Zërat
Alon Ben-Meir
Alon
Ben-Meir

Mundësia e artë e Kurtit për ta transformuar Kosovën

Zërat July 07, 2021 - 16:45

Kryeministri i Kosovës Kurti ka një shans të shkëlqyeshëm për të arritur ta bëjë Kosovën një model të demokracisë progresive, ekonomisë së përparuar dhe barazisë sociale që asnjë shtet tjetër në Ballkan nuk mund ta rivalizojë. Pyetja është, a do ta bëjë ai këtë dhe çfarë do t’i duhej?

Përmirësimi i së keqes

Kryeministri Kurti erdhi në pushtet i forcuar nga një fitore e madhe që i lejon atij të ketë një manovrim dhe gjerësi më të madhe për të inicuar politika të guximshme - qofshin ato vendore apo të huaja - për ta avancuar interesin kombëtar të vendit të tij. Edhe një tjetër përparësi e madhe që e gëzon Kurti është se Presidenti i SHBA-ve, Bajdeni (Biden) ka prirje të veçantë për Kosovë dhe tashmë ka demonstruar gatishmërinë e tij të përzemërt për ta ndihmuar Kurtin për të kapërcyer shumë nga problemet me të cilat përballet kombi i tij që nga zanafilla e tij në vitin 2008.

Ndërsa çdo vend i sapolindur kalon nëpër procese të dhimbshme për t'u bërë ekonomikisht i qëndrueshëm, i sigurt në vetvete dhe të jetojë në paqe, Kosova po përballet me barrë shtesë të mosnjohjes nga fqinji i saj, Serbia, e cila po e pengon integrimin e saj në BE. Por, në mënyrë që Kurti të ketë sukses atje ku paraardhësit e tij kanë dështuar, ai duhet të përqendrohet në atë që po e mundon vendin të tij, duke e treguar gatishmërinë e tij për të pasur një dialog të vazhdueshëm me Serbinë përderisa një dialog i tillë, në asnjë mënyrë, nuk e cenon pavarësinë e Kosovës.

Kurti duhet të ballafaqohet me disa probleme të mëdha vendore për ta ndihmuar Kosovën të qëndrojë në këmbë të veta dhe të rrisë ndjeshëm shanset e saj për t'u integruar në BE, çka ai dhe bashkëqytetarët e tij synojnë fuqimisht.

Korrupsioni

Trajtimi i korrupsionit endemik në Kosovë përbrenda shtresave qeveritare si dhe në sektorin privat duhet të jetë në krye të agjendës së tij. Çrrënjosja e korrupsionit është një detyrë monumentale dhe nuk mund të trajtohet në mënyrë të përgjithshme. Zyra e Auditorit të Përgjithshëm të Shtetit duhet të financohet në mënyrë adekuate dhe t'i jepet autoriteti për të inspektuar punën e ndonjë ministrie ose të ndërmarrjeve private sipas dëshirës dhe pa njoftim paraprak.

Personat e përfshirë në inspektime duhet të jenë burra dhe gra me reputacion të patëmetë dhe integritet që gëzojnë besim të publikut. Ballafaqimi me korrupsion do të ketë efekt të drejtpërdrejtë në investimet e huaja, pasi investitorët largohen nga shtetet ku korrupsioni është i përhapur, veçanërisht kur zyrtarët qeveritarë janë “në lojë”. Rrjedhimisht, integrimi potencial i Kosovës në BE do të përmirësohet në mënyrë dramatike.

Arrestimi i fundit i shtatë zyrtarëve të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, të dyshuar për marrjen e ryshfetit në këmbim të marrjes së granteve dhe arrestimi në pritje i 23 personave të tjerë, japin një shembull të mirë. Këto arrestime dhe ndjekje penale, jo vetëm që do t’i ndëshkojnë kryesit, por do t’u dërgojnë një mesazh të qartë të gjithë zyrtarëve qeveritarë se korrupsioni ka pasoja.

Të drejtat e njeriut

Mbrojtja e të drejtave të njeriut është një nga kërkesat më të larta që lejon qytetarin të ndihet i sigurt dhe të jetojë pa frikë ose frikësim. Të drejtat e njeriut duhet të jenë të verbra ndaj ngjyrës, etnisë, orientimit seksual dhe fesë, dhe të gjithë duhet të jenë të barabartë para ligjit. Aq më tepër, fëmijët në veçanti kanë të drejtë të patjetërsueshme për kujdes shëndetësor, arsimim falas dhe ushqim adekuat, për t’u rritur të shëndetshëm kognitivisht. Në të vërtetë, barazia sociale është gurthemeli i të drejtave të njeriut.

Qytetarët që nuk keqtrajtohen, të drejtat e të cilëve nuk shkelen, dhe të cilët trajtohen në mënyrë të drejtë dhe me dinjitet, bëhen më produktivë dhe patriotë, duke u kujdesur thellë për vendin e tyre dhe shpesh duke dalë nga rruga e tyre për të kontribuar për mirëqenien e shoqërisë së tyre.

Zhvillimi ekonomik

Zhvillimi ekonomik është “zemra që rrah” e çdo vendi, dhe në rastin e Kosovës është edhe më kritike, sidomos për shkak të varfërisë së shfrenuar, papunësisë së lartë, investimeve joadekuate vendore dhe të huaja dhe mjedisit të përgjithshëm jomiqësor të biznesit. Sigurisht që çrrënjosja e korrupsionit në pozita të larta do të inkurajojë investime në projekte të mëdha zhvillimore, duke përfshirë infrastrukturën, prodhimin, banimin, dhe atë në teknologji të lartë.

Megjithatë, një nga investimet më kritike nga Qeveria duhet të jetë në projekte të zhvillimit të qëndrueshëm, ku komunitetet e vogla zhvillojnë në bashkëpunim projektet e tyre që prodhojnë vende punë për individët lokalë, veçanërisht të rriturit e rinj. Projektet e tilla, për shembull, mund të përfshijnë ferma të kafshëve të vogla, mbjelljen e pemëve, prodhimin e disa pjesëve të makinerive, etj . Këto projekte janë me kosto efektive dhe shpesh prodhojnë të ardhura në një periudhë mjaft të shkurtër kohore.

Ndarja i fondeve nga Qeveria, së bashku me mbështetjen financiare të USAID-it dhe Bankës Botërore për projekte të zhvillimit të qëndrueshëm, do të shkojnë drejt rritjes ekonomike përderisa investimet bëhen për projekte specifike dhe komuniteti i përfshirë është i përgjegjshëm.

Ruajtja e demokracisë

Edhe pse Kosova është një vend laik demokratik, si të gjitha demokracitë, ajo duhet të mbrohet me zell, të ushqehet dhe asnjëherë nuk duhet të nënvlerësohet. Gjithmonë ka forca kundër-demokratike që do ta shfrytëzojnë çdo mundësi për ta minuar procesin demokratik për përfitime personale. Polonia dhe Hungaria, që në mënyrë ironike janë anëtare të BE-së dhe SHBA, e cila është një nga vendet më demokratike në botë, u kërcënuan seriozisht nga udhëheqësit autoritarë - në SHBA nga Trampi (Trump) dhe ndjekësit e tij, gjë që do të kishte qenë e papërfytyrueshme para ngritjes së tij në pushtet.

Në mënyrë që Kosova të mbetet një demokraci vitale dhe në lulëzim, Qeveria duhet të sigurojë që elementët themelorë të demokracisë të mbrohen plotësisht me ligj. Kjo përfshin zgjedhje të lira dhe fer, lirinë e shtypit dhe të tubimit, gjyqësorin pa ndikim politik dhe llogaridhënien nga të gjitha autoritetet qeverisëse. Aq më tepër, Kosova si një demokraci laike duhet ta mbrojë themelin e saj demokratik, duke mos lejuar që feja të ndërhyjë në çështjet civile dhe duke mos lejuar asnjë fuqi të huaj, siç është Turqia, ta përdorë Islamin, një mjet me të cilin mund të ndikojë në punët e brendshme të Kosovës.

Bashkëpunimi me Serbinë

Shqetësimet që i ka Kurti rreth nivelit në të cilin Kosova duhet të bashkëpunojë me Serbinë në projekte të mëdha, siç janë menaxhimi i ujit të liqenit Ujman, energjia e rinovueshme, tregtia dhe konflikti mbi asociacionin e tri komunave me shumicë serbe në Kosovë, nuk duhet ta parandalojnë atë nga bashkëpunimi me Serbinë, përderisa një bashkëpunim i tillë nuk e cenon pavarësinë e Kosovës.

Aq më tepër, duke pasur parasysh që SHBA-ja dhe BE-ja e mbështesin fuqimisht dialogun midis dy vendeve, Kurti duhet të tregojë se ai është më se i gatshëm të ndjekë këshillat e tyre dhe t’ia vë barrën Serbisë për çdo mungesë progresi. Kurti ishte në shënjestër kur para pak kohësh shkroi në Twitter: “Për të përtërirë aleancën tonë transatlantike, e sugjerova sinkronizimin e #Uashingtonit dhe të #Brukselit në Ballkanin Perëndimor, ndërsa ne po punojmë për tri qëllime. 1. Demokratizimi përmes fuqizimit të sundimit të ligjit. 2. Siguria përmes anëtarësimit në NATO. 3. Uniteti i Evropës përmes anëtarësimit të Ballkanin Perëndimor në BE.”

Kështu që, Kurti gjithashtu do të duhej ta kishte shtuar nevojën për vazhdimin e dialogut me Serbinë, sepse çdo përparim në atë front do ta ndihmojë atë në mënyrë dramatike që t’i realizojë tri qëllimet e tij të lartpërmendura. Përndryshe, në mungesë të njohjes reciproke dhe çështjeve të vazhdueshme konfliktuale midis Serbisë dhe Kosovës, perspektiva e normalizimit midis dy vendeve bëhet aq e largët si kurrë më parë.

Besoj se Kurti ka një mundësi të artë për t’i transformuar në mënyrë dramatike kushtet socio-politike dhe ekonomike në Kosovë. Ai duhet të jetë aq i mençur sa të mos lejojë që bindjet e tij personale, sidomos në lidhje me Serbinë, të përkthehen në kokëfortësi dhe të mbetet mendjehapur ndaj këshillave të BE-së dhe SHBA-ve, të cilat janë të përkushtuara ndaj mirëqenies dhe pavarësisë së Kosovës.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK