Zërat
Ekrem Krasniqi
Ekrem
Krasniqi

“Muskujt” e Albin Kurtit dhe LVV-së do të testohen pas zgjedhjeve në Francë

Zërat July 20, 2021 - 16:53

Deri në zgjedhjet në Francë vitin e ardhshëm, Kryeministri i Kosovës do ta ketë të lehtë të refuzojë kërkesat e BE-së dhe SHBA-së për formimin e asociacionit për komunat Serbe. Por, pas zgjedhjeve në Francë, karota dhe presionet për heqje vizash e premtimet për « integrime evropiane » në shkëmbim të kompromiseve të rrezikshme pritet që të testojnë muskujt e tashëm të tij dhe besnikërinë e elektoratit të LVV-së ndaj tij, e mbi të gjitha edhe dëshirat e krejt shqiptarëve të Kosovës dhe politikanëve të tyre për një shtet funksional për t’i shpëtuar modelit të një Bosnjë të dytë të paralizuar dhe rrezikut të shkatërrimit për nga brenda të shtetit të Kosovës.

Shkruan Ekrem Krasniqi, Bruksel

Për ndryshim nga qëndrimet sa ishte në opozitë, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka vendosur që të vij në Bruksel sa herë që po e thërrasin për negociata me Serbinë dhe pa asnjë kusht paraprak për të cilin fliste deri sa nuk e mori postin më të lartë në qeveri.

Qëndrimet dhe kërkesat e Kurtit në takimet e Qershorit dhe Korrikut, shfaqin përpjekjet e tij për të krijuar ekuilibër pozitash në tavolinën e negociatave dhe ndryshuar pra kështu rëndin e ditës me kërkesa të cilat u shpërfaqën në tre faqet e prezantuara të hënën.

Kërkesa për një deklaratë të përbashkët për paqe, stabilitet dhe siguri është pjesë e kësaj strategjie të Kurtit dhe ajo është për t’u përshëndetur.

Kërkesa për ekuilibrim të drejtash për pakicat (shqiptare në Luginë të Preshevës dhe serbe në Kosovë) është po ashtu për t’u përshëndetur, por jo përmes krijimit të Asociaconit serb, por përmes asaj që Kurti e tha në takimin e parë në qershor që serbët të marrin po aq sa Serbia po iu afron shqiptarëve në Bujanovc, Medvegjë dhe Preshevë.

Kjo situatë e re e krijuar në tavolinën e bisedimeve në Bruksel pritet që të vazhdojë deri në zgjedhjet e Majit në Francë.

Deri atëherë do të ketë edhe zgjedhje në Gjermani (Shtator), pastaj edhe zgjedhje të dyfishta në Prill në Serbi, a pastaj vijnë zgjedhjet në Francë në Maj 2022.

As Franca e as Gjermania nuk janë në gjendje tash për tash që të fillojnë me të madhe presionin dhe joshjen ndaj qytetarëve të Kosovës dhe qeverisë e opozitës me karotën e heqjes së vizave, pikërisht pra për shkak të zgjedhjeve atje.

Shenjat e para të këtij presioni dhe joshjeje u panë gjatë vizitës së ministrit të jashtëm gjerman Heiko Maas në Prishtinë në Prill.

Zyra e Josep Borrelit, e Miroslav Lajcakut dhe ministria e jashtme gjermane tashmë janë koordinuar për këtë joshje dhe presion me çështjen e vizave në të njëjtën kohë, por me një ritëm të butë aktualisht.

Tash me afrimin e zgjedhjeve në Gjermani, do të krijohet një lloj pushimi nga zyrtarët e Berlinit deri pas zgjedhjeve në Gjermani e pastaj nga të tjerët edhe në Francë.

Deri atëherë, Kurti do të ketë një lloj komoditeti në strategjinë e tij për të tentuar ndryshuar rendin e ditës të këtyre negociatave me Vuçiçin në Bruksel.

Por, kujdes.

Me përfundimin e zgjedhjeve në Gjermani dhe sidomos atyre në Francë, situata pritet që të ndryshojë dhe Kurti nuk pritet që të gëzojë të njëjtin komoditet.

Gjermania, Franca dhe BE si organizatë, pritet që të fillojnë ofensivën e madhe të karotave dhe presionit me liberalizim të vizave për t’i shkaktuar Kurtit dhe VV-së telashe përmes ofertës me heqjen e vizave në shkëmbim të krijimit të asociacionit për komunat serbe, të cilën Kurti krejt kohën sa ishte në opozitë e quante Zajednicë dhe e kundërshtonte çdo lloj versioni të saj.

Opozita në Kosovë pritet që t’i ngjitet këtij grepi të Gjermanisë, Francës dhe BE-së dhe mbështetjes së tyre nga qeveria në Washington, duke e përdorur fjalorin banal « anti-BE » dhe « anti-Amerikë». Edhe një pjesë e elektoratit të saj po ashtu.

Joshjes e presionit për heqje vizash do t’iu shtohen edhe premtimet e mëdha dhe më të shpeshta se deri më tash se kompromisi ia hap Kosovës dyertë për “integrime evropiane”.

Në të njëjtën kohë dhe për shkak të joshjeve dhe presioneve nga BE dhe SHBA, një pjesë e elektoratit të Kurtit dhe Vetëvendosjes e edhe e Vjosa Osmanit do të ndodhen në udhëkryq dhe në hamendje.

Sa më shumë që kjo ofensivë e dyfishtë publike do të shtohet, aq më shumë kjo pjesë e elektoratit të Kurtit dhe Osmanit gradualisht do t’i kushtojnë më shumë rëndësi të mirave të heqjes së vizave nga BE sesa rrezikut të themelimit të Asociacionit, përkatësisht do të fillojë të injorojë rrezikun e shndërrimit gradual të Kosovës në Bosnjë të dytë të paralizuar dhe do të kërkojë kompromis me Serbinë vetëm e vetëm për të fituar heqjen e vizave dhe vazhduar ëndrrën e « integrimeve evropiane ».

Pra, deri në qershor 2022, Kurti dhe Osmani e kanë këtë komoditet në dialog për të refuzuar Zajednicën dhe parashtruar kërkesa ekuilibri në tavolinën e Brukselit përballë Serbisë dhe Aleksandar Vuçiçit.

Por, 12 muajt e mbetur do të harxhohen shpejt dhe qëndrimi i tyre i tashëm i rreptë kundër Asociacionit (Zajednicës) do të testohet me të madhe pas zgjedhjeve në Francë (me kushtin që të fitojë Emmanuel Macron).

Përmes ofertës për heqje të vizave nga BE do të testohet pra besnikëria ndaj Kurti dhe Osmanit e 438.335 votuesve, përkatësisht 23,66 % prej qytetarëve të Kosovës me të drejtë vote që votuan për ta në Shkurt.

Përmes ofertës së heqjes së vizave sidomos do të testohen edhe krejt qytetarët e Kosovës nëse e duan më shumë një Kosovë funksionale apo shëtitjen e përkohshme 3 mujore nëpër zonën Schengen.

Pos kësaj, në të njëjtën kohë do të testohen edhe nëse e duan më shumë një Kosovë si shtet funksional apo një Kosovë me premtimet për ‘integrime evropiane » të cilave askush nuk ua di fundin.

Sugjerimi dhe alternativa e « integrimeve evropiane »

Kurti e ka një penalti të madhe me projektin e gazit amerikan përmes Greqisë. Qeveria do të duhet përshpejtuar negociatat me Athinën gjatë këtyre 12 muajve për një marrëveshje për projektin e gazit në shkëmbim të njohjes nga Greqia, dhe vetëm me këtë kusht pra.

Në të njëjtën kohë dhe paralelisht me negociatat me Greqinë, Kurti do të duhet që të futet në negociata për të njëjtin gaz amerikan edhe me Shqipërinë, si alternativë nëse Greqia në momentin e fundit do ta refuzonte njohjen e Kosovës në shkëmbim të projektit të gazit natyror amerikan.

Njohja (shumë e mundshme) nga Greqia në shkëmbim të gazit amerikan do të ndërronte krejt kahjen e negociatave në Bruksel me Serbinë, sepse do të konfirmohej se e ardhmja e shtetit të Kosovës ka rrugëdalje tjera, pos kompromiseve të rrezikshme në Bruksel me Serbinë.

Më duhet të përkujtoj zëshëm, se Norvegjia, Islanda, Zvicra e tash edhe Britania e Madhe kanë zgjedhur të vazhdojnë jetën pa qenë anëtare të BE-së. Këtu mund të shtojmë edhe rastin e Taiwanit i cili nuk është anëtar i OKB-së.

Krejt këto alternativa dhe zgjedhje rrugësh janë në duart e qytetarëve të Kosovës dhe u takon atyre zgjedhja që e duan ata përmes organizimit të referendumeve, të cilat Kurti dhe Osmani duhet t’ua mundësojnë me ligj votuesve të tyre dhe të opozitës, pra krejt qytetarëve të Kosovës.

E deri atëherë, Kurti dhe qeveria e tij duhet që ta përqendrojnë pjesën më të madhe të punës dhe kohës në tërheqjen e investimeve të huaja, forcimin e sektorit privat, rritjen e prodhimit, zvogëlimin e importit, rritjen e eksportit, pra forcimin e ekonomisë, rritjen e buxhetit të shtetit, forcimin e FSK-së… sepse më këtë trend të dobësisë ekonomike dhe trajtimit të vetes, por edhe nga BE dhe SHBA si rast humanitar, rezultati i referendumit në fjalë do të ishte në dëm të funksionalitetit të shtetit të Kosovës deri në paralizimin dhe shkatërrimin e tij gradual atëherë kur Serbia do të hynte në BE dhe do të përdorte veton bllokuese brenda BE-së deri sa ta shndërronte Kosovën ashtu siç e do ajo vet : në një shtet të shkatërruar dhe dështuar me vulën e vet shqiptarëve.

Gjatë gjithë kësaj kohe dhe paralel me përpjekjet në ekonomi dhe investime të huaja, Kurti, Osmani dhe Kuvendi i Kosovës duhet që të kërkojnë llogari edhe nga BE e SHBA pse krye-prokurori Jack Smith nuk po merret me vrasësit serbë që shëtitën të lirshëm në Serbinë e Vuçiçit e nuk ndodhen në gjykatën speciale në Hagë.

Smith duhet që të detyrohet të ngre aktpadi për pjesëtarët e forcave serbe që kryen krime lufte në Kosovë dhe Serbia duhet që të detyrohet t’i dërgojë ata në këtë gjykatë.

Nëse BE dhe SHBA nuk duan t’ia ndërrojnë mendjen Smithit dhe Vuçiçit për këtë, dialogu në Bruksel duhet që të ndërpritet deri sa kjo të ndodhë.

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK