Zërat

Marina Abramoviq: Sllavët nuk janë demokratë!

Zërat December 29, 2019 - 13:56
Artistja e famshme tregon pse sllavët nuk janë demokratë, pse në Ballkan pihet e hahet mirë – dhe pse e donte Josip Broz Titon.

Marina Abramoviq është mbase artistja më e njohur në botë. Me performansat e saj artistike ajo tërheq vëmendjen e publikut të gjerë. Në veprat e saj tematizohet e mira dhe e keqja, e vrazhda dhe e bukura, dhuna dhe seksualiteti, dhimbja dhe hareja. Në numrin e së dielës gazeta zvicerane «NZZ am Sonntag» sjell një intervistë me Marina Abramoviqin. Ajo u lind më 1946 në Beograd, prindërit e saj ishin partizanë me dekoratat më të larta. Abramoviq u rrit në një ambient të interesuar për kulturën, në një lloj kafazi të artë të një familjeje komuniste.

Në intervistë Abramoviq flet për artin e saj, por edhe për Ballkanin. Ajo thotë: në Ballkan jeta është e vështirë, por njerëzit jetojnë mirë – pinë shumë, hanë mirë dhe tregojnë barsoleta të ndyra. Shpesh s’kanë para. Por këqyrni miliarderët këtu në SHBA. Ata janë para, por edhe infarkte dhe depresione.

Abramoviq do të ngjallë urrejtjen e nacionalistëve serbë sidomos me qëndrimin e saj ndaj Titos. «E kam dashur Titon», thotë ajo. «Ai ishte aq kompleks. Mund të ishte playboy, pastaj ta mbante në distancë Stalinin. Jugosllavia ishte i vetmi shtet që ai nuk e pushtoi. Dhe Tito e kuptoi se si duhet ta udhëheqë republikën për t’i mbajtur bashkë të gjithë. Ai e zotëronte tonin demokratik. Të gjithë e dinin se pas tij nuk ekziston askush që di të bëjë këtë. Kjo shihet tani. Sllavëve u duhet një udhëheqës».

Nuk janë sllavët demokratë? Abramoviq: «Jo, sllavët nuk janë demokratë. Ekziston vetëm një parti. Pa shihni çka bëjnë demokratët: rrëmujë. Nën Titon ka pasur rend: ai shkoi në Rusi dhe mori para atje. Shkoi në Kinë, mori para, në Indi, në SHBA. Njerëzit jetonin mirë. Në Beograd askush nuk punonte. Kur vdiq Tito kisha përshtypjen se po merrte fund një kapitull i jetës sime».

Abramoviq flet si fëmijë i avangardës komuniste jugosllave. Përshkrimi që ajo ia bën Jugosllavisë është idealist, duke injoruar anët e errëta, burgosjet, internimet, dënimet për delikt verbal etj. Kuptohet që në krahasim me disa vende të Lindjes dhe me Bashkimin Sovjetik, Jugosllavia ishte më liberale, por parajsë e socializmit nuk ishte. Për Marina Abramoviqin mbase po. «Kisha një mësues të anglishtes dhe një të frëngjishtes. Merrja bileta për operë dhe për çdo pjesë teatrale. Jetoja në një lloj kafazi të artë, ku kisha shumë gjëra, por nuk mora dashuri dhe isha nën kontroll total të prindërve, para së gjithash të nënës.

Megjithatë, intervista është mjaft argëtuese, për shembull kur Ambramoviq thotë: «Unë jam si një Public Domain. Sekretet herët a vonë zbulohen, kështu që më lehtë është të mos kesh fare sekrete». Lidhur me ekspozitën e saj të hapur në Beograd: «Kisha ndjenja të përziera. Kur e braktisa Beogradin, nuk më kuptonin fare. Kam qenë në muze gjithkund në botë, por jo në Beograd. Pastaj ata duhej ta rinovonin muzeun dhe e hapën gjithë objektin për mua. Tani kanë shumë vizitorë nga gjithë ish-Jugosllavia. Më kanë thënë se unë jam si Tito. Sërish po i bëj bashkë të gjithë. Në një mënyrë po e bashkoj vendin».

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK