe të paqëndrueshëm.

Me një vetëdije të tillë mbetemi shtet i pazhvilluar në sport, shtet i rrezikuar dhe shtrohet pyetja deri kur do t’i shmangen përgjegjësisë personale dhe kolektive për situatën në të cilën e kemi sjellë sportin në shtetin tonë.

Koha nuk na lejon një luks të tillë, fondi material që ndahet nga taksapaguesit dhe sponsorët e bizneseve të Kosovës bëhet rrush e kumbulla, ndërsa Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MKRS) për subvencionimin dhe lejimin e kompanive private për organizata sportive nuk ofron qëllime të qarta për shfrytëzimin më të mirë të këtyre fondeve. Ka munguar mbikëqyrja dhe monitorimi (me apo pa qëllim) i proceseve nga ana e MKRS-së dhe Administratës Tatimore të Kosovës?!

Me gjithë kërkesat që i cakton ligji vetëm vitin e kaluar federatat nga sponsorët kanë siguruar 15.674.044,87 euro. Më së shumti nga federatat kanë përfituar Federata e Futbollit dhe ajo e Basketbollit.

FFK-ja nga bizneset e Kosovës ka përfituar 6.008.572,00 euro. Përveç sponsorëve për këtë vit edhe MKRS-ja me taksa të qytetarëve të Kosovës ia ndau FFK-së edhe 133.710,00 euro. Ndërsa FBK për një vit pati në dispozicion 5.844.600,312 EUR.

Se sa punohet në këtë federatë (të FBK-së) flet fakti se javën e kaluar në Rumani Kosova mori pjesë në turneun ndërkombëtar YDF U-14 me djem dhe vajza dhe rezultatet në të dy gjinitë ishin turpëruese. Vajzat dhe djemtë i humbën të gjitha 8 ndeshjet sa ishin në të dyja kategoritë. Vajzat, njëjtë si para 15 viteve, u koritën me humbje, sidomos në lojën kundër Turqisë mund të themi se pësuan debakël me rezultat 97-12. Humbëm pra me 85 pikë dallim. Kurse çereku i parë është për Libër të Ginisit ku pësuan 30-0. Djemtë po ashtu e përjetuan fatin e vajzave, edhe ata kundër Turqisë humbën me 49 pikë dallim 96-47. Nga ky turne ndërkombëtar ekipet e Kosovës me të dyja gjinitë kthehen pa asnjë fitore dhe me disfata turpëruese dhe kjo tregon që perspektiva e Kosovës në basketboll është e mjerueshme.

Përkundër faktit që shteti u siguron miliona euro, uzurpatorët që e udhëheqin këtë Federatë, merreni me mend, rezultatet e këtyre garave nuk i publikojnë në faqen zyrtare të FBK-së. Këta matrapazë, veprimtarinë zyrtare e kanë shndërruar në agjenci turistike-rekreative! Kjo gjendje shtetin e Kosovës në këtë degë sportive e bën të brishtë dhe ata miq që i patëm dhe na përkrahën basketbollin tonë e shohin me brengë. Këta miq kanë mundur të na shpëtojnë nga egërsia e regjimit serb, por nuk mund të na shpëtojnë nga hajnia, manipulimi dhe mjerimi ynë.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK