Kosova e vitit 1999 nuk mund të krahasohet me Ukrainën e sotme
NATO-ja sulmoi trupat serbe në vitin 1999 për të parandaluar një katastrofë humanitare në Kosovë. Krahasimi me Ukrainën është i gabuar.
Pas disa muajve me negociata të cilat nuk dhanë rezultate, më 24 mars 1999 NATO-ja ndërhyri në luftën ndërmjet Ushtrisë jugosllave dhe forcave serbe nga njëra anë dhe njësive të UÇK-së në Kosovë nga ana tjetër.
Me sulmet ajrore në caqet në Serbi, vendet e NATO-s donin të detyronin presidentin e RF të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, të ndalonte spastrimin etnik në Kosovë dhe të parandalonte fatkeqësinë humanitare nga e cila Kombet e Bashkuara kishin frikë në rajonin e Kosovës.
Megjithatë, nuk kishte mandat të OKB-së për sulmet ushtarake në të cilat u vranë shumë civilë, pavarësisht përdorimit të armëve precize. Vendet e NATO-s, nën udhëheqjen e presidentit të SHBA-së, Bill Clinton, ia dhanë vetes një mandat për një “ndërhyrje humanitare” që ishte e nevojshme për të parandaluar gjërat më të këqija dhe për të zbatuar rezolutat e OKB-së që Jugosllavia nuk i kishte zbatuar. Por, edhe pas 25 vjetësh, shumica e juristëve që merren me të drejtën ndërkombëtare besojnë se misioni i NATO-s nuk ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
“Nëse pyesni për opinionin mbizotërues, atëherë ishte shkelje e së drejtës ndërkombëtare, sepse paraprakisht ishte thënë se masat ushtarake kundër Serbisë do të ndërmerren vetëm me miratimin e Këshillit të Sigurimit. Arsyetime të tjera nuk mund të merren parasysh, të paktën. sipas mendimeve mbizotëruese”, thotë profesori Wolff Heintschel von Heineigg në një intervistë për DW. Von Heineigg jep të drejtën ndërkombëtare në Universitetin Evropian Viadrina në Frankfurt mbi Oder.
Arsyet e dhëna nga politikanët perëndimorë për ndërhyrjen e NATO-s, varionin nga mbrojtja e popullatës në Kosovë, stabilizimi i situatës në Ballkanin Perëndimor të shkatërruar nga lufta dhe bllokada e Këshillit të Sigurimit të OKB-së nga Rusia dhe Kina. Edhe ministri i atëhershëm gjerman i Punëve të Jashtme, Joschka Fischer, foli për një ndërhyrje moralisht të nevojshme për të parandaluar masakrat si ato në Bosnjë-Hercegovinë. “Këto janë të gjitha arsye të mira, por e drejta ndërkombëtare nuk krijohet nga një grup i vogël dhe nuk është e drejtë zakonore. Kemi nevojë për një shumicë të madhe shtetesh. Dhe, thjesht nuk e kemi pasur këtë”, thotë eksperti i së drejtës ndërkombëtare, Wolf Heinchel von Heinig.
Sulmet e NATO-s ndaj Jugosllavisë, të cilat përfunduan më 10 qershor 1999 kur Sllobodan Millosheviqi u dorëzua, ishin një lloj mëkati origjinal. “Dëgjuam argumentet e tetë vendeve të NATO-s që u përfshinë në këtë fushatë të Kosovës, përsëri kur u aneksua Krimea”, thotë von Heinig, duke përshkruar pasojat. Kur e aneksoi Krimenë në vitin 2014, Rusia thirri precedentin e pretenduar për të mbrojtur popullsinë e Krimesë nga kërcënimet e perceptuara. I njëjti model u përsërit pas sulmit në Ukrainë më 24 shkurt 2022. Presidenti rus Vladimir Putin pretendoi se populli i Ukrainës Lindore kishte kërkuar ndihmë dhe thirri Kartën e OKB-së si justifikim për një “operacion special ushtarak”.
Gjykimi i ekspertit të së drejtës ndërkombëtare, Von Heinig, për këto arsye, është i qartë: “Edhe nëse njihet ndërhyrja humanitare, argumentet ruse janë sigurisht absurde. Nuk mund të bëhet fjalë për kushtet që mbizotëronin në atë kohë në Kosovë. Unë përmend vetëm spastrimin famëkeq etnik i cili nuk ndodhi në Krime dhe as në juglindje të Ukrainës”.
Prandaj, situata në Ballkanin Perëndimor 25 vjet më parë nuk mund të krahasohet me Ukrainën e sotme. Pushtimi dhe lufta e Rusisë kundër Ukrainës mbeten të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar. “Ky është projektligji për Kosovën, tani jemi përballur me të njëjtat argumente që kemi bërë atëherë, edhe nëse faktet janë natyrisht thelbësisht të ndryshme”, ka thënë Von Heinig nga Universiteti Evropian në Frankfurt mbi Oder.
Hetimi ligjor për operacionin e NATO-s kundër Jugosllavisë dështoi para Tribunalit të Kombeve të Bashkuara për Jugosllavinë, si dhe para gjykatave ndërkombëtare. Në rastin aktual të luftës në Ukrainë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë urdhëroi në mars 2022 që Rusia të ndërpresë të gjitha operacionet luftarake në Ukrainë. Megjithatë, Rusia e injoron atë. Seanca kryesore lidhur me Konventën e Gjenocidit është ende në vazhdim. /DW
Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK