Zërat
Genc Xërxa
Genc
Xërxa

LVV – LDK, rast të dytë s’do të keni

Zërat December 25, 2019 - 18:17
Shkruan: Genc Xërxa, sociolog

Çka i duhet tani vendit tonë më shumë se kurrë? Formimi i institucioneve është apel civil më se i nevojshëm për të ecur sadopak para me gjitha telashet dhe problemet që e kanë katandisur këtë vend. Nuk bën të humbet as çasti e lëre më orët ose ditët për të lëvizur nga status quoja socio-politike e degraduar.

Sovrani foli dhe dha verdiktin. Pse ky ngërç, çka po e ndalon një hap të tillë të realizueshëm? Fituesi tani po dihet, i erdhën LVV-së “pesë minutat” e saj, le t’i shfrytëzojë mirë, se nëse në ndonjë version dështon t’i krijojë institucionet e dala pas zgjedhjeve, mundësi të dytë s’do të ketë. S’ka nevojë për hezitim, për ndalesë; disponimin që e patën më 7 tetor duhet ta ruajnë e të mos e shuajnë gjithë atë entuziazëm pozitiv dhe vullnetmirë, por të ecin në krijimin e jetës institucionale, thirrje elektorale që e kërkuan dhe tani e fituan.

LDK-ja duhet të dijë se qëndron në këmbë jo falë politikave të udhëhequra bukur mirë ndër vite, por për shkak të një kohezioni të ri të formuar “anti-PAN” këtyre viteve, duke u bazuar në gjak të ri, që është injektuar viteve të fundit në krye me Vjosa Osmanin, me konsistencën e saj politike ndër vite dhe me luftën e saj përbrenda LDK-së për një LDK moderne dhe parimore. Secilin kandidat tjetër që do të kishte propozuar partia për bartës liste do të pësonte shumë keq në raport me daljet e rezultateve nga zgjedhjet e 6 tetorit, ashtu që mundin e saj mos e gllabëroni, se sovrani është i mençur, do t’ju dënojë. Koha e figurave recikliuese brenda partisë ka përfunduar. LDK-ja duhet ta kuptojë se elektorati po di bukur mirë “si dhe çfarë po zihet”, por po bëhen sikurse nuk po dëgjojnë një grup i ngushtë klanor. Duket se nuk po dëshirojnë ta shohin realitetin në sy, nuk po u konvenon. LDK, nëse dëshiron të qëndrosh në këmbë sërish, lësho rrugë për figura të reja dhe për gjak të ri, me kredibilitet. Ka kaluar koha e personaliteteve jokonvencionale ose ambiguale. Tash është një rrugë krejtësisht e re, me njerëz të rinj dhe me parti “të reja”. Çdo hezitim ose kapriçio politik në dëm të vendit do të ketë koston e vet, që do t’i faturohet gjithë partisë dhe pamundësisë “të shpëlahet” nga e kaluara.

Ndërsa LVV-ja duhet të jetë më konstruktive dhe më demokratike në lidershipin e saj drejt formimit institucional. Të mos kemi frikë nga një autoritet autokratik ose rigid, që do të kishte premisa të një diktati, i cili do të tingëllonte sikurse “ja huni, ja zhguni”. Në kushtet e sotme fleksibiliteti e kompromisi janë metoda me qëllim që të nxirren drejtimet më të mira drejt progresit dhe mbarështisë sociale në bashkëpunim të sinqertë me krijimin e frymës së punës ekipore, si dhe në ndarjen e përgjegjësive proporcionale, duke u bazuar në mirëbesim. Protagonizmi është kafshatë e madhe, që shpesh po na dëmton dhe po i “egërson” personalitetet, pasi po bien në grackë nga uni dhe nga egoja e pakufizuar.

Këto nuk na nevojiten aspak. Kthjelluni dhe lëshoni rrugë arsyes! Shansi i dytë gënjeni veten nuk ekziston!

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK