Zërat
Enver Robelli
Enver
Robelli

27 të vdekur

Zërat December 28, 2019 - 19:52

Shtypja dhe dëbimi nga puna i minatorëve në Shqipëri tregon anën e errët jo vetëm të ekonomisë së kontrolluar nga oligarkët. Arrestimi i aktivistëve në Tiranë, të cilët përkrahin minatorët, është skandal po aq i madh sa heshtja e opinionit të gjerë shqiptar.

Nga viti 2014 në zonën e Bulqizës dhe Martaneshit në Shqipëri kanë humbur jetën 27 minatorë. Pra, më shumë sa gjysma e viktimave të tërmetit të këtij nëntori në Durrës e rrethinë. Për këto vdekje opinioni i gjerë shqiptar as që ka dëgjuar. Vdekjet e njëpasnjëshme të minatorëve nuk kanë zënë vend në titujt e mëdhenj të mediave digjitale dhe tradicionale. Pothuaj askush nuk është alarmuar. Në studiot televizive ka vazhduar zhurma e rëndomtë, e cila s’pushon dot që nga rënia e komunizmit.
*
Minatorët e Bulqizës dhe Martaneshit kanë themeluar një sindikatë të pavarur për të mbrojtur të drejtat e tyre dhe për të kërkuar kushte më të sigurta në punë. Minatorët nuk kanë bërë kurrfarë krimi, kanë themeluar një organizatë sipas ligjeve shqiptare në fuqi. Në çdo vend demokratik organizimi sindikal është i lejuar, madje i dëshirueshëm. Kompania «AlbChrome» lëre që nuk i ka marrë seriozisht kërkesat e minatorëve, por i ka larguar nga puna katër minatorë sindikalistë. Në një vend kapitalist si Gjermania, ta zëmë, largimi nga puna i sindikalistëve është pothuaj i pamundshëm.
*
Në Tiranën mondane, aty ku sundojnë e përfitojnë bashkë hajdutët politikë dhe publicistikë, tragjedia e minatorëve të Bulqizës dhe Martaneshit nuk gëzon vëmendjen e duhur. Ata pak aktivistë që protestojnë kundër shtypjes dhe shfrytëzimit të punëtorëve, arrestohen nga policia. Si është e mundur të mbahen në burg e të trajtohen si kriminelë disa aktivistë që përkrahin një kauzë të drejtë të minatorëve?

Heshtin deputetë që e quajnë veten socialistë. Heshtin deputetë të opozitës jashtëparlamentare, të cilët e kanë gojën plot me akuza kundër mizorive të pushtetit dhe oligarkëve. Kur vjen puna e angazhimit konkret, pothuaj të gjithë qëndrojnë indiferentë, sepse, me gjasë, nuk duan të rrezikojnë një ballafaqim me pushtetin e oligarkëve. Përse atëherë e quajnë veten politikanë këta njerëz? Mund ta quajnë veten shërbëtorë të kastës së oligarkëve.
*
Më shumë djersë, më shumë shtypje dhe më pak para: kjo duket të jetë motoja e oligarkëve shqiptarë në raport jo vetëm me minatorët, të cilëve nuk ua respektojnë dinjitetin. Duke u përqendruar vetëm në shumëzim të fitimit, oligarkët nuk i trajtojnë minatorët si njerëz, por si instrumente në ingranazhin e madh të neoliberalizimit të shfrenuar. Rezultati po shihet: 27 të vdekur. Kush ngre zërin e protestës – largohet nga puna. Kush proteston në përkrahje të minatorëve – arrestohet. Një vend që toleron këso padrejtësi, vështirë të quhet normal. Vend në tranzicion, kështu u pëlqen ta quajnë Shqipërinë burokratët e Brukselit, por jo pak prej tyre e mendojnë si vend «lost in transition».
*
Kamber Iljazi, njëri nga udhëheqësit sindikalë në Ballsh, atje ku gjendet qendra e nxjerrjes së naftës shqiptare, në vitin 2018 i tregonte gazetës gjermane «Süddeutsche Zeitung» se si veprojnë oligarkët. Që nga viti 2008 ndërmarrja për përpunimin e naftës është privatizuar disa herë, të gjitha firmat që e blenë ishin «offshore» (ndërmarrje me seli në zona ku nuk paguhen tatime), ato nxorën fitime të majme, nuk kryen investime dhe në fund ikën duke lënë një mal me borxhe. Gjithçka, sipas Kamber Iljazit, mbulohet nga qeveria në Tiranë, s’ka rëndësi nëse janë socialistë apo demokratë. Po i pyete punëtorët në Ballsh se ku i kanë fëmijët, të gjitha përgjigjen: «në Gjermani», «në Itali», «në Suedi».

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK