Zërat
Ehat Miftaraj
Ehat
Miftaraj

2019-a, viti i dështimeve në sistemin e drejtësisë

Zërat January 03, 2020 - 16:02

Kërkesa e opinionit publik, e qytetarëve dhe e faktorit ndërkombëtar për forcimin e sundimit të ligjit dhe të qeverisjes së mirë në Kosovë ka hasur në vesh të shurdhër edhe gjatë vitit 2019. Përderisa në njërën anë viti 2019 është karakterizuar me numër të madh të skandaleve të qeverisë në ikje, duke filluar prej shpenzimit të parasë publike e deri te punësimet partiake që të gjitha në kundërshtim me ligjin, ndërsa në anën tjetër ka munguar guximi dhe vullneti i organeve të ndjekjes për t’i hetuar dhe për t’i ndjekur penalisht kryesit e veprave penale të profilit të lartë. Me fjalë të tjera, fatkeqësisht, organet e ndjekjes ende nuk janë në gjendje që mandatin dhe kompetencat e tyre kushtetuese dhe ligjore t’i vënë në zbatim, duke bërë Kosovën parajsë të sigurt për profilin e korrupsionit të nivelit të lartë.

Instituti i Kosovës për Drejtësi gjatë vitit 2019 ka monitoruar në mënyrë sistematike punën, performancën dhe aktivitetet e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial, ka monitoruar mbi 8000 seanca gjyqësore në çështjet penale, civile dhe administrative në të gjitha nivelet e gjykatave në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Gjetjet e IKD-së nga ky monitorim konstatojnë se sistemi i drejtësisë nuk e zbaton ligjin në mënyrë të njëjtë dhe të barbarët për të gjithë qytetarët e saj. Përderisa, prokuroritë dhe gjykatat në mënyrë efikase hetojnë, ndjekin dhe gjykojnë korrupsionin e nivelit të ulët dhe të mesëm, ku në disa raste nuk mungojnë as dënimet me burgim efektiv, ky standard nuk vlen për korrupsionin e nivelit të lartë. Viti 2019 është vazhdimësi e viteve të mëhershme, ku ende nuk e kemi as edhe një person të dënuar me burgim efektiv dhe që është në vuajtje të dënimit. Për më tepër, në vitin 2019 nuk e kemi as edhe një rast kur dikujt i është konfiskuar dobia pasurore e fituar përmes veprave penale korruptive, që dëshmon se në Kosovë kemi ndërtuar një sistem të drejtësisë që ka ndërtuar dhe kultivuar kulturën e pandëshkueshmërisë ndaj politikës dhe ndaj grupeve të interesit, që janë të afërta me politikën.

Politika e dënimeve është një tjetër element që dëshmon brishtësinë e gjyqësorit në Kosovë. Pavarësisht faktit se Gjykata Supreme kishte miratuar udhëzues lidhur me politikën ndëshkimore në Kosovë, gjykatësit një vit pas hyrjes në fuqi ende nuk janë duke e zbatuar në praktikë. IKD-ja në raportet e saj të publikuara ka dëshmuar se politika ndëshkimore në departamentet e përgjithshme shpeshherë është më e ashpër sesa ajo në departamentet e krimeve të rënda. Kjo paraqet paradoks në vete dhe dëshmi se si ligji zbatohet fuqishëm ndaj qytetarëve të thjeshtë për vepra penale të rëndomta, ndërsa amnistohen zyrtarët e lartë publikë me dënime qesharake si me gjobë ose me kusht.

Ngritja e aktakuzave ndaj të vdekurve është një fenomen i ri në sistemin prokurorial të Kosovës. IKD–ja gjatë monitorimit në shumë raste ka identifikuar kur prokurorët e shtetit në vitet 2018 dhe 2019 kanë ngritur aktakuza ndaj personave që kanë vdekur para 17 vjetëve, 15 vjetëve, 10 vjetëve, etj. Flasim, jo për një rast, por për dhjetëra raste. Kjo është dëshmia më e mirë sesi prokurorët luftën ndaj kriminalitetit e bëjnë kryesisht nga zyrat e tyre dhe duke mos zbatuar obligimet ligjore në udhëheqjen e hetimeve dhe marrjen në pyetje të të pandehurve. Një qasje e tillë e prokurorëve është në kundërshtim me parimet bazë të përcaktuara me Kushtetutë dhe Kod të Procedurës Penale, lidhur me sigurinë juridike të personave të pandehur si dhe shkelje flagrante e të drejtave dhe lirive të njeriut, që ndikon pa dyshim në besimin e publikut lidhur me profesionalizmin, pavarësinë dhe paanshmërinë e Prokurorit të Shtetit në ushtrimin e kompetencave dhe të përgjegjësive ligjore.

Fenomeni i shkeljes së afateve ligjore vazhdon t’i shkelë të drejtat e qytetarëve në Kosovë. Kodi i Procedurës Penale, Ligji mbi Procedurën Kontestimore dhe ligjet mbi drejtësinë administrative kanë përcaktuar afate ligjore lidhur me trajtimin e lëndëve në gjykata brenda afateve të arsyeshme kohore. Këto afate ligjore, pothuajse në asnjë rast nuk arrin të zbatohen në praktikë nga gjykatat. Qytetari i Kosovës duhet të presë me vite e jorrallëherë edhe me dekada për të realizuar të drejtën e tij në çështje civile dhe administrative. Përderisa IKD-ja jorrallëherë ka identifikuar raste kur politikanë ose njerëz të politikës të drejtat e tyre i realizojnë brenda një kohe shumë të shkurtër kohore që matet edhe muaj. Kjo dëshmon drejtësinë selektive, jotransparencën dhe mungesën e llogaridhënies së sistemit gjyqësor në raport me qytetarin. Jorrallëherë ky sistem gjyqësor është kthyer në shkelësin më të madh të të drejtave dhe lirive të njeriut, që konteston integritetin dhe besueshmërinë e këtij sistemi.

Sistemi gjyqësor dhe prokurorial në aspektin e funksionimit, të operimit dhe të llogaridhënies është tërësisht i pavarur nga politika, por që "Sistemi gjyqësor dhe ai prokurorial nuk ka arritur ta ruajë këtë pavarësi, duke sjellë sistemin në një gjendje ku praktikisht politika e kontrollon sistemin e drejtësisë dhe duke e shndërruar të njëjtin në një degë të pushtetit ekzekutiv”.

Kjo gjendje ka ndikuar që sistemi i drejtësisë në Kosovë të mos e përmbushë misionin në luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit, trajtimin e lëndëve të qytetarëve në çështjet civile dhe administrative brenda afateve të arsyeshme kohore. Kjo ka sjellë një gjendje ku sistemi i drejtësisë është kthyer në shkelësin më të madh të të drejtave dhe të lirive të njeriut".

Duke u bazuar në ndarjen e pushteteve në Kosovë politika do të duhej të rrinte larg sistemit të drejtësisë, dhe kjo është shpresa e fundit për të besuar në pavarësinë e këtij sistemi. Kjo ka mundësi të arrihet nëse ka vullnet politik dhe qëllim të mirë në ndërtimin e një sistemi të drejtësisë, që objektiv ka qytetarin dhe të drejtat e tij dhe në asnjë mënyrë interesat e politikës dhe grupeve të interesit. Në fazën në të cilën sot gjendet Kosova kjo nuk mund të arrihet pa një proces të verifikimit, i cili duhet ta pastrojë sistemin e drejtësisë nga korrupsioni, joprofesionalizmi dhe politika. IKD-ja për vite të tëra, si organizata e vetme që monitoronte sistematikisht sistemin e drejtësisë, ishte jetime në kërkesën për verifikim në drejtësi dhe siguri. Tashmë debati publik për verifikim është ngritur në të gjitha nivelet vendore e ndërkombëtare dhe përkrahja për verifikim është zgjeruar në komunitetin e shoqërisë civile dhe të gjitha partitë politike janë deklaruar pro një procesi të tillë.

(Autori është drejtor ekzekutiv i IKD-së)

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK