Zërat
Enver Robelli
Enver
Robelli

Ligji për fetë në Mal të Zi: edhe një përpjekje për t’iu kundërvënë rolit destruktiv të Serbisë dhe Rusisë

Zërat December 27, 2019 - 11:23
Parlamenti i Malit të Zi ka miratuar një ligj mbi liritë fetare, i cili parasheh që të sqarohet pronësia e objekteve të Kishës Ortodokse Serbe, që ajo i zotëron qëkur Mali i Zi më 1918 humbi pavarësinë. Kundër ligjit janë pozicionuar opozita proserbe dhe proruse, kisha serbe dhe mbështetësin e saj. Në parlament janë hedhur mjete piroteknike. Megjithatë, sot në mëngjes ligji është miratuar.

Mali i Zi ka qenë Mbretëri e pavarur deri në vitin 1918. Deri atëherë ky vend ka pasur edhe kishën e vet ortodokse. Me integrimin e Malit të Zi në Mbretërinë e serbëve, kroatëve e sllovenëve kisha ortodokse malazeze u zhbë me dekret mbretëror. Kështu ajo e humbi autoqefalinë (pavarësinë) e saj, përfshirë edhe pronat.

Ato u bënë prona të kishës ortodokse serbe. Ithtarët e forcimit të identitetit të pavarur të Malit të Zi, të prirë nga kryetari shumëvjeçar dhe sundimtari i ngahershëm, Millo Gjukanoviq, prej vitesh po përpiqen të luftojnë rolin destruktiv të kishës serbe dhe të forcojnë rolin e kishës malazeze.

Një shtet i pavarur duhet të ketë edhe kishën e vet të pavarur – kjo është motoja e Gjukanoviqit dhe mbështetësve të tij. Përmes një ligji mbi liritë fetare, me të cilin bashkësitë e tjera fetare (katolikët, myslimanët) nuk kanë problem, Mali i Zi synon të qartësojë pronësinë mbi, ta zëmë, manastiret dhe objektet e tjera kishtare ortodokse.

Në natën nga e enjtja në të premten në parlamentin malazez në Podgoricë opozita proserbe dhe proruse u përpoq që me dhunë të pengojë votimin e ligjit. Njëherë u njoftua se opozita kishte hedhur gaz lotsjellës në parlament, pastaj u precizua se bëhej fjalë për mjet piroteknik. Në disa pjesë të vendit protestuesit, të nxitur nga popët e kishës serbe dhe nga popullistët proserbë, bllokuan rrugët. Skenat të kujtonin nacionalistët serbë në Kroaci, të cilët në fillim të viteve ’90 bllokuan rrugët me trungje. Mbledhja e parlamentit u ndërpre pas mesnatës, për të vazhduar të premten në orët e hershme të mëngjesit. Përkundër tensioneve parlamenti miratoi ligjin për liritë fetare. Kryeministri Dushko Markoviq deklaroi se Malit të Zi nuk i duhet sheshelizimi i parlamentit.

Pas pavarësimit më 2006, hyrjes në NATO më 2017 ligji për liritë fetare është një hap tjetër i pushtetit të Millo Gjukanoviqit për t’iu kundërvënë ndikimit serb dhe rus në këtë republikë me dalje në Adriatik. Për shkak të kundërshtimit sidomos të Rusisë, Gjukanoviq gëzon përkrahjen e Perëndimit. Në vitin 2016 një grup serbësh, të përkrahur nga agjenturat ruse, tentuan të shkaktojnë trazira në Mal të Zi, të cilat kishin për synim rrëzimin e qeverisë. Ndonëse kjo përpjekje për destabilizim të Malit te Zi nuk është ndriçuar ende tërësisht, nuk ka dilemë mbi përzierjen e Rusisë. Vetëm pak ditë pas arrestimeve në Mal të Zi me 2016, shefi i të gjitha shërbimeve sekrete ruse erdhi në Beograd për t’i marrë me vete agjentët rusë, të cilët nga kryeqyteti serb kishin tërhequr penjtë e grushtit të shtetit në Mal të Zi. Rrjeti i puçistëve shtrihej deri në pjesën veriore të Kosovës. Sivjet një gjykatë në Podgoricë i dënoi me 70 vjet burg 11 të akuzuar për pjesëmarrjen në tentimin për puç. Në aktgjykim thuhet se shtetasit rusë Eduard Shishmakov dhe Vladimir Popov kanë përgatitur planin për rrëzimin e pushtetit në Mal të Zi. Shishmakov është dënuar me 15 vjet burg, Popov me 12. Ata janë dënuar në mungesë, pasi Moska ka refuzuar ekstradimin e tyre. Komandanti i dikurshëm i xhandarmerisë serbe Bratisllav Dikiq është dënuar me 8 vjet burg.

Përkundër orientimit perëndimor Mali i Zi mbetet një vend larg standardeve demokratike. Në indeksin e korrupsionit të Transparency International Mali i Zi gjendet pas Ruandës. Sa i përket lirisë së shtypit organizata Reporterët pa Kufij e ka renditur Malin e Zi në vendin e 104. Megjithatë, BE vazhdon negociatat për anëtarësim me Malin e Zi, i cili nga Millo Gjukanoviqi udhëhiqet si të ishte një ndërmarrje familjare. Dhe familja kontrollon banka, monopole shtetërore, ndërmarrje të rëndësishme, ndan poste e tenderë.

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK