Zërat
Jorgji Kote
Jorgji
Kote

Për një paradigmë të re strategjike me Serbinë

Zërat October 08, 2023 - 17:37

Sulmet terroriste të bandave serbe që kulmuan më 24 shtator dhe tensionimi i mëtejshëm i situatës në veri të Kosovës, praktikisht shënuan fundin e një epoke të dështuar me dialogun 12-vjeçar dhe Marrëveshjen e sforcuar të Ohrit. Natyrisht, tani për tani synohet mbajtja nën kontroll e situatës, frenimi i agresivitetit serb dhe stabilizimi i situatës. Por, në një të ardhme të afërt, në vend të vazhdimit të një dialogu rutinor që nuk të shpie askund, nga ShBA-ja dhe BE-ja kërkohet një paradigmë e re strategjike me masa tërësore ndaj Serbisë, Kosovës dhe më gjerë në rajonin tonë.

Në vijim të shkrimeve të mëparshme, mbi bazën e ideve që po shprehen ngado dhe përvojën diplomatike, që gjërat të mos shkojnë “nga shiu në breshër” dhe të ecet përpara me ritme shumë më të shpejta se deri tani, më poshtë po japim një dekalog të përmbledhur me konturet e kësaj paradigme të re.

Së pari dhe mbi të gjitha, Perëndimi duhet të heq dorë nga diplomacia “qetësuese” (appeasement diplomacy) me qëndrime “ledhatuese/përkëdhelëse” ndaj Beogradit. Më në fund, ai duhet të çlirohet nga iluzioni naiv për ta mbajtur Beogradin larg Rusisë me “karrota dhe qetësues” diplomatikë. Në fakt, është tejet e habitshme dhe indinjuese se si Perëndimi i ka besuar deri më sot kësaj lloj diplomacie, kur dihet se bilanci i saj është kudo negativ – duke filluar nga dështimi fatal i Çambërlenit britanik me Hitlerin me 1939. Në kohën tonë, aneksimi i Krimesë nga Rusia më 2014 ishte kambana e fundit e alarmit për diplomacinë qetësuese ndaj Rusisë, por Perëndimi prapë nuk donte t’i dëgjonte; dhe më keq dështoi diplomacia gjermane dhe franceze me dy Marrëveshjet e Minskut, me besimin fëminor se Putini do të bëhej “djalë i mirë” deri sa ai urdhëroi agresionin ushtarak ndaj Ukrainës.

Kjo politikë qetësuese ka patur pasoja dhe më tragjike në 30 vitet e fundit në Ballkanin Perëndimor; në maj 1993, ithtarët e saj, Lordi Ouen dhe Sajrus Vens, “dy të mëdhenj” të diplomacisë britanike dhe amerikane, dështuan me turp me Procesin e Paqes në Bosnje përpara Milosheviqit të pangopur; po ashtu në Rambuje më 1999, ku ishte dhe vetë Ambasadori Hill, Milosheviqi e hodhi poshtë marrëveshjen, ndonëse ajo nuk shkonte deri te pavarësia e Kosovës. Për të ardhur të dështimi më i freskët me Beogradin vitet e fundit. Shtangesh kur sheh që dhe pas agresionit rus, kur Serbia nuk iu bashkua sanksioneve ndaj Moskës, kur sabotonte pjesëmarrjen në zgjedhjet e pjesshme vendore dhe “i bënte naze” nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit, ShBA-ja dhe BE-ja vazhdonin “ta merrnin me të mirë” Beogradin, madje ta konsideronin ende si aktor/ faktor kyç stabiliteti në rajon! Sikur nuk e dinin që Vuçiqi me “ustallarët “ e tjerë serbë, çirakë besnikë të Millosheviqit janë mjeshtër në shfrytëzimin e besimit dhe frymës paqëtuese perëndimore, duke e përdorur atë vetëm për të fituar kohë për realizimin e projekteve të tyre vrastare!.

Për pasojë, siç shprehen shumë analistë dhe ekspertë të mirënjohur amerikanë, gjermanë, britanikë, kroatë etj., në vend që t’i kërkonin llogari Beogradit duke ia kërkuar atij kryesisht shtensionimin e situatës në veri, ata i binin vazhdimisht në qafë Kosovës, derisa iu hakërryen me masa ndëshkuese, shqip sanksione! Hera e parë që Perëndimi veproi kësisoj ndaj një vendi aleat besnik! Kështu që Beogradi “gjeti shesh dhe bëri përshesh” me hapësira boshe dhe “asiste” politike, diplomatike, madje dhe ushtarake nga vetë Perëndimi!

Ja pse, paradigma e re tashmë kërkon urgjentisht zbatimin e “diplomacisë parandaluese (preventive) dhe shtrënguese” (coercive) ndaj Beogradit, në të gjitha format por, tani për tani, shumë më tepër me “kërbaç!” sesa “me kulaç”!

Së dyti, deri tani BE-ja, por dhe ShBA-ja kanë punuar kryesisht për realizimin e synimeve të politikës së jashtme dhe për stabilokraci, duke mos u angazhuar seriozisht në fushën e demokracisë, shoqërisë civile, median dhe me mbështetje për opozitën, ku rajoni ynë dhe sidomos Serbia çalon ndjeshëm. Mirëpo, stabiliteti pa demokraci është i rremë, iluzion dhe i përkohshëm. Veç kësaj, tendencat për një pseudostabilitet të tillë kanë “çuar ujë në mullirin” e liderëve autokratë e sidomos te Vuçiçq, duke e përdorur “lidershipin e tyre rajonal” si “ gjethe fiku” për të mbuluar skandalet dhe dështimet e brendshme ulëritëse. Ndërkohë, ideja se opozita serbe nuk është alternativë më e mirë nuk të bind për aq kohë sa Perëndimi “i bën fresk” vetëm Vuçiqit. Ndaj, në paradigmën në fjalë, përparësia duhet të shkojë te promovimi i shtetit të së drejtës, forcimi dhe emancipimi i opozitës, i shoqërisë civile etj. Është e pafalshme dhe për BE-në që në 20 vjetët e fundit shoqëria serbe ka ngecur në vend, madje ka bërë hapa mbrapa, me vështrimin drejt të kaluarës së saj të errët, duke e glorifikuar dhe hyjnizuar atë.

Së treti, ridimensionimi cilësor i qëndrimit perëndimor ndaj Kosovës dhe lidershipit të saj të ri, demokratik dhe të pakorruptuar, siç sugjerojnë 56 kryetarët e Komisioneve të Jashtme dhe deputetët e vendeve të mëdha perëndimore dhe shumë politologë dhe ekspertë të tjerë, duke i dhënë fund “kërbaçit” dhe me më shumë “ kulaç” për Prishtinën. Për më tepër kur në Kosovë, ndryshe nga Serbia, demokracia përparon, me zgjedhje të lira dhe freskim të lidershipit politik. Pastaj, krejt ndryshe nga Serbia e pabindur, Kosova si aleate besnike e Perëndimit ka zbatuar gjithçka i është sugjeruar dhe imponuar nga Perëndimi, linjëzimin me BE-në, krijimin e Gjykatës Speciale dhe gjykimin në Hagë të ish – liderëve të UÇK-së.

Së katërti, t’i jepet fund “dialogut për dialog” në formatin e sotëm, duke filluar nga largimi i Borrelit dhe Lajçakut, madje pse jo dhe i Escobarit, sepse dështimi i tij ishte dhe për faj të tyre; pavarësisht nga eufemizmi diplomatik “ lehtësues” ata u bënë “vështirësues” të dialogut, për të mos përdorur terma më të rëndë. Edhe shtimi i numrit të dërguarve specialë më shumë vërteton aforizmën e njohur se “ shumë mami e nxjerrin fëmijën çyryk”.

Së pesti, në vend të dialogut për normalizim kërkohet garantimi i sigurisë dhe paqes; mospërshkallëzimi i konfliktit të armatosur dhe mbi të gjitha zbatimi i “masave për krijimin e besimit” (confidence building measures), ndër elementët më thelbësorë të OSBE-së.

Kjo është vendimtare, sepse çdo dialog i mëtejshëm në një mjedis, terren dhe klimë të helmuar dhe minuar nga Serbia, ashtu si deri tani do të çojë në zhgënjime të reja tragjike. Nuk ka si të shpresohet për dialog, ca më pak funksional pa elementët e tij themelorë – klima, terreni dhe mjedisi miqësor e jo si deri tani, çka nuk lejon qoftë dhe një shtrëngim duarsh! E si mund të ketë një klimë të tillë pozitive kur Serbia stërbetohet se nuk do ta njohë Kosovën, kur armatoset dhe bën provokime, kur mban anën e Rusisë dhe kryen veprime të tjera të dyshimta?

Së gjashti, dy marrëveshjet e panënshkruara nga Serbia në Bruksel dhe Ohër mund të qëndrojnë, por zbatimi i tyre me efekte dhe përfitime të ndërsjella kërkon doemos rinovimin e tyre, duke iu rikthyer modelit franko-gjerman; me këtë rast theksojmë se ai model ka në qendër të vëmendjes dhe përparësore Njohjen, në rastin tonë të Kosovës nga Serbia, anëtarësimin në OKB dhe në organizatat ndërkombëtare. Këto janë dy elementët vendimtarë që garantojnë përparimin e mëtejshëm për çështjet e tjera, duke përfshirë dhe krijimin e asociacionit, veçse jo sipas “ midesë” së Beogradit për një “sprska tjetër”, por sipas modeleve më të mira perëndimore dhe në vartësi të njohjes së Kosovës, jo përpara saj.

Mirëpo, kjo paraprakisht kërkon që Beogradi të zotohet të heqë preambulën kushtetuese ku Kosova figuron pjesë e Serbisë; dhe jo në fund të procesit, por në fillim, madje tani! Siç vepruan të dy Gjermanitë plot 50 vite më parë!

Së shtati, që kjo paradigmë e re strategjike të ketë mjedis miqësor, pa “shkurre dhe ferra”, ShBA-ja dhe BE-ja duhet të hedhin poshtë zyrtarisht dhe pa asnjë hezitim idenë dhe propozimin për thirtjen e një konference ndërkombëtare paqeje për Kosovën. Siç e kam trajtuar ne shkrimin e datës 8 korrik, Kosova kërkon koherencë, por jo konferencë. Kjo është ide tejet e rrezikshme, mbasi mund të na kthejë në gjendjen përpara vitit 1999; pastaj, boll konferenca dhe forume të mëdha ndërkombëtare janë zhvilluar mbi Ballkanin, ish-Jugosllavinë dhe posaçërisht dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës; ato “prodhuan” Paktin e Stabilitetit, sot Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal me seli në Sarajevë, dhe Procesin e Stabilizim-Asociimit të shoqëruar me dialogun Serbi-Kosovë, miliarda euro investime, disa nisma rajonale deri te Procesi i Berlinit më 2014 …

Një konference e tillë është plot të panjohura, të papritura dhe që nuk dihet sa do të zgjaste, me muaj ndoshta dhe me vite, do të ishte një fitim kolosal kohe për Serbinë bashkë me faktorizimin e mundshëm të Kinës dhe Rusisë, nëse Serbia do të kërkojë – me shumë të ngjarë – që dhe ato dy vende të jenë në këtë konferencë. E keqja tjetër e madhe e kësaj konference është se do të krijonte perceptimin e gabuar ndërkombëtar se tani gjithçka do të nisë nga e para, çka do të ndërpriste ose kthente mbrapshtë procesin e njohjeve të Kosovës dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Së fundi, kjo konferencë është e panevojshme, sepse problemet njihen; ndaj mbetet vetëm që të dyja palët e sidomos Serbia të bëjë kthesën e duhur, ndërsa Perëndimi t’i qëndrojë të koka dhe në vend që “t’i rrahë shpatullat”, “t’ia verë të dyja këmbët në një këpucë”, jo me fjalë si deri tani, por me sanksione të ashpra. Pra, nuk është më koha dhe nevoja për konferencë por për koherencë, në radhë të parë nga Serbia, si shkaktarja e trazirave dhe konflikteve. Të njëjtat pasoja do të sillte dhe vendosja e Veriut të Kosovës nën KFOR-in, ndaj dhe ajo me të drejtë është hedhur në kosh!

Së teti, tejet e rëndësishme është që më në fund, Beogradit t’i kërkohet të përcaktojë përfundimisht pozicionin e tij gjeopolitik, me Perëndimin apo me Lindjen dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Moskës, e jo të vazhdojë të ushqehet sa në grazhdet perëndimore dhe në ato lindore.

Së nënti, pjesë e rëndësishme e kësaj paradigme të re do të jetë qëndrimi ndaj Serbisë lidhur me përparimin e saj drejt anëtarësimit në BE dhe reformave të kësaj të fundit. Pa e zgjatur, nëse Serbia nuk do të eci në trasenë evropiane, të shkohet deri në ndërprerjen dhe “rrëzimin e saj nga kategoria” në procesin e anëtarësimit në BE, ashtu sikurse dhe “me kulaç” në rast të kthesës dhe ecurisë së saj progresive. Në fakt kjo është e përcaktuar dhe në strategjinë e tanishme të zgjerimit, ndaj duhet vetëm zbatimi i saj.

Së fundi, duke qenë se kjo paradigmë e re është e vështirë të hartohet e ca më pak të zbatohet përpara zgjedhjeve presidenciale amerikane dhe atyre evropiane 2024, periudha deri atëherë të shfrytëzohet për konsultime, duke thithur mendimin e ekspertëve të mirënjohur, të think-tankeve dhe instituteve të specializuara; në mënyrë që mbas përfundimit të zgjedhjeve të lartpërmendura të bëhet miratimi dhe të fillojë zbatimi i saj, me njerëz, ndërmjetësues, mentalitete dhe struktura të reja.

Kjo paradigmë duhet të përfshijë dhe diplomacinë tonë.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK