Zërat
Mehmet Gjata
Mehmet
Gjata

Lodhja nga huqjet e shpërdorimet

Zërat December 30, 2019 - 07:46
Detaje

Me dështimet e panumërta, me huqjet me dashje të shumta, viti që po e lëmë i bëri kosovarët shpresëhumbur. Zyrtarët, klasa politike e autoritetet e tjera i huqën fare kauzat e premtuara me mijëra herë nga ta dhe të shpresuara nga kosovarët. Dështimet nisën qëmoti dhe kush e di se kur do të ndalen. Gjithsesi, do t’i ketë gurë në qafë qeveria e re, kurdo që të bëhet ajo, shkruan Zëri.

Lexo edhe: Përsëritja e minuseve

Iku edhe një vit. Më shumë i dështuar sesa i mirë për kosovarët. Po të mos ishin sportistët, futbollistët e Kombëtares dhe xhudistët e ndonjë artist ose krijues, që në shumë raste na bënë të ndihemi mirë, të këndellur, madje edhe krenarë, 2019-a do të ishte më shumë se një vit i ngrysur. Edhe zgjedhjet e jashtëzakonshme, zhvillimi i tyre më 6 tetor, ishin një momentum që bëri kosovarët të ndihen të civilizuar dhe qytetarë të merituar të botës. Por me stërzgjatjet e numërimit të votave dhe me lojërat politike për pushtetin e ri ato pastaj e zbehën përshtypjen e një dite.

Gjithsesi, u ndjemë mirë me mikpritjen e bërë për tifozët anglezë dhe na bëri jo pak të mburremi solidariteti kosovar me rastin e tërmetit në Shqipëri. Megjithëkëtë, me dështimet e numërta, me huqjet me dashje të shumta, viti që po e lëmë i bëri kosovarët shpresëhumbur. Zyrtarët, klasa politike, autoritetet e tjera i huqën fare kauzat e premtuara me mijëra herë nga ta dhe të shpresuara nga kosovarët.

Dështuan ta luftojmë edhe më 2019-n korrupsionin, këtë gangrenë, të keqe të madhe, që e ka kapluar vendin tash e 20 vjet. Nga moti në mot korrupsioni u bë më gallopant, më agresiv dhe pothuajse gjithnjë më shumë i legjitimuar nga ata, që e kanë për detyrë ta luftojnë. Autoritetet tona me vite premtuan para botës dhe para nesh, premtuan edhe më 2019-n se do t’i shpallin një herë e mirë luftë këtij deformiteti, që ia ka zënë frymën Kosovës. Por asnjëherë të vetme nuk u përballën me të, e lejuan të shtrihet gjerë e gjatë, të metastazojë dhe të bëhet gëlltitës i pangopshëm i të sotmes dhe i të ardhmes sonë, i perspektivës së vendit. 

Në këtë fundvit nuk ka shumë nevojë të evidentojmë shifra dhe numra për të qenë bindës për dështimet e abuzimet e zyrtarëve dhe të institucioneve të Kosovës. Ato shihen nga qielli. Njësoj, në përmasa frikësuese më 2019-n, u abuzua me paranë publike, ndërsa trendi i hovshëm me pronën shoqërore dhe publike sikur nuk e kishte agresivitetin e viteve paraprake. Ata që e njohin këtë segment thanë pa ngurruar se nuk pati shumë asortiment të pronave, as shoqërore, as publike. Në vitet e mëhershme i kanë fshirë ato edhe më pak se 10 euro për hektar. Nuk patën çka të zhvatin më. Kosova nuk ka më toka për t’u privatizuar, as edhe aq objekte, pronë publike për të zhvatur.

Nuk kanë mbetur më. Nuk pati çka të shpenzohet as nga rezervat financiare shtetërore, por Qeveria u kujdes që fare në fundvit t’i shpenzojë edhe qindra-mija euro kot së koti përtej rezervave të shtetit. U shpenzuan pra diku rreth 1.2 milion përtej fondit shtetëror financiar rezervë, që ishte diku afro 5 milionë euro. Tani ky fond hyn në vitin e ri me 1.2 milion minus. S’ke si t’u ikësh shpenzimeve marramendëse të kabinetit qeveritar, të ministrave dhe të zëvendësministrave të papërgjegjshëm të qeverisë në dorëheqje.

Të huajt, shtetarë dhe të tjerët, kudo në Evropë dhe gjetiu, nuk e besojnë kur lexojnë dhe shohin shifrat e frikshme të parasë publike të zhvatura nga ministrat dhe nga zëvendësministrat kosovarë për mëditje, për ushqim, për bileta avionësh, për shpenzimet e pambuluara. Thjesht tmerrohen, por edhe pyesin se si ka mundësi ata që e kanë obligim dhe detyrë ruajtjen e shtetit t’i bëjnë kaq keq atij, duke e varfëruar dhe duke e degraduar kaq pamëshirshëm, në përmasa kaq tmerruese.

Sundimi i ligjit nuk funksionoi as më 2019-n. Nuk funksionuan për rrjedhojë as investimet, sidomos ato të huajat, të cilat ishin të papërfillshme, ndjeshëm më të pakta se në vitet paraprake. Të mos ju shkojë mendja për krahasime me shtetet përreth, ato të rajonit, të cilat na kapërcyen shumë, janë larg nesh me shifra marramendëse në këtë segment. Prandaj, jo më kot ambasadori gjerman te ne në prag të ndërrimit të motmotit apeloi me zë disa herë: sundimi i ligjit, sundimi i ligjit, sundimi i ligjit, nëse doni investime të huaja. Ndryshe sodisni fqinjët, të tjerët.

Prandaj nuk pati viza as më 2019-n për ne. 10 vjet pa viza, një decenie e tërë të izoluar, të veçuar dhe pse ta fshehim - të getoizuar veç të tjerëve. Më kot na gënjyen edhe në këtë vit politikanët tanë se kemi plotësuar të gjitha kushtet, por Evropa po dëshmohet raciste ndaj nesh. Pos retorikës patetike, askush, asnjë politikan i vetëm nga Kosova nuk reflektoi dhe as që u kujtua të rezonojë kthjelltë përse mbetëm pa viza kaq gjatë. Askush, asnjë i vetëm, nuk i tha, as që i kërkoi ministres së Integrimeve llogari e përgjegjësi politike e morale: prej nga gjithë ato shpenzime brenda 2018 - 2019-s, pa asnjë efekt të vetëm. Askush nuk i tha as që i kërkoi llogari për këto shpenzime, që as suitat mbretërore nuk i bëjnë dot, për zero rezultatet e saj ministrore dhe për premtimet vazhdimisht të gënjeshtra për vizat. Nuk gënjeu vetëm ajo për vizat.

Evropa nuk na e pati fajin për nepotizmin e padëgjuar dhe të paparë në institucionet dhe në ndërmarrjet publike tonat. Për futjen në paga të qindra-mija vetave, kryesisht ilakë, të afërm të sundimtarëve. Evropa nuk na detyroi ta shndërrojmë Telekomin nga një ndërmarrje qind për qind fitimprurëse në një gërmadhë që prodhon humbje, as të punësojmë në të edhe këtyre ditëve njerëz me paga të perëndimit. Ka edhe shumë ndërmarrje të tjera publike që i kemi katandisur nga mbipopullimi i të punësuarve, të cilët nuk kanë ku të ulen dhe ku ta mbarojnë orarin e punës. Tërësisht ngjashëm me Telekomin.

Askush nuk na e shërbeu, as nuk na detyroi të paguajmë haraç enorm, 53-milionësh, për “Bektel & Enca”-n pa i shteruar të gjitha kundërshtimet e ligjshme. Pse të na i zbulojë Komuniteti i Energjisë në Vjenë të palara të reja - disa masa të paligjshme në marrëveshjen komerciale të nënshkruar ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë amerikane “Contour Global”? Masat e paligjshme që përkthehen në koncesione ndaj investitorit në dëm të Kosovës i bënë njerëzit tanë. Domosdo do të duhej të na shqetësojnë edhe neve shumë dyshimet e ngritura për paligjshmëri rreth ndihmës shtetërore për realizimin e projektit të termocentralit “Kosova e Re”, së paku sa Sekretariati për Energji.

Nuk po përdor edhe aq shifra përqindjesh të huqjeve tona më 2019-n për t’i relativizuar, as për t’i minimizuar dështimet pa fund, degradimet dhe gërryerjet anembanë segmenteve të shtetit tonë, as për t’i paraqitur dështimet me emër dhe me mbiemër për kauzat e huqura nga vendimmarrësit si të izoluara. Ato tashmë kosovarët i dinë, i kanë fare të qarta dhe të adresuara. Ato, fundja, tashmë janë bërë sa e sa herë publike. Shifrat e dështimeve të zyrtarëve kosovarë të stërpërsëritura, së paku nga medie, janë bërë të pandjeshme, edhe për shkakun se ato nuk kanë të sosur. Kanë nisur qëmoti, edhe në fillimvitin 2019 dhe kush e di kur do të ndalen. Gjithsesi, do t’i ketë gurë në qafë qeveria e re, kurdo që të bëhet ajo.

Shpresojmë se edhe në vitin në vijim do të na gëzojnë dhe do të na bëjnë krenarë sportistët tanë, ndonjë krijues e artistë aty-këtu dhe ndryshimi i kërkuar e i votuar nëse vjen ndonjëherë.