Zërat
Vedat Xhymshiti
Vedat
Xhymshiti

10 vjet luftë për drejtësi

Zërat January 14, 2022 - 15:51

“Aktvendimi i Gjykatës së Apelit në Prishtinë i nëntorit 2021 është për t'u përshëndetur, por ende është për të ardhur keq që jemi në një situatë ku padrejtësia në Kosovë është aq e thellë tash e 22 vjet, saqë ndihemi të detyruar të lavdërojmë detyrën e gjyqësorit të cilët janë të detyruar të administrojnë dhe t'i shërbejnë drejtësisë për qytetarët e vendit”

Vedat Xhymshiti / E premte, 14 janar 2022 - Londër, Mbretëria e Bashkuar

Sot para 10 vitesh, jam nokautuar nga një polic teksa bëja punën time si fotoreporter gjatë një proteste të Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë, afër kufirit me Serbinë. Shiko videon: https://www.facebook.com/Justice4VedatXhymshiti/videos/1230361366975154

Pas sulmit, unë mbeta pa ndjenja në vendin ku të tjerët po protestonin, pa asnjë kujdes mjekësor apo asnjë lloj mbështetjeje të personelit shëndetësor. Thjesht, policët më kishin lënë në dhomën e tyre të ndërrimit dhe më kishin lënë që të vdisja.

Unë nuk e di sa gjatë kam qenë në atë dhomë, por kur më erdhi vetëdija, u përpoqa të ngrihesha në këmbë dhe të mbaja ekuilibrin, dhoma në të cilën isha përplasur më sillej rreth trupit tim, duke mos kuptuar se ku dhe pse isha atje dhe çfarë po ndodhte. Gjithçka që mbaj mend janë pamje të paqarta që shihja nëpërmjet dritareve drita të çuditshme dhe dëgjoja zëra të njerëzve që bërtisnin dhe grindeshin mes vete. Për një moment, kuptova se thjesht mund të largohesha nga ajo dhomë dhe kështu u largova dhe u përplasa me një koleg gazetar, i cili u befasua kur më pa dhe më pyeti menjëherë nëse isha mirë. Nuk dija çfarë të thosha, madje nuk e njoha pikërisht në momentin që po fliste me mua. Ndërkohë, ai më ofroi të më largonte nga vendi i ngjarjes. Dhe kështu, shkova me të, më kujtohet duke vozitur drejt Gjilanit, e pyeta: kush jeni ju? “Vudi, jam unë, Muhameti, a nuk po të kujtohem, a je mirë?” ma ktheu ai.

Më kujtohet vetëm zëri i motorit të automjetit që gjëmonte dhe më në fund arritëm në shtëpinë e Babit tim. Nuk e mbaj mend deri më sot nëse kolegu im gazetar më kishte dërguar në spital apo jo, nuk më kujtohet nëse babai im më çoi në spital apo jo, ato ditë thjesht janë zhdukur disi nga kujtesa ime. Dhe, edhe pse kujtoj kaq pak, prapë disi jam konfuz. Nuk jam i sigurt për shumëçka.

Atë natë në media ishte raportuar me pamje që më shfaqnin mua dhe zyrtarin e policisë që më kishte goditur në vendin e ngjarjes. Dy ditë më vonë kur unë i pashë raportimet, isha më se I qartë se ky nuk ishte një aksident. Kjo ishte e qëllimshme. Më vonë, zyrtari policor u identifikua me emër, pastaj individë të shqetësuar për gjendjen time më thanë se polici i identifikuar është shoferi personal i komandantit të policisë rajonale në Gjilan, njësia e saj ishte nën ciklin tim të hetimeve gazetareske. E kuptova menjëherë se kjo ndodhi nuk ishte vetëm e qëllimshme, por edhe e paramenduar. Ndërkohë mediat arrijnë në shtëpinë e Babit tim për të më intervistuar për sulmin. Duke ditur se kisha prova të mjaftueshme për të vërtetuar historinë, njoftova se do të merrja masa ligjore kundër shtetit. Me ç’rast më 20 janar 2012 shteti vendosi t’i përgjigjej deklaratës sime me taktikë të dhunshme por pasive. Atë ditë dimri, zyrtarë policor të armatosur dhe të maskuar më arrestuan, duke pretenduar rrejshëm se një gjykatë në Prishtinë kishte lëshuar një urdhër për arrestimin tim. E vërteta është se unë nuk kisha marrë asnjë thirrje më pare nga ajo gjykatë. Unë megjithatë shkova me ta. Disa minuta më vonë, teksa po largoheshim nga Gjilani në drejtim të Prishtinës, një polic tha: “Herën tjetër mund të ndodhë që të mos i mbijetoni për t’u parë me gjykata...”

Megjithatë, më 14 maj 2012, unë ngrita një padi kundër Republikës së Kosovës, dhe Ministrisë së Brendshme, duke kërkuar drejtësi dhe llogari. Më 16 maj 2012, më duhej të largohesha nga vendi, përballë një vale kërcënimesh në rritje për jetën time. Në prill të vitit 2015, ndërsa isha në Londër për një konferencë për Luftën Civile të Sirisë, shtëpia e babit tim ishte bastisur edhe një herë nga një personeli civil i armatosur dhe familja ime të shqetësuar për sigurinë time, më këshilloi të mos kthehesha përkohësisht në Kosovë. Me ndihmën e Amnesty International në Londër, unë aplikova për mbrojtje humanitare në Britani të Madhe, dhe kërkesa ime u pranua në dhjetor të vitit 2016, pas një procedure të gjatë gjyqësore duke argumentuar me shtetin Britanik.

Kosova është një vend në të cilin mjedisi mediatik vazhdon të ndikohet nga ndërhyrjet politike, korrupsioni dhe presioni financiar. Gazetarët që kritikojnë autoritetet shpesh quhen “tradhtarë” ose “simpatizues serbë” ose “spiunë”.

E vërteta e hidhur është se ka edhe prej atyre që në emër të gazetarisë i bëjnë argatin politikës ditore dhe grupeve të bashkuara kriminale që veprojnë nëpërmjet politikës, por kjo nuk do të thotë se kolegët e tjerë gazetarë duhet të linçohen, por ata edhe nuk duhet të heshtin para një realiteti ku shihet se disa pretendojnë të jenë ‘gazetarë’ duke shkelur etikën profesionale. Kjo është përgjegjësi edhe e redaktorëve.

Në tanimë 22 vitet e pas luftës në Kosovë, kemi të paktën tetë gazetarë të vrarë për kryerjen e detyrave të tyre - dhe askush nuk është mbajtur ende përgjegjës. Grupet kriminale nuk e kishin kursyer as gazetaren shtatzënë Fatmire Terdeci kur ajo ishte qëlluar në shpatull në shtator të vitit 2016.

Besoj se jam gazetari i parë që i çoj autoritetet kosovare në gjykatë për përgjegjësinë e tyre për të na lejuar të bëjmë punën tonë të sigurt. Dhe kjo nuk është për t’u lëvduar, kjo është për të ardhur keq. Pasi do të doja që gazetarët të ishin të bashkuar në Kosovë, jo vetëm në mbrojtje të sigurisë së tyre, por edhe në mbrojtje të kualitetit të të raportuarit me një etikë të një standardi të kualitetit të lartë profesional e njerëzor.

Në shtator të vitit 2015, Gjykata Komunale e Prishtinës pranoi se unë isha dëmtuar fizikisht dhe psikologjikisht, por refuzoi të pranonte se të drejtat e mia njerëzore dhe profesionale - të garantuara me kushtetutën e vendit - ishin shkelur. Në atë vendim, gjykata nuk ishte lodhur të mendonte dhe vendoste se kush m’i kishte shkaktuar dëmet fizike, psikologjike, materiale si dhe shkeljen e të drejtave të mia njerëzore dhe profesionale.

Kështu, në nëntor të vitit 2015, unë e çova rastin në Gjykatën e Apelit të Kosovës. Në seancën dëgjimore publike më 16 nëntor 2021, Gjykata e Apelit rrëzoi të gjithë aktvendimin e Gjykatës Komunale. Çështja tani është kthyer në një gjykatë më të ulët për rigjykim. Edhe sa vite do të duhen që kjo çështje të zgjidhet, nuk e di, por çdo ditë e vonuar, është drejtësi e vonuar, që sot shënon një dekadë.

Krimet e dyshuara që po hetoja janë të tmerrshme nëse zbulohen se janë të vërteta.

Provat që kam hasur gjatë procesit të hulumtimit ishin mjaft tronditëse, por që e vërteta të mos zbulohej lidhur me ato dyshime, shteti përdori taktika të dhunshme policore për të më kërcënuar jetën dhe për të më frikësuar që të mos thelloja më tej hetimet e mia. Sigurisht, për arsye të etikës profesionale gazetareske, për fat të keq, nuk mund ta diskutoj më tej publikisht këtë çështje. Një gjë është e sigurt; autorët e dyshuar janë ende në arrati dhe nuk janë përballur me drejtësinë apo ndonjë pasojë të veprimeve të tyre. Unë besoj se autori (polici) Faruk Ibrahimi i 14 janarit 2012 dhe zinxhiri i tij komandues duhet të hetohen më tej nga autoritetet e rendit në Kosovë. Jam shumë i sigurt se zyrtari Ibrahimi duhet të jetë në gjendje të flasë për motivet e sulmit ndaj meje.

Aktvendimi i Gjykatës së Apelit në Prishtinë i nëntorit 2021 është për t'u përshëndetur, por ende është për të ardhur keq që jemi në një situatë ku padrejtësia në Kosovë është aq e thellë tash e 22 vjet, saqë ndihemi të detyruar të lavdërojmë detyrën e gjyqësorit të cilët janë të detyruar të administrojnë dhe t'i shërbejnë drejtësisë për qytetarët e vendit.

Drejtësia në këtë rast po vonon tash e dhjetë vjet. Dhe shteti edhe sot e kësaj dite nuk ka arritur ta zbatoj atë.

Nëse drejtësia do të ishte në shërbim të qytetarëve, ndoshta Faruk Ibrahimi dhe zinxhiri i tij komandues dhe shumë të tjerë që fshihen pas tij do të kishin paguar tashmë për pasojat e veprimeve të tyre, dhe unë nuk do të isha i detyruar të jetoja në arrati tash e dhjetë vjet.

Megjithatë, Kosova tani ka një qeveri të re. Dhe nëse qeveria e re nuk nënkupton vetëm emra të rinj, do të dëshiroja të shpresoja që drejtësia të ketë një shans. Kjo është ndoshta për të parë sesi gjyqësori do ta trajtojë padinë time në vijim.

Çdo ditë e humbur e nevojshme për zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe adresimin e përgjegjësive si dhe hetimin e autorëve është një ditë e vonuar për drejtësinë në Kosovë.

Unë kërkoj drejtësi tani. Kam humbur dhjetë vjet të jetës sime në mërgim; është e dhimbshme dhe e papranueshme që nuk mund të kthehem në shtëpi. Është e dhimbshme të kujtosh se nuk munda të marr pjesë as në varrimin e babait nga frika për sigurinë time dhe këtu përgjegjësia nuk bie vetëm mbi Faruk Ibrahimin si polic që ka kryer veprën penale në emër të shtetit, përgjegjësia bie edhe mbi zinxhirin e tij komandues dhe shtetin mbi të gjitha.

Shteti është përgjegjës që më mohon të drejtën për drejtësi, të drejtën për t'u kthyer shëndoshë e mirë në shtëpi dhe për të gëzuar liritë e mia të garantuara me kushtetutë.

Vedat Xhymshiti është një gazetar dhe fotograf i mërguar në Mbretërinë e Bashkuar, i cili fokusohet në politikën e racës, gjinisë, identitetit, migrimit dhe zhvendosjes së njerëzve për shkak të ndryshimeve klimatike dhe konflikteve të armatosura.

Xhymshiti është gazetar i certifikuar për punë profesionale në mjedise armiqësore. Përvoja e tij më e fundit në raportimin konfliktit të armatosur, është ai midis Armenisë dhe Azerbajxhanit në rajonin e Nagorno Karabakut 2020-2021.

Pjesa më e madhe e punës së tij është botuar në shtypin amerikan, britanik, evropian dhe të Lindjes së Mesme, në internet, në mediat elektronike dhe në shtypin ditor dhe javor.

Pjesa më e madhe e punës së tij shihet e botuar në The New York Times, TIME Magazine, Le Monde, Paris Match, Der Spiegel, Stern, The Guardian, The Times etj.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK