Greqia dhe Republika e Kosovës: PARTNERITET PA NJOHJE
Prishtina e mirëpriti vizitën e Ministrit Nikolaos Dendias. Ishte vizita e tij e dytë në më pak se një vit. Vizita e parë, shtatorin e vitit të kaluar, vetëm disa ditë pas marrëveshjes së Uashington DC midis Kosovës dhe Serbisë mbi normalizimin ekonomik. Dhe vizita e dytë në kohën e rinisjes së dialogut të lehtësuar nga BE midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, më 15 qershor 2021.
Pozicioni i Greqisë është i kalibruar, më shumë simbolikë sesa substancë. Ngritja modeste e nivelit të pranimit të Zyrës së Kosovës në Athinë, më pak se njohje, dhe sigurimi i Serbisë se Greqia nuk ka ndryshuar pozicion në lidhje me njohjen.
Ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe ka një qëndrim të qartë për dialogun: “[Një] marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizim, e cila besojmë se do të duhej të përqendrohej në njohjen reciproke. Normalizimi i raporteve me Serbinë është thelbësor për Kosovën për të realizuar në plotni potencialin e saj dhe për integrimin e plotë në institucionet euro-atlantike”. Pozicioni i Bashkimit Evropian mbi dialogun është i paqartë, edhe pse zyrtarët e BE-së kanë theksuar se bisedimet e normalizimit janë thelbësore në qëllimin e tyre për t'u bërë anëtarë të bllokut një ditë.
Pozicioni i pesë vendeve anëtare të BE-së (Spanja, Qipro, Rumania, Sllovaki dhe Greqia), se ata do të njohin Kosovën pas marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë duket si një pozicion pa krye për marrëveshjen. Pritja për pëlqimin e Beogradit për pavarësinë e Kosovës të njohur nga mbi njëqind vende po i jep Serbisë fuqinë e vetos për integrimin e Kosovës në BE dhe stabilitetin rajonal. Megjithatë, Greqia ka mbështetur në mënyrë aktive Kosovën. Është e qartë se Kosova është një çështje sui generis dhe nuk mund të krahasohet me Republikën e Qipros. Kjo u përcaktua qartë nga opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (Hagë).
Më se 20 vjet pasi gjenocidi i Millosheviçit u ndalua nga ndërhyrja e NATO-s, të cilën Greqia e miratoi dhe e mbështeti, tani është koha që Greqia të njohë zyrtarisht Republikën e Kosovës si një vend të pavarur dhe sovran brenda kufijve të saj aktual. Njohja do të vendoste skenën për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik dhe politik/të sigurisë për të mirën e Kosovës dhe Greqisë, si dhe vendeve të tjera në rajon.
Grekët dhe shqiptarët e Kosovës historikisht kanë gëzuar marrëdhënie të mira. Historikisht, shumë grekë studiuan dhe vizituan Kosovën për pushime. Mësuam nga njëri-tjetri, ndamë kulturën dhe vlerat tona të përbashkëta dhe kultivuam miqësi të qëndrueshme. Gjatë tranzicionit, kosovarët kanë çmuar bashkëpunimin me Greqinë si një vend anëtar i NATO-s dhe BE-së. Qeveritë e njëpasnjëshme Greke mbështetën lirinë dhe demokracinë në Kosovë dhe në rajon.
Kosova ka luftuar për të bërë përparim. Në fund të viteve 1980, Serbia përdori forcën për të shfuqizuar institucionet e Kosovës dhe për të vendosur sundimin e ngurtë të aparteidit. Në vitet 1990, Serbia u angazhua në agresion dhe bëri krime kundër Kosovës.
Gjatë kësaj kohe të errët, marrëdhëniet Kosovë-Greqi ishin konstruktive. Zyrtarët grekë mirëpritën në Greqi në fillim të viteve 90-të Dr. Ibrahim Rugovën. Dr. Rugova, Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ishte udhëheqësi historik, pacifist dhe i pakontestueshëm i kosovarëve dhe ithtari kryesor i pavarësisë për Kosovën. Nga ana tjetër, zyrtarë të nivelit të lartë Grek vizituan Kosovën për të ndarë perspektivat e tyre për rezistencën paqësore jo të dhunshme. Isha i privilegjuar të isha pjesë e diskutimeve për forcimin e institucioneve vetëqeverisëse të Kosovës dhe nxitjen e bashkëpunimit rajonal.
Përkundër angazhimit të Rugovës për rezistencë jo të dhunshme, Ushtria Çlirimtare e Kosovës u shfaq në përgjigje të brutalitetit të shtuar nga policia, ushtria dhe forcat paramilitare serbe. Zyrtarët grekë nuk ishin të shqetësuar për shfaqjen e UÇK-së, por mbështetën aspiratat tona demokratike. Ata na nxitën të zgjidhnim mosmarrëveshjet me Serbinë në mënyrë paqësore dhe përmes negociatave. Sidoqoftë, Millosheviç u angazhua për një zgjidhje të sigurisë dhe intensifikoi shtypjen e Serbisë. NATO nisi sulmet ajrore në 24 mars 1999, për të përzënë forcat serbe të sigurisë - dhe për të sjellë NATO-n brenda.
Në këtë kohë kritike, Greqia ndihmoi në stabilizimin e Kosovës duke dërguar trupa si pjesë e KFOR-it. Ministria e Jashtme e Greqisë vendosi një prani diplomatike. Ajo mbështeti zhvillimin ekonomik të Kosovës duke inkurajuar bizneset e Greqisë të përfitojnë nga tregu i Kosovës.
Pas një negociimi të gjatë ndërkombëtar të udhëhequr nga pranuesi i Çmimit Nobel për Paqe, Martti Ahtisaari, ne finalizuam zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe shpallëm pavarësinë më 17 shkurt 2008. Unë isha i nderuar të isha nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.
Një shumicë e vendeve të BE-së dhe NATO-s njohën pavarësinë e Kosovës. Deri më sot, 117 vende kanë krijuar marrëdhënie diplomatike.
Greqia votoi për anëtarësimin e Kosovës në Bankën Botërore, Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe institucionet e tjera financiare ndërkombëtare. Zyrtarët grekë, përfshirë ministrat e saj të jashtëm, vizituan Kosovën. Kontakti midis parlamentarëve ka qenë i gjerë. Greqia ka njohur pasaportat e lëshuara nga Republika e Kosovës dhe mirëpriti krijimin e Zyrës së Kosovës në Athinë. Shoqëria civile - studiues, drejtues biznesi dhe figura kulturore - vizituan Greqinë dhe u pritën ngrohtësisht.
Presidenti Rugova thoshte se nuk ekzistojnë çështje të hapura territoriale, gjeografike, sigurie apo edhe historike midis Greqisë dhe Kosovës. Ne jemi vërtetë të angazhuar në Dialogun Kosovë-Serbi, i cili moderohet nga BE-ja, që synon normalizimin dhe njohjen e ndërsjellë.
Ndërsa Kosova hyn në fazën tjetër të shtetndërtimit, ne bëjmë thirrje për bashkëpunim më të ngushtë me Greqinë. Konkretisht, ne ftojmë Republikën Greke të njohë zyrtarisht Kosovën dhe të vendosë marrëdhënie të plota diplomatike.
Duke zgjidhur me guxim mosmarrëveshjet me Republikën e Maqedonisë së Veriut, Greqia tani mund të përqendrohet në përmirësimin e marrëdhënieve të saj me Kosovën. Unë pata privilegjin të takoj Kryeministrin Kyriakos Mitsotakis si dhe Ministrin e Jashtëm Nikolaos Dendias, të cilin e vlerësoj shumë. Jo vetëm që vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Kosovës dhe Greqisë do të ketë një ndikim pozitiv dypalësh. Ajo do të ketë gjithashtu një ndikim pozitiv në marrëdhëniet Greqi-Shqipëri dhe me faktorin shqiptar në përgjithësi.
Shpresojmë që udhëheqësit grekë të kenë mençurinë për të ecur përpara në rastin tonë. Të dy vendet do të përfitojnë nga marrëdhëniet miqësore fqinjësore.
Dr.Alush Gashi, profesor dhe autor, është nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së RKS. Më parë ai ka shërbyer si Këshilltar i Lartë i Presidentit Ibrahim Rugova, Ministër i Shëndetësisë, dhe Anëtar i Parlamentit dhe së fundmi si këshilltar i Kryeministrit Hoti.
Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK