Zërat
Jeta Krasniqi
Jeta
Krasniqi

Viti i mbrapshtë

Zërat January 01, 2020 - 11:45
Shkruan: Jeta Krasniqi

Për të bërë një reflektim për dialogun Kosovë - Serbi gjatë vitit 2019 duhet të shkojmë edhe një vit pas për të kuptuar se si erdhëm deri te momenti i pezullimit të dialogut Kosovë - Serbi pas 7 vjet bisedimesh, pas një periudhe të paralajmërimeve e të presioneve të shumta që palët shumë shpejt duhet dhe do të arrinin marrëveshje. Siç ishim dëshmitarë të gjithë, marrëveshja e shumëpërfolur nuk u arrit. Vetë procesi shënoi nivelin e tij më të ulët, ndërsa raportet në mes të palëve u acaruan deri në pikën kur retorika e mohimit të krimeve të kryera në Kosovë nga shteti i Serbisë, u rikthye në diskursin e presidentit të Serbisë. E gjitha kjo ndodhi nën ombrellën e Bashkimit Evropian e cila nuk denjoi të formulonte as edhe një reagim kundër akuzave të Vuçiqit, pavarësisht se në thelb të krijimit të saj ka nocionin e dënimit të krimeve kundër njerëzimit, të krimeve të luftës dhe të gjenocidit dhe mbi të gjitha mospërsëritjen e tyre.

Trajektorja e dështimit gati të plotë të këtij procesi mori tatëpjetën kur negociatat e Brukselit u orientuan gabimisht drejt diskutimeve të rrezikshme për integritetin territorial të Kosovës. Harta e Kosovës e vendosur në tavolinën e bisedimeve solli në reminishencë Konferencën e Berlinit të para 130 vjetësh në të cilën ishin vizatur, në mënyrë arbitrare, kufijtë e shteteve afrikane. Fatkeqësia e rastit të Kosovës ishte që ndryshe nga çfarë kishte ndodhur në të kaluarën kur vetë afrikanët nuk ishin ftuar të merrnin pjesë në përcaktimin e fatit të tyre, përfaqësuesit e Kosovës ishin vetë pjesë e këtij diskutimi në tryezën e Brukselit dhe pas 10 vjetësh pavarësi vetë shprehën gatishmëri për të diskutuar rreth rivizatimit të hartës së shtetit të tyre.

Këto dy vite nxorën në pah tendencat për eksperimente të rrezikshme që përfaqësues të caktuar ndërkombëtarë dhe përfaqësues të spektrit politik kosovar ishin të gatshëm të bënin në kuadër të këtij procesi. Nën ndërmjetësimin e BE-së presidenti i Republikës së Kosovës ishte i gatshëm të bisedonte mbi tërësinë territorial të Kosovës të kamufluar nën tezën e korrigjimit të kufijve, duke shkelur jo vetëm Kushtetutën e Republikës së Kosovës, por dhe vetë vlerat evropiane. Ndërsa në anën tjetër nxorën në pah papjekurinë politike të spektrit vendor, i cili nuk arriti të koordinohej dhe të bashkohej rreth një qëndrimi unik edhe kur po diskutohej për territorin e shtetit të Kosovës.

Për shkak të marrëveshjeve politike kryeministri i vendit nuk ishte i gatshëm t’i ushtronte funksionet e tij kushtetuese, duke ia bartur këtë përgjegjësi edhe me vendim qeveritar presidentit të vendit, por i gatshëm për t’i bllokuar diskutimet rreth integritetit territorial të Kosovës prapë duke mos e ushtruar sërish të plotë funksionin e tij kushtetues, por tani duke e bartur atë te një delegacion shtetëror, një mekanizëm hibird dhe mbikushtetutes – legaliteti i të cilit u hodh poshtë nga vetë Gjykata Kushtetuese.

Në kuadër të procesit të dialogut, gjatë kësaj periudhe pamë shpërfaqjen e pavarësisë së institucioneve kushtetuese të Kosovës dhe të delegacionit shtetëror, për aq kohë sa ishte funksional në trajtimin e kësaj teme. Secili më vete lobonte dhe proklamonte teza të ndryshme rreth së ardhmes së Kosovë, duke krijuar përshtypjen që secili prej tyre përfaqësonte një shtet tjetër dhe jo shtetin e Kosovës.

Kosova gjatë vitit 2019 pa ndikimin e drejtpërdrejt të këtij procesi edhe në raportet me miqtë e saj ndërkombëtarë, kur kjo miqësi u pa qartazi që nuk është një “check blanc”. Ndërsa u dëshmua dhe një herë se bota ka ndryshuar që nga viti 1999, Kosova nuk është më në krye të prioriteteve të botës perëndimore dhe perceptimi për Serbinë nuk është më i njëjti. Mbi të gjitha u pa se interesat gjeopolitike dhe interesat e brendshme të shteteve perëndimore mund të ndikojnë në vetë proceset si ky i dialogut Kosovë - Serbi, pavarësisht se çfarë mund të konsiderojmë si të drejtë ose jo.

Kosova e vitit 2019 në kuadër të procesit të dialogut pa edhe dobësitë e saj politike dhe mungesën e pjekurisë së duhur politike në përballje me një Serbi tashmë shumë më të fortë se ajo e vitit 1999 dhe një faktor ndërkombëtar që synon të gjejë zgjidhje duke synuar rehabilitimin e të dyja palëve.

Andaj mësimet për t’u mësuar janë të shumta. Ato duhet të fillojnë me kërkesat ndaj spektrit politik për ta treguar pjekurinë e duhur politike për të ndërtuar konsensusin e nevojshëm politik për këtë proces, duke ndërtuar strategji dhe plane të përbashkëta. Strategji e plane të cilat reflektojnë kuptimin e thellë të kompleksitetit të procesit të dialogut, të pozicionit të pjesëmarrësve ndërkombëtarë dhe interesave gjeopolitike, të lojës së Serbisë dhe të interesave të vet shtetit të Kosovës në kuadër të këtij procesi. Strategji e plane që reflektojnë vizion afatgjatë nga elita politike vizionare e vigjilente, të matura e të ditura, që shtetin e shtyjnë përpara drejt progresit, që e forcojnë atë dhe më tej e që nuk e lejojnë nën asnjë rrethanë të rrëshqasë drejt rrënimit.

Se sa do të arrijë spektri politik ta bëjë këtë, gjatë vitit të ardhshëm dhe në vitet në vazhdim, do të mbetet të shihet, gjithmonë nëse partitë politike do të arrijnë vërtet të shohin përtej interesave të ngushta partiake.

(Autorja është hulumtuese në KDI)

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK