Zërat
Zekrija Shabani
Zekrija
Shabani

Sfidat e një “revolucioni” ekonomik

Zërat December 23, 2019 - 08:34
Zekrija Shabani

Në Kosovë është shumë lehtë të hapësh biznes, por vështirë ta mbash atë. Ndërsa qytetarëve më shumë u leverdisë të rrinë në skema sociale sesa të punojnë çfarëdo pune. Kjo është situata që ka para vetes qeveria e re, e cila pritet të formohet së shpejti, nëse Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës dakordohen të qeverisin së bashku.

Premtimi për përmirësim të gjendjes socio-ekonomike është edhe një nga arsyet që këto dy parti fituan besimin e qytetarëve të sfiduar nga papunësia, shkalla e lartë e varfërisë, konkurrenca jo e drejtë, korrupsioni e mungesa e drejtësisë. Pritjet janë që qeveria e ardhshme të zbatojë në praktikë “revolucionin ekonomik” si prioritet krahas sfidave të tjera që ka vendi. Në fakt është krijuar përshtypja se kjo është shpresa e fundit e masës për ndryshim, i cili mund të përkthehej si akumulim i pakënaqësive si rezultat i dështimeve të njëpasnjëshme në vend.

Agjenda ekonomike e shtetit të Kosovës deri më tani ka ekzistuar vetëm në letër për faktin se Kosova në 20 vjetët e saj të lirisë është përballur me një agjendë kryekëput politike të dominuar nga problemet etnike në veriun e Kosovës, dialogun me Serbinë, përgatitjen e standardeve para statusit dhe asnjëherë në Kosovë parësore nuk ka qenë ekonomia, e cila në fakt do të duhej të jetë. Plani që shpalos Vetëvendosja gjatë diskutimit duket interesant për t’u zbërthyer për shumë arsye. Më kryesorja është ndryshimi i paradigmës ekonomike, megjithatë ka shumë pak informacion se si do të ndodhë kjo.

Nga çfarë është prezantuar deri më tani kuptohet se me përdorimin e metodave të njëjta nuk mund të priten rezultate të ndryshme. Dhe është e vërteta për çfarë pajtohen njohës të fushës dhe pjesëmarrës të përfshirë në proceset vendimmarrëse jashtë institucioneve.

Qasja ndaj papunësisë, bilancit tregtar dhe krijimit të mundësive për qasje më të lehtë në kapital, të cilat shihen si sfidat kryesore të zhvillimit ekonomik dhe të përmirësimit të gjendjes socio-ekonomike në programin e ri qeverisës pritet të jetë ndryshe. Pra do të ketë ligj të ri të punës, pako të reja fiskale dhe një projekt ambicioz për riindustrializimin e vendit. Mbi të gjitha, qeveria nuk do të jetë spektatore e as regjisore e ekonomisë, por një aktore serioze në tërë këtë proces. Kjo në planin e qeverisë së re nuk nënkupton qasje kundër sektorit privat, i cili shihet si promotor i zhvillimit ekonomik, por vë në spikamë se ky sektor është i lidhur ngushtë me nevojën për ndryshim të modelit.

Në tre vjetët e fundit kemi pasur rritje ekonomike deri në rreth 4 për qind, e cila nuk është përkthyer në mirëqenie më të mirë të qytetarëve dhe nuk është e mjaftueshme nëse e marrim parasysh numrin e të rinjve, të cilët futen në tregun e punës. Pra, modeli ekonomik nuk ka përkrahur zhvillimin e prodhimtarisë në vend për t’iu kundërvënë importit. Kushtet e vështira financiare, paragjykimet në cilësinë e produkteve vendëse, por edhe mosliberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës për të lëvizur lirshëm në vendet e Bashkimit Evropian janë disa nga arsyet që importi vazhdon të dominojë dukshëm nga eksporti. Për shkak të industrisë së dobët të prodhimit në Kosovë, eksporti i produkteve “Made in Kosova” në vende të ndryshme të Evropës dhe të botës mbetet minimal. Atë që nuk kanë arritur ta bëjnë qeveritë e deritashme, të krijojnë kushte më të mira për sektorin privat, investime të huaja nga diaspora dhe lidhje të arsimit me ekonominë, synohet të realizohet në programin e ardhshëm qeverisës.

Fondi Sovran dhe Banka Zhvillimore prezantohen si dy instrumente përmes të cilave do të injektohen sektorë të ndryshëm ekonomikë për ta stimuluar prodhimin, për ta ulur papunësinë dhe për t’i rritur eksportet. Mërgata është një shtyllë tjetër, në të cilën mbështetet plani për “revolucionin ekonomik”. Paratë e kosovarëve që jetojnë në diasporë aktualisht shfrytëzohen në masë të madhe për konsum. Diçka që duhet të ndryshohet duke krijuar mundësi për afaristë dhe për investitorë nga mërgata, që t’i derdhin mjetet e tyre në vendlindje. Lidhja emocionale me Kosovën synohet të shfrytëzohet si potencial për investim në sektorët zhvillimorë. Krejt kjo në parim duket shpresëdhënëse, por në vete bart rreziqe me efekte zinxhirore.

Raporti i shtetit të Kosovës me mërgatën duhet të ndryshojë, nga ai emocional në interes strategjik. Mërgata kosovare ka krijuar kapacitete financiare dhe intelektuale, të cilat Kosova duhet t’i atraktojë duke krijuar kushte për shfrytëzimin e tyre. Përveç kësaj, ende nuk ka një analizë të mirëfilltë se cilat janë potencialet kryesore të Kosovës, të cilat do të garantonin zhvillim të hovshëm me një sistem të ri ekonomik. Edhe më të vështirë zbatimin në praktikë të një plani, që i mundëson shtetit prezencë më të madhe në ekonomi, e bënë qeverisja nga dy subjekte politike me ideologji të ndryshme ekonomike. Kjo edhe do të jetë sfida në bashkëqeverisje dhe rreziku që të vihen në zbatim projektet e parapara. Logjika se ekonomia e Kosovës nuk mund të rritet përmes të hyrave nga doganat e Kosovës, por ekonomia rritet duke bërë projekte afatgjate, duke hapur fabrika në ekonominë e vogël, të mesme dhe familjare nuk garanton domosdoshmërish ndryshim dhe mirëqenie më të mirë.

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK